10 qershor 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Skrapar
Veç rakisë cilësore, mishi dhe produktet e qumështit janë markat që i shtojnë vlerat zonës së Skraparit. Pas Beratit historik, Skrapari është destinacioni i vizitorëve të huaj dhe vendas që veç bukurisë së zonës malore, me Tomorin hijerëndë, tërhiqen nga cilësia e produkteve bio. Zona e Skraparit është e njohur në të gjithë vendin për mbarështimin e blegtorisë së imët, si dele e dhi dhe për një cilësi tepër të lartë të produkteve të tyre. Por, ndërsa të gjithë rendim për të shijuar mishin e Skraparit, apo produktet e qumështit, prej më shumë se 20 muajsh në Bashkinë Skrapar nuk ka të regjistruar një dyqan, apo treg për tregtimin e mishit. Gjithçka tregtohet në të zezë, ndërkohë që bashkia nuk ushtron dot kontrollet veterinare në të gjitha njësitë administrative në mënyrë periodike.
Ky fakt u mësua gjatë një takimi, ku blegtorë të zonës së Skraparit, biznese vendase të tregtimit të mishit dhe hoteleri-turizmit, qytetarë të Skraparit dhe njësive administrative, përfaqësues të pushtetit vendor, janë bërë bashkë për të diskutuar mbi situatën e mbarështimit të gjësë së gjallë dhe sigurisë së mishit vendas, si vlera të kësaj zone.
Takimi me blegtorët
Takimi është organizuar nga Shoqata ‘Vizion Gruaje” në Skrapar, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Leviz Albania, ku ka ndarë me të pranishmit rezultatet e punës monitoruese të realizuara gjatë gjashtë muajve në terren në lidhje me situatën e tregtimit të mishit, si dhe solli rekomandime për përmirësimin e situatës, duke ndërmarrë madje dhe nisma lobuese pranë pushtetit vendor dhe këshillit bashkiak për të shndërruar në prioritet të zhvillimit ekonomik, si marka të zonës, mishin dhe produktet.
“Zona e Bashkisë së Skraparit, është e njohur në të gjithë vendin për mbarështimin e blegtorisë së imët (dele e dhi), por dhe për cilësinë tepër të madhe dhe dalluese të produkteve të saj. Por, kjo nuk ka ardhur as nga ndonjë mbështetje e bashkisë, apo qeverisë, por falë pasionit të fermerëve dhe sidomos falë kullotave të veçanta, të pasura me bimë të shumëllojshme që konsumojnë kafshët. Madje, prodhimet blegtorale kanë qenë një mënyrë e rëndësishme për sigurimin e të ardhurave në familjet e zonës”, tha Edlir Halili, fermeri që arsimit të tij për Kimi- Biologji, i ka shtuar dhe punën e tij shumë vjeçare si fermer, në fshatin Therepelë, të Njësisë Administrative Vëndreshë. Ai shprehet se asnjë ndihmë nuk ka përfituar kurrë as nga bashkia as nga shteti në lidhje me aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të bulmetit. Prej vitesh në aktivitetin e tij i është dashur të investojë vetë, të ushtrojë me të ardhurat e tij dhe kontrollin veterinar për bagëtinë.
Për fermerët e tetë njësive administrative të Bashkisë Skrapar, ku numërohen 50 fshatra, situata e tregjeve të mishit dhe mbarështimit të gjësë së gjallë është kritike, pasi pushteti vendor nuk ka investuar prej vitesh për ndërtimin e një tregu, ndërkohë që mungojnë kontrollet periodike veterinare.
“Në Bashkinë e Skraparit aktualisht mbarështohen rreth 40 000 krekë të leshta dhe 25 000 krerë të dhirta, të shpërndara në të tetë njësitë administrative. Sipas monitorimit në terren, pjesë e projektit, nga 40000 krekë të leshta, 28500 janë dele race të quajtura pëlleja që japin një rendiment prej 50-54 litra qumësht për kokë. Nga 25000 krekë të dhirta, 18000 krerë janë dhi të racës pëlleja, prej të cilave sigurohet një rendiment prej 95-100 litra qumësht për kokë. Por, me të gjitha këto rezultate, alarmante sot është mungesa e pikave të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit afër njësive administrative”, tha Veprore Xhaja, drejtuese e projektit.
Sot, sipas fermerëve, ajo që kërkohet është bashkëpunimi i bashkisë me njësitë administrative për ngritjen e pikave të përpunimit të qumështit sa më afër fermerëve të njësive administrative Gjerbës, Zhepë, Çepan dhe Vëndreshë, pasi mungon totalisht tregu, por këto janë domosdoshmëri dhe për produktin e mishit.
Në prioritet të Bashkisë së Skraparit është përcaktuar qartë si strategji zhvillimi ekonomik për zonën, me qëllim zhvillimin e turizmit, por deri më sot bashkia ka bërë vetëm disa përpjekje për të monitoruar situatën dhe asgjë më tepër.
