9 korrik 2019/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat/Klos
Zonat rurale vijojnë të jenë problematike sa i përket shërbimit të pastrimit nga ana e pushtetit vendor. Fshatrat janë të ndotur për shkak të hedhjes pa kriter të mbeturinave, të konsumit të përditshëm nga banorët. Nga një vëzhgim i bërë nga Porta Vendore, në Bashkitë Mat e Klos rezulton se shumë fshatra janë pa shërbimin e pastrimit, duke mos pasur kontejnerë. Situatë problematike në këtë drejtim është në fshatrat e njësive të thella malore, por nuk janë përjashtuar as njësitë administrative afër qyteteve të Burrelit e Klosit.
Nga të dhënat zyrtare të siguruara nga Porta Vendore rezulton se në Bashkinë Klos vetëm në 30% e territorit ofrohet shërbimi i grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave. Kjo Bashki mbulon me këtë shërbim pothuajse të gjithë fshatrat që kanë rrugë të asfaltuara, që përgjithësisht janë në njësinë Administrative Klos. Ajo që vihet re është se në këto fshatra janë vendosur kontejnerë vetëm në qendër të tyre, por për shumë familje ato janë shumë larg banesave duke bërë që të mos shfrytëzohen ashtu siç duhet. Një shembull i ngjashëm është ai i vendosur në qendër të fshatit Suç të Bashkisë së Klosit. Kontejneri është i vendosur pranë gjimnazit, por shtrirja gjeografike e fshatit është shumë e madhe dhe bën që ai të mos shfrytëzohet nga më shumë se 20% e banorëve të këtij fshati. Mexhit Lela, i cili banon në afërsi të lumit Mat në Suç i duhet t’i mbajë mbeturinat rreth 2 kilometra për t’i dërguar tek kontejneri në qendër të fshatit, por ai thotë se e ka të pamundur ta bëjë çdo ditë këtë.

“Unë e kam 2 kilometra larg koshin e mbeturinave që ka vendosur bashkia atje te shkolla. Si mund t’i çoj unë atje çdo ditë? Është e pamundur, pasi është shumë larg. Unë nuk po them që bashkia të na vendosë për çdo shtëpi nga një kontejner, por të paktën ta kemi afër. Askush nuk dëshiron ta ndotë ambientin pasi ne të gjithë aty jetojmë, por s’kemi ç’të bëjmë. Jemi të detyruar që t’i hedhim në përrua, edhe pse jemi të vetëdijshëm që shkaktohet ndotje. Mendoj që bashkia duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim”, tha Mexhiti për Portën Vendore.

