Vëzhgim/Analizë

MJEDISI, KRIZA DHE NJË VETËDIJE E RE POLITIKE

13 korrik 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore

“Jo HEC-e në lumenjtë tanë”, protesta e thirrur të shtunën e shkuar në Tiranë nga “EcoAlbania”, një organizatë që kombinon aktivizmin me ekspertizën mjedisore, nuk mblodhi më shumë se 200-250 vetë. Të pranishmit protestuan në trotuarin përpara Kryeministrisë, përballë një fasade me grila të ulura, në praninë e një numri të vogël punonjësish policie, që ishin aty për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit.

Protesta zgjati pak më shumë se një orë, por numri i protestuesve mbeti i papërfillshëm, krahasuar me të mbledhurit e protestave politike, që prej disa muajsh, po dominojnë skenën publike në Shqipëri.

Ngjarja u anashkalua edhe prej televizioneve kombëtare, të cilat në të njëjtën ditë, gjetën vend në edicionet e tyre për deklaratën e ministrit të Mjedisit, që reklamoi një aktivitet sportiv turistik në Vlorë, si dhe të një tjetër zyrtari të lartë të Ministrisë, që premtoi zgjerimin e Zonave të Mbrojtura në nivel kombëtar.

Pjesëmarrja e organizatave ishte gjithashtu e zbehtë. Ato pak të pranishme u përfaqësuan, formalisht, nga vetëm një anëtar, që i përkiste hierarkisë së ulët. Dhe, po të mos ishte pjesëmarrja e disa dhjetëra banorëve të Kaçinarit e Urakës në Mirditë dhe të Setës në Dibër, protesta mund të kishte dështuar.

Debati mbi shqetësimet mjedisore është në zhvillim e sipër, por deri tani problemet reale kanë mbetur në hije. Propaganda zyrtare përpiqet ta paraqesë mjedisin, thjesht si një atraksion turistik, ndërsa për opozitën, çështjet mjedisore janë larg të qënit një prioritet.

Po, ndërsa debati mbi mjedisin gëzon ende një liri relative, duke mbetur jashtë spekulimeve, që mund të prodhojë përfshirja e tij në territorin e politikës aktive, në mënyrë ironike, shpërfillja po ushqen indiferencë publike.

Trajtimi i habitateve si njësi të ndara e jo si të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe aksioni i organizatave të shoqërisë civile në shërbim të një numri të vogël individësh e jo solidarë mes tyre, mund të prodhojë dëshpërim dhe zhgënjim të mëtejshëm në radhët e komunitetit, çka i ekspozon burimet natyrore përpara shfrytëzimit të pakontrolluar dhe agresionit kapitalist.

Shqetësimet mjedisore kërkojnë një trajtim shkencor e racional, por nga vetë natyra e tyre, përsa kohë, që mjedisi u takon të gjithëve, pra që çdokush ka të drejtë të përfitojë, çështjet mjedisore nuk mund të zgjidhen pa gjithpërfshirje.

Muajt e fundit, po vihet re një tkurrje e reagimeve kolektive në mbrojtje të tij. Për këtë ka disa faktorë.

Qeveria e paraqet mjedisin si aset turistik. Udhëtimet e ministrit Klosi në fundjavë, nëpër plazhe të ndotura, në ferma të sapoinaguruara agroturistike dhe fjalimet e tij nëpër auditore të përzgjedhura universitetesh, ilustrojnë në mënyrë shembullore këtë taktikë. Foto, video dhe pamje nga droni, ushqejnë mediat dhe televizionet me një produkt të parapërgatitur në zyrën e PR.

Por, askush nuk flet për numrin e lejeve, për autorizimet apo projektet zhvillimore, që miratohen në heshtje; incentivat e vazhdueshme ligjore dhe modifikimet e procedurave në favor të bizneseve dhe të koorporatave.

Banor i Dibrës duke protestuar kundër HEC-eve përpara Kryeministrisë. Tiranë. Korrik 2019.

Një faktor tjetër ka të bëjë me faktin, se degradimi i mjedisit ndodh në një fazë të mëvonshme, shumë kohë pas shfrytëzimit të tij. Kjo cilësi shfrytëzohet me efikasitet, natyrisht në dëm të mjedisit, nga qeveritë, që janë të prirura për të marrë fitime të mëdha në një kohë të shkurtër.

Shfrytëzimi i burimeve natyrore i ngjan euforisë në pikun e lulëzimit të piramidave financiare në Shqipërinë postkomuniste, ku sasia e parave që përfitonte secili qytetar ishte më e madhe sesa shuma, që gjithsecili prej tyre depozitonte. Përsa kohë që kjo ndodhte, skema funksiononte pozitivisht. Për analogji me mjedisin, sot po ndodh e njëjta gjë! Kështu, në rastin e të mirave publike, që burojnë nga përdorimi i mjedisit (pyjet, uji, plazhet etj), qeveria po e administron atë në mënyrë të tillë, që përfitimi i gjithsecilit të jetë i shpejtë dhe me kosto sa më të ulët.

Për ta bërë më të thjeshtë, ndërtimi i kontrolluar i hidrocentraleve na shpëton nga errësira, pasi na furnizon me energji të vazhdueshme ose prerja e kontrolluar e pyjeve, na ngroh në dimër. Me një fjalë, kur përdorimi i pasurive natyrore bëhet në mënyrë racionale, përfitimet e secilit anëtar të shoqërisë janë më të larta, sesa kostot e gjithsecilit prej tyre. Por, nëse koncesionojmë çdo rrjedhë ujore, duke ndërtuar një numër ekstrem digash, ne mund të dëmtojmë përgjithmonë ekosistemet lumore, ndërsa prerja masive e pyjeve mund të shpyllëzojë tërë territorin e vendit. Dhe në këtë rast, kostoja që do të paguajë qytetari, do të jetë më e lartë sesa përfitimi.

