Ndodhi

Rrëzohet në shkallë të parë padia e Bankës së Shqipërisë, detyrohet të japë informacion mbi investimet e huaja

21 qershor 2019/ Diana Malaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar tërësisht kërkesë padinë e Bankës së Shqipërisë e cila refuzonte të jepte informacion publik me arsyetimin që të dhënat statistikore mbi investimet e huaja janë të dhëna konfidenciale.

Në maj të këtij viti Gjykata Administrative e Shkallës së Parë doli me një tjetër vendim, që favorizon të drejtën për informim për dokumentet publike, duke rritur kështu standardin e transparencës së institucioneve shtetërore.

Rruga administrative

Në vitin 2017, qendra Res Publica i drejtohet Bankës së Shqipërisë me kërkesën për informacion dhe vënien në dispozicion të dokumentacionit mbi kopjen e listës së kompanive dhe investimeve të tyre të cilat janë marrë si bazë për raportin “Investimet e huaja direkte; përshkrim metodologjik dhe informacion statistikor për vitin 2015”.

Në vijim të kësaj kërkese Banka e Shqipërisë refuzoi dhënien e informacionit të kërkuar, me argumentin se në bazë të ligjit nr. 9180, dt. 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare” dhe kodit të praktikave për Statistikat të Bankës së Shqipërisë, informacioni objekt kërkese është konfidencial dhe nuk duhet të vihet kurrsesi në dispozicion të palëve të treta, qofshin këto institucione publike apo entitete private të natyrave të ndryshme.

Qendra Res Publica, pas refuzimit të dhënies së informacionit, ka depozituar ankesën pranë Komisionerit për të Drejtën e informimit, i cili ka urdhëruar kryerjen e inspektimit administrativ për verifikimin e ankesës. Pasi është zhvilluar edhe një seancë dëgjimore mes palëve, Komisioneri ka vendosur që të pranojë ankimin e Qendrës Res Publica kundër autoritetit publik Banka e Shqipërisë, dhe ka urdhëruar që të vërë në dispozicion të gjithë materialin në lidhje me listën e kompanive dhe investimeve të tyre në Shqipëri.

Procesi gjyqësor

Banka e Shqipërisë, duke mospranuar vendimin e Komisionerit vendosi që t’i drejtohet gjykatës duke kërkuar shfuqizimin tërësisht të vendimit të Komisionerit si dhe sigurimin e padisë duke pezulluar efektet e këtij akti deri në përfundim të gjykimit.

Gjykata Administrative, fillimisht e çmoi të rëndësishme pranimin e kërkesës së Bankës pë sigurimin e padisë duke argumentuar se, nëse gjykata do të refuzonte marrjen e masës së sigurimit të padisë, atëherë pala paditëse (Banka e Shqipërisë) do të detyrohej të jepte informacionin e kërkuar, si rrjedhojë vendimi përfundimtar i gjykatës do të ishte i paefektshëm dhe çështja do të ishte e paragjykuar dhe e paravendosur.

Pas këtij vendimi, çështja është shqyrtuar në themel dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë është vënë përballë vlerësimit nëse informacioni mbi listën e kompanive të huaja dhe investimeve të tyre është konfidencial apo jo.

Sipas pretendimeve të Bankës së Shqipërisë dhe interpretimit që i bëjnë ligjit për statistikat argumentojnë se të dhënat e mbledhura të përpunuara dhe të ruajtura për nxjerrjen e statistikave zyrtare janë konfidenciale dhe duhet të ruhet sekreti profesional.

Kundër pretendimit të Bankës së Shqipërisë, që të dhënat e mbledhura ishin konfidenciale dhe ruhen nga sekreti profesional, Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka argumentuar se Kodi i praktikave për Statistikat e Bankës së Shqipërisë udhëhiqet nga parimet e transparencës dhe i jep përparësi dhënies së informacionit statistikor për publikun, me qëllim promovimin e barazisë së të drejtave për marrjen e informacionit.

Gjatë shqyrtimit dhe analizës së fakteve, Gjykata arriti në përfundimin se Banka e Shqipërisë nuk mundi të provojë se informacioni i mohuar ishte konfidencial, për shkak se nuk paraqiti asnjë kopje kontrate dhe as ekstrakte të tyre, që presupozohej të ishin lidhur me kompanitë e huaja. Në këto kushte, Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë tërësisht padinë e Bankës, të heqë masën e sigurimit të padisë dhe të urdhërojë Bankën e Shqipërisë për të dhënë informacionin mbi kompanitë dhe investimet e huaja.

Lidhur me rëndësinë e kësaj fitoreje, Av. Dorian Matlija, përfaqësuesi Qendrës “Res Publica” u shpreh: “Ky ishte një rast tjetër i fitores ndaj mohimit arbitrar të informacionit nën petkun e “konfidencialitetit”, që po keqpërdoret nga institucionet. Tashmë, po konsolidojmë një praktikë të mirë gjyqësore për të lënë sa më pak hapësirë për abuzim në të ardhmen”, përfundoi avokati.

Kjo fitore gjyqësore ka arritur të unifikojë qëndrimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Gjykatës dhe qytetarit, duke garantuar edhe njëherë të drejtën për informim mbi të dhëna me interes të lartë publik, si një mënyrë për të vënë përpara përgjegjësisë dhe llogaridhënies institucionet shtetërore.

Rreth autorit:
Diana Malaj është aktiviste e grupit rinor ATA në Kamëz dhe gazetare pranë gazetës lokale www.nyje.al