Ndodhi

Rruga pranë qendrës së Durrësit, ku bashkia nuk ka investuar asnjëherë

18 korrik 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Rreth 50 familje në lagjen numër 6 të qytetit përballen me rrugicën e mbuluar nga balta, inertet dhe pellgjet me ujë. Pusetat janë zhytur në baltë dhe rruga bëhet e pakalueshme sa herë bie shi. Rrugica që lidhet me rrugën “Hajdar Dushi”, degëzohet midis disa shtëpive përdhese dhe sheshit të disa pallateve të ndërtuara përpara viteve ‘90. Pushteti vendor, sipas banorëve, nuk ka investuar asnjëherë në infrastrukturën e kësaj pjese të lagjes.

Fatbardha Dollaku është një prej qytetareve të hershme në Durrës. Gruaja sot mban rreth 70 vite mbi supe. Sëmundja e reumatizmit ka prekur shumë prej banorëve të moshës në tretë në qytet, si pasojë edhe e klimës së lagësht nga prania e detit. Paterica e ndihmon Fatbardhën, jo vetëm që të përballojë sëmundjen, por edhe të ruajë ekuilibrin teksa “hidhet” nga njëra gropë në tjetrën, në rrugicën e lagjes së saj.

“Është turp, këtu është mesi i Durrësit dhe të mos rregullohet. Një copë tokë është këtu për tu shtruar. Bllokohet kur bie shi, nuk kanë kalamajtë ku të dalin, as ne”, tregon shqetësimin e saj Roza Krasniqi.

Shoferët shprehen se pasojat e rrugës së amortizuar prej dekadash i ndiejnë tek automjetet e tyre, që duhet të përshkojnë disa gropa përgjatë lagjes. Këmbësoret si Fatbardha Dollaku, kanë përjetuar edhe incidente si pasojë e mungesës së infrastrukturës.

“Unë kam pasur tim shoq të paralizuar dhe 5-6 herë më ka ra nga karroca poshtë se ka qenë rruga e amortizuar. Kur bie shi këtu dalim me çizme së bohet balta deri në gju”, tregon Dollaku, që jeton me dy djemtë e saj.

Bashkia Durrës pranoi zyrtarisht për Portën Vendore se nuk ka kryer asnjëherë investim në këtë rrugë, duke premtuar se do të verifikojë rastin e paraqitur.

“Pas verifikimeve që do të kryejë Ndërmarrja Rruga për kërkesën tuaj, do të vlerësohet mundësia e përfshirjes së këtij investimi në listën e investimeve në vijim, e cila do të realizohet nga kjo ndërmarrje”, përgjigjet zyrtarisht bashkia.

Teksa banorët kërkojnë kushtet bazë (rrugën) për lëvizjen dhe kryerjen e proceseve të përditshme, në lagje, ndriçimi është i pjesshëm dhe në të gjithë hapësirën në sheshin e pallateve mungojnë stolat për të moshuarit apo gjelbërimi, ndërkohë që rreth 50 familje të kësaj rrugice paguajnë taksat vjetore të gjelbërimit, që është 200 lekë në vit për familje dhe tarifa e ndriçimit është 500 lekë në vit për familje.

Edhe rruga kryesore “Hajdar Dushi” që përshkon lagjen, prej vitesh është amortizuar si pasojë edhe e ndërhyrjeve për të riparuar defekte të ujësjellësit apo shtruar tubacione të reja nga kompani të ndryshme.

Pranë lagjes 6 gjenden disa institucione të rëndësishme si qendra shëndetësore, kopshte dhe shkolla. Po ashtu ka aktivitet të lartë tregtar dhe fluks lëvizje, por megjithatë infrastruktura rrugore është amortizuar prej vitesh.

Problematika e pasqyruar është denoncuar nga qytetarët nëpërmjet rubrikës “Raporto” të platformës: https://portavendore.al/dialogmeqytetarin/raporto-shkelje/

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.