15 korrik 2019/ Engjëll Serjani/ Porta Vendore/ Përmet
Fshati Pagri i Përmetit, “porta hyrëse” e Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës, nuk është e përfshirë në projektin qeveritar të “100 fshatrave”. Por banorët e saj janë përfshirë në një aksion qytetar për transformimin e tij në fshat turistik, duke e vetëpagëzuar këtë projekt komunitar në “Projekti 100 + 1”, duke i dhënë kuptim e vlerë të veçantë shfrytëzimit të aseteve që ofron natyra në interes të turizmit dhe rritjes së të ardhurave të tyre.
Një kambanë e thjeshtë bronzi, vendosur mes dy tabelave informative në qendër të fshatit Pagri, fshati që ndodhet në hyrje të Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës në Përmet, është kthyer në simbol të ndërmjetësimit dhe komunikimit mes turistëve që frekuentojnë këtë park dhe banorëve të fshatit.
Kjo mënyrë simbolike informimi, ndërmjetësimi dhe pasqyrimi të ofertës turistike, është realizim i Qendrës Kulturore Mediatike Antigonea (QKMA), me ide dhe projekt teknik të studentit të arkitekturës Enea Serjani.
Në lagjen e Sipërme të Pagrisë jeton vetëm një familje, ajo e Ismail Saliut. Përreth shtëpisë së tij, një banesë monumentale e ndërtuar qysh në vitin 1931, gjenden edhe tri banesa të të së njëjtës arkitekturë tradicionale. Në të këto banesa duken të qarta gjurmët e rrënimit të tyre. Ismail Saliu dhe bashkëshortja e tij janë angazhuar në ngritjen e një “eko-bujtine” për ushqim e fjetje të turistëve dhe vizitorëve. Në përfundim të rijetëzimit të këtyre banesave të vjetra, Ismaili parashikon rreth 12 dhoma për fjetje, prej të cilave 7 do të kenë në funksion oxhakët e dikurshëm.
Numri i të rinjtë dhe nxënësve në gjithë zonën është i kufizuar për shkak të largimeve masive. Muhamet Osmani, një banor tjetër i Lagjes së Poshtme angazhohet në pritjen e turistëve me një drekë tradicionale, byrek me lakra të egra, petulla me kos, përshesh me kulaç e me mish pule, etj. Ndërsa bletërritësit Dule Kuçuku dhe Maro Zaimi do të ofrojnë për turistët petulla me mjaltë, mjaltë me pite e hoje, qumësht blete dhe propolis. Gratë e tjera të Pagrisë ofrojnë gliko me arrë, koçimare, ftua, fiq të egër, bukëfiqe, fruta të freskëta dhe të thata, çaj nga bimët.
Një atraksion tjetër për këtë zonë është edhe Teqeja e njohur e Alipostivanit. Sipas Baba Hekuranit që u shërben besimtarëve bektashinj, gjatë gjithë vitit në këtë Teqe të ringritur dhe ringjallur, vinë për pelegrinazh mijëra besimtarë dhe jo vetëm, por të të gjitha besimeve fetare nga Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi. Pagri nuk është veçse 3-4 km larg këtij Vendi të Shenjtë. Besimtarët e ardhur nga larg mund të çlodhen dhe relaksohen në banesat e fshatit Pagri.
Një tabelë informuese në gjuhën angleze së bashku me një kambanë sinjalizuese bronzi janë vendosur në hyrje të fshatit. Turistët që kanë nevojë për shërbime si: ushqim, kafe, prodhime bujqësore të zonës, fjetje, prodhime artizanati leshi dhe druri të zonës, kafshë për të udhëtuar në thellësi të parkut të Bredhit të Hotovës, mund të sinjalizojnë banorët me tingujt e kambanës. Zona e Mbrojtur e “Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës – Dangëlli”, në territorin e së cilës përfshihet edhe fshati Pagri, nga ekspertët ndërkombëtarë të mjedisit konsiderohet si “mushkëritë e gjelbra të Ballkanit”, është zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë dhe është shpallur si e tillë me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 1631 date 17.12.2008
Parku është i vendosur në Jug të Shqipërisë në rrjedhën e djathtë lumit të Vjosës dhe përfshin një sipërfaqe të përgjithshme e 34,361 ha nga të cilat 33,165.3 ha në rrethin e Përmetit dhe 1,195 ha në rrethin e Kolonjës. Parku i Bredhit të Hotovës përshkohet nga dy rrugë kryesore: Piskovë – Pagri – Frashër dhe tjetra Petran – Gostivishtë. Sipas ekspertëve në këtë territor përveç peizazhit të papërsëritshëm ekziston një pasuri e jashtëzakonshme me përfaqësues specifikë të florës dhe faunës natyrore. Flora përfaqësohet nga: bredhi i Maqedonisë, shparthi, qarri, panja, shkoza e bardhë, frashri, dëllinja, mareja etj. Ndërsa fauna, përfaqësohet nga: ariu i murrmë, kaprolli, derri i egër, lepuri i egër, ujku, dhelpra, ketri, shqiponja e malit, bufi, etj. Brenda territorit të tij gjendën mjaft “monumente natyre” si: Pylli i Rapushës, Bokërrimat e Dangëllisë, Gështenja e Teqesë, Frashër, Bredhi i Kokojkës, Kanioni i Kamenckës, Kanioni i Borockës (Guri i Bletës), Burimet me ujërat termale të Benjës, Kanioni i Langaricës, etj.
Pagri nuk është e përfshirë në projektin qeveritar të “100 fshatrave”, por banorëve u pëlqen që aksionin e tyre qytetar për transformimin në fshat turistik ta konsiderojnë si projekt komunitar “100 + 1”, duke i dhënë kuptim e vlerë të veçantë shfrytëzimit aseteve që ofron natyrë në interes të turizmit dhe rritjes së të ardhurave të tyre.
Rreth autorit:
Engjëll Serjani është gazetar i qarkut të Gjirokastrës.