22 qershor 2019 / Artin Halili / Porta Vendore / Pogradec
Godina e shkollës së parë në Pogradec, pavarësisht disa përpjekjeve, është lënë në harresë nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që mund të funksiononte si një muze arsimi për pogradecarët dhe artdashësit shqiptarë e të huaj.
Shkolla e parë shqipe e Pogradecit, e hapur më 14 mars të vitit 1887, sot shërben si një shtëpi banimi për një familje pogradecare, e cila mendohet ta kenë blerë nga ish pronarët e saj. Kur kalon në rrugicën e saj, në fakt nuk ka asnjë shenjë dalluese. Vetëm këtë vit pritet që Bashkia Pogradec të organizojë një simpozium në kuadër të kësaj shkolle, por edhe ky aktivitet pritet të mbahet në sallën e këshillit bashkiak, dhe jo te vetë ish-godina e shkollës.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë Pogradec, Avdulla Cano, nga Bashkia Pogradec kanë nisur edhe përpjekjet e para për ta rikthyer Muzeun e Arsimit të Pogradecit, ashtu sikurse ishte në vitin 1987, kur shënoi dhe 100 vjetorin e tij, si një pikë turistike e të vizitueshme nga të gjithë. “Kemi nisur prej disa kohësh bisedimet me pronarët ekzistues për kalimin e pronësisë së godinës për Bashkinë, por për këtë na duhet një fond, i cili do të shërbejë për blerjen e godinës. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për të siguruar fondet në mënyrë që ta realizojmë këtë gjë. Jemi të bindur se kjo është një mungesë e veçantë për Pogradecin dhe duhet që medoemos t’ua rikthejmë atë muze të dijes pogradecarëve”, tregon Avdulla Cano.
Edhe ish drejtori i Pallatit të Kulturës ‘Lasgush Poradeci’, Budjon Xhelo, e dënon me forcë faktin që sot pushteti vendor nuk ka bërë aq sa duhet për të rikthyer Muzeun e Arsimit ashtu si edhe shtëpinë e Lasgushit. “Qyteti është indiferent ndaj shkollës së parë shqipe dhe Lasgushit. Përse? Sepse niveli kulturor ka rënë shumë, sepse njerëzit në përditshmëri merren me hallet e vogla të jetës, merren me budallallëqet e përditshme dhe jo me arsimin dhe kulturën. Janë shterpë dhe nuk lexojnë. Një qytet si Pogradeci me dy emra të mëdhenj të letërsisë, sot në gjendje të mjerueshme kulturore, artistike dhe arsimore. E kujt do i bjerë ndërmend për shkollën dhe Lasgushin? Qeverisë? E ka për detyrë Bashkia dhe Ministria e Kulturës t’i ringrejë ato, që ne të krenohemi me njerëzit e mëdhenj dhe muzeun tonë arsimor, ose mosrealizimi i tyre do jenë turpi më i madh për këtë bashki dhe ministri”, përfundon Xhelo për Portën Vendore.
Rihapjen e muzeut e premtoi më shumë se 1 vit më parë edhe ish Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në një vizitë që zhvilloi në Pogradec, ku pohoi asokohe se jo vetëm godina e shkollës shqipe, por edhe banesat e dy korifenjve shqiptarë, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit do të rihapen si muze për qytetin, por që prej asaj kohe asgjë konkrete nuk është bërë në këtë drejtim dhe qytetarët presin që Muzeu i Arsimit dhe banesa e Lasgush Poradecit t’iu rikthehen atyre dhe jetës kulturore, e deri në atë ditë, ato do vazhdojnë të ‘heshtin’, duke mos përcjellë historinë dhe kulturën e tyre te brezat e rinj.
Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.