6 qershor 2019/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Gjirokastra është shndërruar në një prej destinacioneve më të lakmuara nga turistët vendas dhe të huaj. Shtimi i kapaciteteve akomoduese ka sjellë dhe dyfishim të numrit të tyre. Rreth 500 shtretër i janë shtuar qytetit vetëm vitin e kaluar, ndërsa numri i turistëve arriti shifrën rekord të 100 mijë turistëve përgjatë 2018-ës. Por pavarësisht kësaj, zhvillimi i turizmit në qytetin jugor shoqërohet me problematika të shumta dhe të mbartura në vite.
Turistët dhe vizitorët që tërheqin vëmendjen për më shumë lehtësira në ambientet publike, përballen edhe me vështirësi të shtuara. Qarkullimi i mjeteve në zonën muzeale është një ndër shqetësimet kryesore të tyre, që ende nuk ka gjetur një zgjidhje për zonën muzeale, të qytetit muze.
Kryqëzimi në zonën e njohur si “Pazari i Gjirokastrës” është një ndër segmentet rrugore më të përdorura në qytet. Lidhja e tij me tre rrugë kryesore dhe pesë degëzime rrugësh, e bën këtë pjesë të rrugës të mos njohë asnjëherë qetësi. Qarkullimit të dendur të automjeteve, autobusëve të transportit urban dhe makinave të vogla të çdo lloji, i bashkohet edhe fluksi i këmbësorëve dhe turistëve që vërshojnë në rrugën më karakteristike të Gjirokastrës.
Pazari karakteristik është ai që tërheq më së shumti vëmendjen e turistëve me dyqanet e suvenireve dhe të artizanatit. Fizionomia e vetë qytetit “i detyron” turistët ta përshkojnë atë në këmbë, duke u kujtuar se duhet ta ndajnë hapësirën e tyre turistike me automjetet e shumta. Opinionet e turistëve ndër vite kanë qenë të njëjta, ndërsa kanë përcjellë të njëjtin shqetësim: rrugë për makina apo zonë turistike.
Turistja gjermane Anneke Scholten mbërriti në Shqipëri për herë të dytë. Ajo tregoi se gjatë vizitës së saj nëpër qytet iu desh të ndeshej me shpejtësinë e makinave që kalojnë vazhdimisht në rrugë. “Trafiku në këtë zonë është i rrezikshëm. Ndërsa zbrisja nga kalaja një makinë kaloi me shpejtësi të madhe shumë pranë meje. Mendja më shkoi te njerëzit që jetojnë këtu dhe që duhet të kalojnë përditë në këtë rrugë. Qarkullimi në këtë rrugë është i rëndësishëm vetëm për ta, jo për të gjithë”, tha Anneke.
Ndërsa familja Lorence vinte për herë të parë në Shqipëri. Përtej fjalëve të bukura për natyrën dhe turizmin shqiptar, ata ngritën shqetësimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë të tilla të frekuentuara nga turistët. “Për ne si turistë është shqetësuese sepse ne kemi katër fëmijë dhe sigurisht që është e rrezikshme për ta. Do të ishte mirë që qarkullimi në këtë rrugë të ishte i kufizuar, megjithatë kjo varet nga rregullat e qytetit. Megjithatë është një vend i bukur, jo shumë i shtrenjtë dhe me njerëz mikpritës. Nuk ka asnjë problem sigurie apo dhune. Është shumë qetë dhe ne na pëlqen qetësia”, u shpreh francezi Moretto Laurence.
