Ndodhi

VKM që mban peng kompensimin për energjisë elektrike, peticion për miratimin e saj

16 korrik 2019/ Porta Vendore/ Tiranë                                                                          

Një peticion me 3200 firma nga qytetarët e aktivistët e shoqërisë civile i është dorëzuar qeverisë për miratimin e VKM-së për “klientin në nevojë”, nga i cili do të përfitojnë ndihmë financiare për energjinë elektrike të gjitha familjet në nevojë, në bazë të Ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, të miratuar në vitin 2015. Peticioni u dorëzua pranë katër institucioneve: në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës dhe pranë Kryeministrisë, ku kërkohet miratimi i VKM-së, në zbatim të nenit 95 të ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike.

Familje në nevojë, individët dhe qytetarët e ndryshëm, nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Berati, u solidarizuan me bashkëqytetarët e tyre, duke firmosur peticionin për të nxitur reagimin e institucioneve për të zbatuar nenin 95 të ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i cili parashikon trajtimin e veçantë të familjeve në nevojë për aksesin e energjisë elektrike.

Këshilli i Ministrave propozoi një ligj “Për sektorin e energjisë elektrike” në vitin 2015, që për herë të parë parashikonte rregullimin e kësaj situate me një term që quhet “klienti në nevojë”, që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë. Me këtë term kuptohet që familjet në nevojë, si ato që trajtohen me ndihmë ekonomike, me pension invaliditeti ose pensionistë, mund të sigurojnë një kompensim të energjisë elektrike nëpërmjet buxhetit të shtetit. Ligji gjithashtu parashikon që për ta bërë më të prekshme këtë zbatim të ligjit, duhet një VKM për mënyrat, kriteret dhe procedurat sesi këto familje do të marrin këtë përfitim. Ligji parashikonte që VKM përkatese duhej të dilte në vitin 2016. Por, miratimi i VKM-së nuk është kryer megjithëse kanë kaluar 4 vite nga miratimi i këtij Ligji, dhe tre vite nga afati i përcaktuar në Ligj për VKM në fjalë.

Mungesa e kësaj VKM-je, që ka mbajtur peng kompensimin për energjinë elektrike për “klientin në nevojë” ka vënë në lëvizje aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë përgatitur peticionin. “Bashkë me disa aktivistë në 5 qytetet kryesore të Shqipërisë; Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat, shkuam dhe informuam qytetarët që janë trajtuar me ndihmë ekonomike ose që janë pensionistë, rreth mundësisë për kompensim që ligji për sektorin e energjisë elektrikë i miratuar në vitin 2015 u jep atyre. Realisht ata nuk kishin dijeni dhe u habitën nga kjo mundësi që ligji i mundësonte, teksa nga ana tjetër u zhgënjyen se si në këto vite nuk është miratuar VKM-ja. Mbi 100 ankesa u adresuan në portalin ‘Shqipëria që duam’, në lidhje me këtë problematikë, por nuk u mor një përgjigje konkrete mbi këtë çështje, teksa qytetarët tanimë janë më të vetëdijshëm për mundësitë që ofron ligji dhe janë të gatshëm ta përshkallëzojnë protestën e tyre”, tha Ervis Cota, drejtues i LRER.

Peticioni për tre ministritë e linjës dhe Kryeministrinë

Sipas aktivistëve këto katër vite të ngecura në ngadalësi burokratike të institucioneve përgjegjëse kanë zhytur në terr qytetarët që e kanë të pamundur përballimin e kostos së energjisë elektrike. Aktivistët e shoqërisë civile shpjegojnë se me mijëra familje të varfra, në vështirësi për të përballuar faturën e energjisë elektrike, janë ballafaquar me të jetuarit pa drita ose të kryerjes së lidhjeve të paligjshme, duke rrezikuar dënime penale. Aktivistë të shoqërisë civile e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet në këto vite, ku tanimë kanë filluar edhe përshkallëzimet, e ku qytetarë e aktivistë paralajmërojnë një protestë më datë 19 korrik, për përmbushjen e këtij ligji me nxjerrjen e VKM-së dhe nisjen e zbatimit. Kjo çështje është trajtuar më herët edhe në platformën Porta Vendore, kur qytetarë të Elbasanit i janë drejtuar edhe Gjykatës për fitimin e kësaj të drejte të përcaktuar me ligj, por që ende nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së akteve nënligjore.

­“Punoj roje në uzinën e Auto-Traktorëve dhe marr 190 mijë lekë të vjetra, me atë rrogë unë mbaj 4 anëtarë në familje, fatura e muajit të kaluar ishte 80 mijë lekë të vjetra, çfarë do të bëj unë me pjesën tjetër të mbetur, a kalohet muaj, jemi të sëmurë me diabet dhe tension. Më erdhi OSHEE për ti prerë dritat”, tregon Astrit Kurti nga Tirana.

Të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tregojnë së në vitet 2016-2017 janë evidentuar 2010 vepra penale për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Të arrestuarit janë 491 persona, 71 janë ndaluar, 1079 persona janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 385 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas aktivistëve, këto shifra tregojnë pamundësinë e njerëzve për të paguar energjinë elektrike, prandaj ajo ndihmë nga buxheti i shtetit duhet të hyjë sa më shpejt në fuqi.

Aktivistë të Komunitetit Rom dhe Egjiptian e jo vetëm, në dorëzimin e peticionit.

Sipas të dhënave të OSHEE-së, rreth 250 mijë familje shqiptare kanë lidhur akt-marrëveshjen për të paguar detyrimet e prapambetura. Shumë prej familjeve në nevojë nuk kanë një punë të qëndrueshme për të siguruar të ardhura të mjaftueshme mujore për të përballuar shpenzimet, ndërsa një pjesë tjetër e tyre trajtohen me ndihmë ekonomike. Kjo pamundësi për t’i shlyer rregullisht detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së çon në raportim e cituar më lart të Drejtorisë së Policisë.

“Ne s’kemi bukë në shtëpi, nuk kemi mundësi të paguajnë faturën e energjisë elektrike, vetë jam sëmurë, fëmijët janë pa punë dhe ata dalin të mbledhin bidona dhe e shumta që fitojnë janë 3-4 mijë lek të vjetra, më këto lek çfarë të paguajë më parë ilaçet apo të hamë bukë, ne nuk i paguajnë dot faturën e energjisë elektrike”, thotë Flutura nga Elbasani.

Nga të dhënat zyrtare të INSTAT, mësojmë se janë 53.982 familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike.

Në një shkresë zyrtare në prill të vitit 2018-ë, Qendra Ligjore e Fondacionit Shoqëria Hapur Për Shqipërinë ka rekomanduar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për nenin 95 të ligjit 95/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, se qeveria duhet të kompensojë financiarisht familjet në nevojë me 2,394 lekë të reja në muaj, dhe kanë rekomanduar që të parashikohet një ulje vit pas viti duke pasur parasysh pastrimin e skemës së ndihmës ekonomike sikurse dhe efektivitetin në rritje të programeve të nxitjes së punësimit.

Studime të shumta dëshmojnë se që në një familje me 4 anëtare të përmbushë nevojat elementare për ndriçim, informim dhe gatim nevojiten të paktën 210 kilovat/orë energji elektrike në muaj, dhe një familje që trajtohet me ndihmë ekonomike merr maksimalisht 8000 lekë në muaj, ndërkohë sipas OSHEE këto familje shpenzojnë mesatarisht 2300 lekë në muaj energji elektrike, e cila është sa 30% e të ardhurave të tyre mujore.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail