19 korrik 2019/ B. Xhavara/ Porta Vendore/ Tiranë
Rreth 200 qytetarë nga 5 qytete u mblodhën ditën për të protestuar përpara Kryeministrisë nën sloganin “Kthema dritën”, paraditen e dt 19 korrik. Në thirrjen e përbashkët për rreth 1 orë ata kërkuan të miratohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për nenin 95 të ligjit për “Sektorin e Energjisë Elektrike “, çka do të lehtësonte xhepat e këtyre familjeve në vështirësi ekonomike.
Ditën e hënë në dt 15 korrik, një grup aktivistësh të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, e jo vetëm u paraqitën para 4 institucioneve kryesore, si në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës dhe pranë Kryeministrisë, një peticion me rreth 3200 firma për miratimin e VKM-së, për lehtësimin e tarifës për familjet e varfra. Ndërsa këtë të premte, pati një protestë përpara kryeministrisë duke kërkuar kështu një përgjigje nga Z. Rama për peticionin e dërguar ditën e hënë. Qytetarët nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Berati me pankarta në duar, kërkuan reflektim nga ana e qeverisë për të miratuar këtë VKM, e cila është lënë në harresë që nga viti 2015, duke rënduar xhepat e tyre. Nën sloganin “Kthema dritën”, parullat që ata mbanin në duar tregonin qartë gjendjen e tyre social-ekonomike dhe vështirësitë për të paguar energjinë elektrike, teksa kjo VKM do të sillte më shumë mundësi në familjet e tyre. “Rimbursoni energjinë”, “Fëmija im e kaloi semestrin në errësirë”, “210 KW falas për familjet e varfra etj, ishin mesazhet e kësaj proteste paqësore, e cila nuk do të ndalet me kaq.

“Ne kemi marrë ndërmarrë të gjithë hapat për të kërkuar që kjo VKM të miratohet, duke dërguar në muajin dhjetor më shumë se 150 ankesa nga qytetarët tek portali i Bashkëqeverisjes, por ende sot nuk kemi një përgjigje për ankesën. Kemi zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues institucionesh ku kemi folur për miratimin e VKM, ndërkohë që sot vendosëm të protestojmë pasi nuk ka më hapa të tjera për të bërë”, thanë për Portën Vendore aktivistët.
Ky problem real prek më shumë se 300.000 familje të varfra, që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Neni 95 i Ligjit për “Sektorin e Energjisë Elektrike” u jep mundësinë familjeve të varfra të rimbursohen nga buxheti i shtetit 210 kWh ose ndryshe 2000 mijë lekë në muaj si lehtësim për faturën e energjisë elektrike. Përpos kësaj miratimi i kësaj VKM-je aq shumë të mirëpritur pritet të krijojë lehtësi në pagesën e kësteve.
Ligji i miratuar në vitin 2015, kishte si afat 1 vit për të miratuar aktet nënligjore në mënyrë që ligji të kishte fuqi vepruese. Madje një qytetar nga Elbasani Z. Ilirjan Petriti është ankuar në Gjykatën e Tiranë për miratimin e VKM-së, por përgjigja e gjykatës shpjegonte se nuk kishte fuqi të detyronte Këshillin e Ministrave.

Porta Vendore mësoi gjithashtu nga se 2 nga aktivistët që mbrojnë këtë kauzë janë pritur në një takim në Kryeministri për të diskutuar rreth miratimin të VKM për nenin 95
“U takuam me Drejtoreshën e platformës së Bashkëqeverisjes dhe ata u shprehën se do na kthejnë përgjigje sapo të mbushet afati 1 javë nga dërgimi i peticionit me të gjithë opinionet dhe mendimet e Kryeministrisë dhe Ministrive të linjës, që janë përgjegjëse për këtë VKM”, tha Elvis Çota, drejtues i LRER-së.
Teksa familjet e varfra kanë 3 vite që presin për miratimin e kësaj VKM-je, dhe teksa janë shkelur të gjithë afatet ligjore për ta miratuar, qytetarët e mbështetur edhe nga shoqëria civile janë të gatshëm ti shkojnë kësaj “beteje” deri në fund.