Zona e pazarit në Gjirokastër është ndalesa e parë e çdo turisti që më pas përshkon qytetin kryesisht në këmbë për të vizituar pikat kryesore turistike të tij. Kjo rrugë është edhe më e frekuentuara nga automjetet si rruga lidhëse me lagjet e sipërme të qytetit të gurtë. Një grup turistësh italianë sapo mbërritën në Gjirokastër dhe qarkullimi i dendur në këtë zonë karakteristike turistike, ishte gjëja e parë që u ra në sy. “Nëse do të ishte pedonale sigurisht që do të ishte më mirë. Kështu do të mund të ecnim të qetë, pa rrezik. Është një pamje kaq e bukur, por që e prishin makinat që kalojnë vazhdimisht. Nëse ka njerëz që do të duhet patjetër të kalojnë, me një leje të veçantë ndoshta po, taksitë po, por që të kalojë çdolloj makine nuk më duket e arsyeshme”, thekson Laura. “Ja e sheh sa keq duket me gjithë këto makina që kalojnë?”, ndërhyn bashkëshorti i saj, Giovani. “Është një zonë karakteristike, kaq e bukur për ta parë dhe nga ana tjetër janë makinat që shqetësojnë dhe prishin këtë pamje. Zhurma e makinave na shqetëson vërtet”, pohon turisti italian.
Tregtarët e njësive tregtuese në Qafën e Pazarit kanë ngritur prej vitesh këtë shqetësim. Vjollca Mezini që sjell për turistët qëndisma dhe punime të tjera dore thotë se “shpesh turistët nxitojnë të largohen pa arritur të shohin asnjë nga produktet. Ngushtësia e rrugës që përshkohet edhe nga makinat, nuk lë hapësira për turmat e turistëve, pjesa kryesore e të cilëve nxitojnë të largohen në një pjesë rrugë të lirë”. “Kthimi në pedonale, të paktën gjatë sezonit veror është zgjidhja e duhur”, shtojnë tregtarët.
Projekti i by-pass në zonën muzeale.
Ndërtimi i një by–passi që mendohej t’i jepte zgjidhje këtij problemi, hapi debate të forta më shumë se dy vjet më parë, duke u kundërshtuar nga banorët, të cilët nuk pranuan projektin e prezantuar dhe ndërtimin e këtij by–passi në zonën e përcaktuar, me argumentin e paqëndrueshmërisë së tokës dhe cenimin e vlerave natyrore dhe kulturore të qytetit. Projekti u la në harresë, ndërsa situata në zonën muzeale përkeqësohet gjatë sezonit veror kur fluksi i turistëve njeh rritje të ndjeshme.
Debatet për projektin e by–pass.
Ndërtimi i by–passit në Gjirokastër u bë i ditur që në vitin 2015. Prej kohës së prezantimit të tij ai ndeshi në kundërshtime të forta, edhe pse projekti synonte devijimin e qarkullimit nga Qafa e Pazarit më në lartësi të kalasë, duke kaluar në brendësi të lagjes “Pazar i vjetër”. Projekti i By-pass-it, sipas prezantimeve të bëra më herët, synonte të zgjidhte problemin e trafikut në Pazarin e Gjirokastrës, duke e shndërruar atë në një zonë për këmbësorë dhe duke lehtësuar qarkullimin e tyre.
Ky fakt shkaktoi debate dhe zemërim te qytetarët dhe specialistët e monumenteve. Banorë të lagjes “Pazari i vjetër” u ankuan se ky projekt rrezikonte të gjitha banesat e kësaj lagjeje, ndërsa specialistët ngritën alarmin për rrezikun që i kanosej kalasë së gurtë. Në dhjetor 2016, banorët nënshkruan një peticion kundër këtij ndërtimi. Ata shprehën refuzimin e tyre në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke kërkuar edhe qëndrimin e qartë të Bashkisë Gjirokastër që më herët kishte dhënë aprovimin e vet për një projekt të tillë. Pas debateve dhe kundërshtive të forta nga banorët dhe specialistët, qeveria u detyrua të tërhiqej duke deklaruar rishikim të projektit dhe gjetje të tjera alternative për stabilizimin e qarkullimit në zonën muzeale.