Media është një tjetër instrument për të luftuar indiferencën publike. Por, media duhet të jetë e pavarur, veçanërisht prej grupeve të tjera të interesit: bizneset, konsorciumet, fondet financiare të investimeve, etj. Në Shqipëri media i përket, kryesisht industrialistëve, të njëjtët që zotërojnë kompani dhe biznese, që shfrytëzojnë burimet natyrore për lëndë të parë. Kështu, krahas këtyre pasurive, ata blejnë informacionin dhe paguajnë gazetarë.

Përfaqësues të Shoqatës “Toka” në mbrojtje të Lumit Valona. Parku Rinia, Tiranë. Dhjetor 2017.

Kriza politike ka përfshirë Kuvendin dhe Presidencën. Prej muajsh, njerëzit po protestojnë në rrugë. Ata kërkojnë një qeveri të pakorruptuar dhe ndërshkimin e atyre, që po grabisin pasurinë publike. Njerëzit janë ngritur kundër varfërisë dhe kundër një grupi të ngushtë përfituesish.

Po, nëse ngrihemi për mjedisin, në thelb, a nuk ngrihemi kundër korrupsionit, kundër keqqeverisjes dhe kundër një pakice përfituese të quajtur oligarkë? Në fund, a nuk është mjedisi politikë? Përgjigja qëndron brenda retorikës. Po! Mjedisi është politikë, sepse prapa krizës politike fshihet gara për të kontrolluar burimet dhe interesat e një grupi të ngushtë përfituesish. Për të realizuar këto interesa ata korruptojnë politikanë, duke ndarë mes tyre fitimet.

Publiku duhet ta ketë të qartë, se prapa qindra kontratave koncesionare për ndërtimin e impianteve nga burimet hidrike, prapa lejeve mjedisore, prapa zyrave inxhinierike të projekteve teknike, prapa fasadës të së ashtuquajturës “energji e rinovueshme”, fshihen me qindra kompani të tjera, të padukshme, të prodhimit të betonit, të shfrytëzimit të karrierave, të inerteve lumore dhe tubave të çelikut.

Për të patur një ide konkrete, vetëm gjatë zbatimit të një kontrate koncesionare të ndërtimit të dy prej hidrocentraleve të vegjël në Kaskadën e Valbonës, brenda Parkut Kombëtar, janë hedhur rreth 35,000 m3 beton, pa llogaritur sasinë e dheut të gërmuar dhe zhavorrin e përdorur gjatë punimeve civile. Po në qindra hidrocentrale, sa volum beton mund të derdhet?

Është pikërisht përmbushja e interesave të ngushta financiare dhe joshja për fitime, që nxit segmentimin e rrjedhave ujore, që koncesionon lumenjtë, ende pa u miratuar planet e baseneve, që po shfaros pyjet e larta dhe po ndot masivisht zonat urbane. Njësoj si atëherë në periudhën e skemave piramidale financiare, ku rritja e pakontrolluar e përqindjeve i rrëzoi ato dhe shkaktoi humbjen e kursimeve të qytetarëve, ashtu edhe sot, kjo mënyrë e pakontrolluar zhvillimi dhe mbipërdorimi të burimeve natyrore, rrezikon të rrëzojë mjedisin.

Dhe shfrytëzimi i mjedisit është një shpenzim i pritshëm, që herët apo vonë, do të paguhet nga të gjithë.

Pyjet e prera të Lurës. Lurë. Shtator 2017.

Rreth dhjetë vite të shkuara, kur qeveria e atëhershme shqiptare, e nxitur prej Bankës Botërore, shpalli plot entuziazëm vizionin “Shqipëria, një mini superfuqi energjitike në Ballkanin Perëndimor”, borxhi publik ishte pak më i lartë, sesa gjysma e Produktit të Përgjithshëm Kombëtar (PPB). Kur qeveritë u ndërruan, presioni ndaj mjedisit mbeti po njësoj, por sot borxhi publik është rritur me rreth 70% të GDP-së. Volumi kombëtar i pyjeve është zvogëluar dhe ujërat janë akoma më të ndotur. Konfliktet sociale mes grupeve të interesit janë rritur dhe rezidentët lokalë, po kundërshtojnë vendimmarrjen mjedisore.

Në përfundim, mjedisi është një potencial ekonomik dhe çështjet mjedisore, si shkalla e përdorimit të burimeve, kush i shfrytëzon, apo se si duhen konservuar, mbeten çështje e të gjithë bashkësisë. Të ngrihesh kundër politikanëve të korruptuar, kundër keqqeverisjes, të protestosh në emër të demokracisë, është diçka, por të ngrihesh sot për mjedisin është gjithçka! Sepse në themel të emergjencës mjedisore qëndron korrupsioni, një rreth i ngushtë përfituesish dhe varfëria ekonomike e shqiptarëve të sotëm e të nesërm.

Shterimi i burimeve shkon përtej çdo ideologjie apo konflikti, që kjo e fundit mund të prodhojë.

Në mënyrë, që të pengojmë ndryshimin e pakthyeshëm të mjedisit, le të ndryshojnë, së pari veten tonë, drejt një vetëdijeje të re kolektive, mjedisore dhe politike bashkë, për një mjedis në të tashmen dhe në të ardhmen.

Ky është një aksion i ri, i ngutshëm dhe i domosdoshëm!