Nga monitorimi mbi situatën e tregjeve të mishit si në zonat urbane dhe ato rurale, situata rezulton kritike. “Prej rreth 20 muajsh në qytetin e Skraparit dhe në fshatra nuk ka asnjë dyqan për tregtimin e mishit. Agjencia e Kontrollit Ushqimor ka pezulluar dyqanet dhe ka ndaluar tregtimin e mishit, ndërkohë që produkti nuk mungon në treg dhe rezulton që të shitet në të zezë. Po në Skrapar nuk ka pasur dhe ende nuk ka një treg publik. Një vit më parë, mishi është tregtuar në gjashtë dyqane-thertore, por ato u mbyllën” tha një tregtar mishi në takimin e organizuar nga “Vizion Gruaje”.
Raporti i monitorimit
Nga monitorimi i situatës në tregje dhe mënyrës se si dhe ku realizohet aktualisht shitblerja e gjësë së gjallë dhe e mishit në njësitë administrative të bashkisë, gjendja paraqitet e rëndë.
“Në Njësinë Administrative Bogovë, që përmbledh gjashtë fshatra, nuk mund të flitet për treg mishi, ai blihet vetëm me porosi dhe mbërrin te konsumatori i therur dhe i pakontrolluar nga mjeku veterinar. Në Njësinë Administrative Qendër që ka në administrim 15 fshatra, shitblerja e mishit është problematike, nuk ka treg, mungojnë kushtet e higjienës në vendet ku theret dhe shitet, mungon kontrolli veterinar. Një Njësinë Administrative Vëndresh që përmbledh pesë fshatra, mungon vendi i tregtimit dhe mishi shkon tek konsumatori i pakontrolluar nga veterineri. Në Njësinë Administrative Gjerbës që përfshin tetë fshatra, numërohen 20 ferma blegtorie që sheshin në të zezë nëpër rrugë, sipas kërkesave verbale, jashtë çdo lloj kontrolli. E njëjta situatë problematike, me mungesë të tregjeve, pikave të grumbullimit dhe pa kontrolle të mjekut veterinar, paraqitet dhe në njësitë e tjera administrative, Leshnjë, Zhepë, Potom dhe Çepan” bëhet e ditur në raportin monitorues të realizuar në terren.
Qëndrimi i administratorëve
Problemi i tregtimit të mishit është një çështje që nuk po gjen zgjidhje dhe sipas drejtuesve të Njësive Administrative, për të cilët kërkohet krijimi i një tregu publik për të gjithë fshatrat si dhe transport frigoriferik në drejtim të qendrës. “Personalisht e kam parashtruar problematikën në mbledhjet e këshillit bashkiak dhe mendoj se zgjidhja e vetme do të ishte krijimi i një tregu publik në nivel njësie administrative si dhe sigurimi i transportit frigoriferik në drejtim të tregut”, tha Administratori Leshnjës, Ilirjan Hodo. Por duket se pushteti vendor është i pafuqishëm për të mbështetur me fonde këto nevoja imediate të blegtorëve, pasi njësitë administrative janë harruar prej vitesh. “Problematikë nuk është vetëm fakti se nuk ka tregje, por dhe se fermeri duhet të bëjë gjithçka vetë për të mbajtur në këmbë aktivitetin e tij, madje dhe kontrollin veterinar për blegtorinë. Skemat e subvencioneve nuk po funksionojnë, bashkia s’ka kapacitet të mbulojë me veterinerë gjithë fermat e zonave, ndaj ne fermerët hasemi me vështirësi pa fund”, u shpreh Edmond Hajdëri, fermeri që ka marrë licencë për therjet që bëhen për ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorit.
Bashkia, mungesë fondesh
Bashkia e Skraparit ka mungesë fondesh për ndërtimin e tregjeve në njësitë administrative, por dhe mangësi kapacitetesh për kontrollin e gjithë territorit dhe është vënë edhe më shumë në vështirësi, për shkak të problemit të buxhetit të këtij viti atje. “Për vitin 2019 e në vijim, bashkia do të përfshijë në prioritetin e saj ‘zhvillimin ekonomik vendor të Njësive Administrative në fushën e tregtimit të mishit’. Bashkia bëri të mundur dhënien me sipërmarrje të thertores së qytetit, ku do të grumbullohen bagëtitë e gjalla që do të vijnë nga njësitë administrative, pritet të nis puna në të”, tha nënkryetari i Bashkisë, Fatjon Kaloçi.
Por, me gjithë premtimet e bëra, sipas specialistëve, bashkisë i mbetet të ndërmarrë nisma serioze për përpilimin e një plani strategjik për monitorimin e blegtorisë, të fermerëve dhe të bizneseve të tyre kryesisht të tipit familjar, për zhvillimin ekonomik vendor të njësive në fushën e tregtisë së gjallë dhe të mishit vendas, si produkt i veçantë, dhe mbi të gjitha të sigurojë produktin e mishit, sidomos në fazën e tregtimit të tij.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.