21 qershor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Në datë 17 qershor 2019, gjykata administrative e shkallës së parë Tiranë, vendosi rrëzimin e plotë të padisë, pavarësisht se pranoi legjitimimin e banorëve dhe shoqatës AKIP, duke ju njohur të drejtën që t’i drejtohen gjykatës për çështje mjedisore. Megjithatë banorët do të vijojnë të vendosur për moslejimin e inceneratorit.
Gjykata argumentoi se të dyja dokumentet e miratuara nga institucionet shtetërore janë marrë në zbatim të duhur të ligjit. Për miratimin e Deklaratës Mjedisore, paditësit paraqitën prova konkrete për shkelje të procedurës së konsultimit me publikun dhe për moszhvillim real të këtij procesi, por vetëm një takim formal, takim gjatë të cilit banorët nuk morën asnjë informacion përmbajtësor, lidhur me objektin që do të ndërtohej, megjithëse kjo përbën një kusht thelbësor sipas parashikimit të ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Shkeljet që u anashkaluan nga gjykata lidhur me lejen e ndërtimit janë edhe më të rënda, pasi pretendoi që nga ana e paditësave nuk u arrit të provohej që toka ku po ndërtohet inceneratori është aktualisht tokë bujqësore. Në fakt, provat në mbështetje të këtij pretendimi ishin të shumta, duke përfshirë edhe një Kartelë Pasurie të muajit mars 2019, ku toka vazhdon të jetë tokë bujqësore. Aktualisht po ndërtohet një incenerator dhe landfill, në një tokë bujqësore të kategorisë së tretë të bonitetit, pavarësisht se ligji e ndalon një ndërtim të tillë në mënyrë absolute, dhe nuk parashikon asnjë përjashtim për këtë lloj ndërtimi.
Rreth dy muaj më parë, eksperti i pavarur Romeo Nazarko, shpalosi në gjykatë ekspertizën e tij prej 20 faqesh, ku rezultonte se “Nga matja në terren, sipërfaqja objekt gjykimi në raport me koordinatat e përcaktuara në deklaratën mjedisore ka një mospërputhje”. Kjo mendohej të ishte një pikë kthese për zhvillimet që do të vinin më pas, kjo lidhur edhe me vendimin e gjykatës por mesa duket as kjo provë nuk ka mundur dot të jetë përkrah banorëve të Vërrisë dhe shoqatës AKEP, të cilët kundërshtojnë fort ndërtimin e inceneratorit në zonën e tyre.
Banorët janë të zhgënjyer nga vendimi që mori gjykata administrative e shkallës së parë vetëm 4 ditë më parë, por përsëri nuk do të dorëzohen.
“Vendimi është i padrejtë, kjo për shumë arsye. Ajo është tokë bujqësore dhe është e shkruar e zeza mbi të bardhë, distanca gjithashtu është shumë e afërt me banesat, konsultimi publik me banorët nuk është realizuar dhe koordinatat kanë rezultuar të gabuara, këto janë prova shumë të mëdha për ne, por për fat të keq gjykata nuk i mori në konsideratë”, tha Keli Ngolemi, një prej banorëve të fshatit Vërri.
Klinika e Ligjit Durrës ka përfaqësuar 9 banorë të fshatit Vërri dhe shoqatën AKIP, në çështjen gjyqësore për kundërshtimin e deklaratës mjedisore dhe lejes së ndërtimit, për inceneratorin dhe landfillin, që po ndërtohen në fshatin Vërri të Fierit. Padia është depozituar në dhjetor të vitit 2018.
“Klinika e Ligjit nuk do të dorëzohet në betejën ligjore të banorëve dhe do të vazhdojë përfaqësimin e tyre, duke hartuar dhe depozituar ankimimin e vendimit pranë Gjykatës së Apelit Administrativ. Për shkak të rëndësisë strategjike kombëtare që ka ky projekt dhe pasojave të parikuperueshme në rast se ndërtimi përfundohet, Gjykatës së Apelit do t’i paraqitet edhe një kërkesë për përshpejtim të marrjes në shqyrtim të çështjes gjyqësore”, tha për Portën Vendore, Dorina Ndreka, përfaqësuese e Klinikës Ligjore Durrës.
Në të njëjtën sintoni janë edhe banorët, që zotohen se nuk do të dorëzohen para një vendimi të tillë, megjithëse ky për ta është një moment i vështirë i trazirave në vend e nuk do të donin që kjo çështje të kalohej si pa të keq, duke mos u pasqyruar dot edhe nga media.
Banorët më herët , që në kohën që u tentua fillimi u punimeve, në 2017 kanë bërë një peticion ku është protokolluar pranë Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, KLSH, Avokatit të Popullit, AKM, dhe Bashkisë Fier, por ky peticion i ndaloi punimet vetëm gjatë zgjedhjeve të 2017-ës në zonë, e më pas në dhjetor të po atij viti KKT (Këshilli Kombëtar i Territorit) dha leje për nisjen e punimeve, të cilat me dhunë policore dhe larg vullnetit të banorëve nisën në janar të vitit 2018.