Situatë krejt tjetër është në njësinë Administrative Xibër në të cilën nuk është vendosur asnjë kontejner. Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Klos e lidhin këtë me mungesën e rrugës së asfaltuar. Edhe njësia Gurrë mbulohet jo më shumë se 30% me shërbimin e grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave. Kjo njësi ka vetëm rrugën kryesore të asfaltuar, e cila përfshin fshatin Shul–Batërr, Rripë dhe një pjesë të fshatit Gurrë e Vogël. Ndërsa kontejnerët e vendosur përgjatë kësaj rruge shfrytëzohen shumë pak, për shkak të largësisë së madhe nga banesat.
Në Bashkinë e Klosit buxheti i këtij viti për shërbimin e pastrimit është rreth 4 milionë lekë të rinj. Bashkia e Klosit e ka ndarë këtë buxhet në dy zëra, ku për pastrimin e tërheqjen e mbeturinave në qytet janë miratuar nga Këshilli Bashkiak 3,176,043 lekë dhe për fshatrat 1,000,000 lekë. Për Kryetarin e Bashkisë Klos, Basir Çupa problemi i pastrimit të territorit apo ofrimi i këtij shërbimi tek çdo banor është i pamundur, pasi ka një kosto të madhe, e cila nuk mund të mbulohet nga buxheti i bashkisë.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Klos, Albert Çollaku thotë se kaq janë kapacitetet e bashkisë për këtë shërbim, pasi infrastruktura nuk e lejon një gjë të tillë, për shkak të terrenit të thyer.
“Ne kemi arritur në mënyrë progresive të rritim buxhetin e menaxhimit të mbeturinave, pasi buxheti është i vogël për të ofruar një shërbim gjithëpërfshirës. Jemi përqendruar në fshatrat dhe zonat ku ka rrugë të asfaltuara, pasi edhe mjetet e posaçme nuk mund të futen në rrugë rurale. Duke qenë se kemi një terren tepër të thyer, sidomos në Njësinë Administrative Xibër, sipërfaqja totale e mbulimit me këtë shërbim është afro 30%. Buxhetin e kemi në rritje nga viti në vit, megjithëse me vlera të vogla. Tashmë për fshatrat, buxheti i këtij viti është rritur afro me 40%, megjithëse ende ka punë për t’u bërë. Është e vërtetë që banorët e mirëpresin shërbimin e pastrimit dhe shumë prej tyre janë ndërgjegjësuar. Në zonat rurale i tërheqim mbeturinat 2 apo 3 herë në javë në varësi të nevojës. Më parë këtë shërbim e përfitonte vetëm qyteti i Klosit, ndërsa vitet e fundit e kemi futur edhe në fshatra, kryesisht ku popullsia është më e dendur. Është e pamundur, që edhe pse disa janë fshatra fushor shërbimin ta shtrijmë në lagje, kjo për shkak edhe se rrugët e asfaltuara shkojnë deri në qendër të fshatit”, tha drejtori Çollaku.
Situatë tjetër është në Bashkinë e Matit. Aktualisht të dhënat zyrtare të siguruara nga Drejtoria e Shërbimeve pranë kësaj Bashkie, rezulton se në afro 70% të territorit ofrohet shërbimi në bazë të numrit të popullsisë. Burime pranë kësaj drejtorie thanë se shpërndarja e kontejnerëve bëhet në bazë të numrit të popullsisë dhe jo në bazë të sipërfaqes territoriale. Kështu, njësia Administrative Burrel mbulohet 100% me këtë shërbim, ndërsa njësitë e tjera variojnë nga 30% deri në 50%. Edhe në këtë bashki janë dy njësi që nuk mbulohen fare, si Njësia Macukull dhe Njësia Derjan. Në të dy këto njësi, me vendim të këshillit bashkiak, banorët janë përjashtuar nga taksa vendore e pastrimit. Në njësinë Administrative Ulëz, shërbimi nuk ofrohet vetëm në fshatin Stojan, për shkak se është larg rrugës nacionale dhe nuk ka rrugë të asfaltuar. Në qytezën e Ulzës dhe në fshatin Bushkash janë disa kontejnerë. Në Njësinë Administrative Baz, fshatrat e pambuluar janë Drita, Rrethe Baz dhe Fushë Baz. Ndërsa në qendrat e fshatrave Karicë dhe Baz, ku dhe përqendrohet numri më i madh i banorëve, ka kontejnerë. Në Njësinë Komsi, kontejnerë ka të vendosur në fshatin Komsi, Muzhakë, Fshatin Burrel, fshatin Shoshaj e Zall-Shoshaj. I pambuluar në këtë NjA mbetet fshati Frankth, edhe këtu për mungesë të rrugës së asfaltuar. Në NjA Lis, fshatrat e mbuluar në qendër të tyre më shërbimin e pastrimit janë Zenishti me disa kontejnerë, Burgajeti, Lisi dhe Mallunxa. Në NjA, Rukaj, fshati Urakë është i mbuluar pjesërisht, pavarësisht se janë vendosur kontejnerë përgjatë rrugës dhe në qendër të fshatit. Shtrirja e madhe gjeografike e bën të papërfillshëm mbulimin këtu. Në fshatin Bruç, kontejnerët janë vendosur vetëm në qendër, pranë shkollës. Fshatrat problematikë për mungesë kontejnerësh mbeten, Laç, Kodër-Laç, Rukaj dhe Rremull.
Fondi që Bashkia Mat ka akorduar këtë vit për pastrimin e tërheqjen e mbeturinave në të gjithë territorin është rreth 21 milionë lekë të rinj. Pastrimi në zonat urbane në të dy bashkitë bëhet i përditshëm, ndërsa në zonat rurale tërheqja e mbeturinave bëhet dy ose tri herë në javë, në varësi të numrit shfrytëzimit të kontejnerëve dhe numrit të banorëve të përqendruar në zonë. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat, Shaban Lleshi shprehet se shpërndarja e kontejnerëve në zona është bërë mbi bazën e numrit të popullsisë dhe jo sipërfaqes.
“Ne e kemi përqendruar shërbimin e pastrimit aty ku ka numër më të madh banorësh. Pavarësisht se bashkia ka një shtrirje të madhe territoriale, kontejnerët janë vendosur ku ka rrugë të asfaltuar. Në fshatrat ku është infrastruktura e duhur, kontejnerët janë vendosur në bazë të numrit të banorëve. Psh. në fshatin Urakë janë vendosur katër apo pesë kontejnerë, pasi zona është e populluar dhe infrastruktura është normale për mjetin që i tërheq. E njëjta gjë ndodh edhe në fshatrat Muzhakë e Komsi. Edhe në këto fshatra popullsia është e grumbulluar. Në qytezën e Ulzës shërbimi është më i gjerë, pasi ajo futet tek zonat urbane. Ndonëse kemi bërë goxha përmirësim në këtë drejtim, ende ka vend për përmirësim, por kjo do të varet gjithmonë nga krijimi i infrastrukturës rrugore. Ajo që kemi bërë ne si bashki në bashkëpunim me këshillin bashkiak është që kemi hequr taksën e pastrimit në njësitë ku nuk ofrohet ky shërbim, siç është Njësia Administrative Macukull dhe ajo Derjan”, tha Lleshi për Portën Vendore.

Ndryshe nga çfarë mendohet dhe shikohet, zonat rurale janë ndërgjegjësuar me vendosjen e kontejnerëve. Nga një vëzhgim i bërë në disa zona, vihet re shfrytëzimi në maksimum i kontejnerëve të vendosur. Ata janë të mbushur plot dhe tregojnë që banorët e duan mjedisin dhe e ruajnë atë. Kontejnerët e vendosur nga Bashkia Mat në fshatrat Shoshaj e Mallunxë, janë të tejmbushur dhe presin tërheqjen nga firma e kontraktuar nga Bashkia e Matit.

Rreth autorit:
Dritan Kurti ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.