17 qershor 2019/ Agim Blloshmi/ Porta Vendore/ Librazhd
Ndërtimi i HEC –Rrapun 1,2,3,4, rrezikon të shembë urën për shkak të shkarkimeve të digës së këtyre HEC-eve. Nga kjo shembje, banorët e Kuturmanit dhe Marinajt të Njësisë Administrative Qendër mund të mbeten pa komunikim. Urë është ndërtuar që në vitin 1993, dhe që në vitin 2014 për të ka lindur dhe një konflikt mes Bashkisë Librazhd dhe kompanisë që po zhvillon koncesionin për HEC-et. Bashkia i kërkon kompanisë “C & S ENERGY” rreth 11 milionë lekë për dëmin e shkaktuar.
Kuturmani është një nga fshatrat më të mëdhenj të Bashkisë së Librazhdit, i ndodhur në Njësinë Administrative Qendër. Fshati ka një popullsi mbi dy mijë banorë, i mbushur me histori, traditë, kulturë, mikpritje, madje njihet edhe si fshati i ish-Kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu.
Një fshat që ka 2000 ha zonë të mbrojtur, nga Lumi Rrapun deri në Malin e Zgarës. Një fshat me prodhimtari të lartë produktesh bujqësore, blegtorale, me një frutikulturë e vreshtari të pasur. Prej vitesh udhëtimi për në fshat bëhej në këmbë përmes lumit Rrapun. Prej kërkesave në rritje nga ana e banorëve për ndërtimin e një ure, në vitin 1993 u arrit të ndërtohej një urë me beton dhe u shtrua rruga me asfalt deri ne qendër të fshatit, kështu që edhe komunikimi me qytetin u lehtësua.
Mirëpo, shkarkimet e Digës së HEC-3 dhe 4 në Rrapun rrezikojnë shembjen e urës së Rrapunit, e cila lidh fshatrat Kuturman dhe Marinaj me daljen në aksin kryesor të qytetit. Ajo është një urë e gjatë mbi 113 metra, dhe me nëntë këmbë të forta betoni, kjo për shkak të furisë së rrëmbyeshme të prurjeve të Lumit Rrapun, që rrjedh që nga Malësia e Çermenikës, e derdhet në Shkumbin e më pas në Adriatik.
Shkarkimet pa kriter dhe të pa kontrolluara të ujit të HEC, bëjnë që ura të rrezikojë seriozisht shembjen e saj, duke bllokuar kështu dy mijë banorë.

Problemet e banorëve për urën filluan pikërisht me ndërtimin e HEC Rrapun “1, 2, 3, 3A dhe 4”. Ata e kundërshtuan disa herë ndërtimin e tij, madje u organizuan edhe disa protesta, pasi projekti i HEC ka qenë me kanal, më pas u bë më digë dhe tunel, pa përmendur rrezikun e zhdukjes së florës dhe faunës. “Ne jemi shumë të rrezikuar, prej vitesh kërkojmë që të ndërhyhet por asgjë deri tani, madje as që jemi pyetur nga koncesionari për ndërtimin e këtij HEC-i”, thotë Fadil Gjura, banor i zonës.
Banorët mbështeten edhe nga Bashkia. Sipas specialistëve të Bashkisë Librazhd, shkarkimet pa kriter dhe të pa kontrolluara kanë bërë që ura të “shkundet” nga themelet dhe është gati në rrëzim. Me ankesat e njëpasnjëshme të banorëve, Bashkia Librazhd ngriti një grup pune për të parë nga afër situatën. “Jemi njohur si bashki për këtë problem që në fund të vitit 2017 pasi bëmë konstatimin e dëmtimit të këmbëve të urës Rrapun që lidh fshatrat Kuturman dhe Marinaj, nga verifikimi i specialistëve rezulton se kjo ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të hapjes së portave të HEC “Rrapun 3 dhe 4” nga “C & S ENERGY” , sqaron për Portën Vendore, kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra.

Kryebashkiaku Kastriot Gurra tha se janë konsumuar të gjitha hapësirat dhe kërkesat ligjore, por subjekti nuk ka dashur t’u përgjigjet shkresave zyrtare të dërguara nga ana e bashkisë. “I jemi drejtuar me shkresë zyrtare subjektit, për riparimin e të dy urave, jo vetëm të Kuturmanit, por edhe asaj të Togëzit, kthimin në gjendjen fillestare dhe dëmshpërblimin. Subjekti nuk e pranon këtë shkaktim dëmi s,i dhe nuk ka bërë asnjë përpjeke për ta riparuar, ose të bëjë kthimin në gjendjen e mëparshme për kalimin e banorëve në Marinaj dhe Kuturman. Pas njoftimeve të here pas hershme, jemi detyruar për të bërë një padi ndaj subjektit që ushtron aktivitet në këtë zonë. Sot jemi në proces gjyqësor për të detyruar këtë subjekt që të bëjë riparimet e rikonstruksionin e urave”, tha inxhinieri Bashkim Murraci.

Sipas informacione dhe dokumentacionit që Porta Vendore disponon, rezulton se Bashkia Librazhdit, ka bërë padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan më 23.5.2018, për dëmin që është shkaktuar nga firma koncesionare “C&S ENERGY”. Bashkia i kërkon Kompanisë “C & S ENERGY”, 11 068 119 lekë për dëmin e shkaktuar. Konflikti ka filluar që në 19 shkurt 2014, ku ekziston edhe një kontratë e lidhur midis ish-Komunës Qendër dhe përfaqësuesit të Kompanisë për të rikonstruktuar urën, por deri me sot nuk ka patur as një reagim.
Ndërsa Porta Vendore kërkoi informacion edhe tek kompania, por kjo e fundit nuk dha një koment në lidhje me këtë situatë.
Rreth autorit:
Agim Blloshmi është korrespondent i ABC News në Qarkun e Elbasanit.