Ndryshimi i projektit
Fillimisht ndryshimi i projektit u bë i ditur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, në një takim publik të zhvilluar marsin e vitit 2017, nga Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës. Sipas tyre, projekti i ri do të shmangte kalimin e rrugës nga lagjja “Pazar i Vjetër” duke kërkuar mënyra të tjera alternative. Ndërkohë ky ndryshim i projektit u konfirmua në atë kohë edhe nga kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami. Sipas saj, “bypass-i nuk do të ndërtohet në lagjen “Pazari i Vjetër”, por janë duke u studiuar mundësi alternative që ky projekt të zbatohet, gjithmonë duke shmangur kalimin e rrugës nga lagjja “Pazari i Vjetër”. “Projekti është duke u ristudiuar dhe së shpejti do të ketë një formë të plotë të tij”, u shpreh në atë kohë kryebashkiakja Rami.
Në prag të sezonit të ri turistik, qarkullimi i mjeteve në zonën muzeale vazhdon në ritmet e veta të përhershme, të bashkëjetesës me turistët.
Restaurimi i kalldrëmeve në zonën muzeale.
Bashkia Gjirokastër do të jetë përfituesja e një investimi prej 140 milionë lekësh të mundësuara nga Banka Botërore në projektin e restaurimit të kalldrëmeve karakteristikë të Gjirokastrës, në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” zbatuar prej 2017-ës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në disa bashki, si Bashkia Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë. Inxhinieri Pavli Miço që udhëheq punimet në zonën e Qafës së Pazarit thotë se ato konsistojnë në rehabilitimin e kalldrëmeve përgjatë kësaj zonë historike “në një gjatësi prej 0.9 km, ndërsa parashikohen të rehabilitohen edhe 923 metra katrorë sheshe në këtë zonë, 6000 metra katrorë trotuare, gjelbërim dhe arredim urban, si dhe do të instalohet një sistem i mbrojtjes nga zjarri, kanalizimet për ujërat e përdorur e ata të shiut, ndriçimin dhe rrjetet e komunikimit në qendër të qytetit të vjetër të Gjirokastrës.
Punimet restauruese dhe sezoni turistik
Kryerja e këtyre punimeve e ka zhveshur zonën muzeale të Gjirokastrës. Kalldrëmet e gurta 300 vjeçare, përgjatë rrugëve të zonës së Qafës së Pazarit, nuk janë më, duke ua lënë vendin rrugëve me baltë e jelekëve të verdhë të punëtorëve. Punimet kanë nisur në shtator të vitit 2018, ndërsa kohëzgjatja e projektit është 12 muaj. Edhe pse synohet që shtrimi i këtyre rrugëve me kalldrëm të përfundojë para sezonit turistik, situata në terren duket e vështirë.
Përfaqësuesit e zyrës së turizmit në Bashkinë e Gjirokastrës pohojnë se që në krye të herës është kërkuar nga bashkia që punimet të mos bllokojnë qarkullimin. Ëngjëll Serjani, përgjegjës i zyrës së turizmit, thotë se Bashkia e Gjirokastrës ka bërë një marrëveshje për dy pika kryesore ku krahas mundësimit të qarkullimit në zonën ku kryhen punimet, aksi kryesor i rrugëve në këtë zonë turistike, është kërkuar të mbyllet para fillimit të sezonit. “Ky është viti i dytë që Gjirokastra përballet me vështirësi teknike gjatë sezonit veror”, thotë Serjani. Një vit më parë ishin restaurimet e fasadave që ndikuan në turizëm. “Ndonëse Gjirokastra shënoi një rritje prej 20% të numrit të vizitorëve, kemi bindjen se kjo shifër mund të ishte edhe më e lartë, nëse turizmi nuk do të zhvillohej mes pluhurit dhe skelave”, shton ai, duke shprehur bindjen se shtrimi i kalldrëmeve në akset kryesore, do të përfundojë para nisjes së sezonit dhe ndërhyrjet nuk do të ndikojnë drejtpërdrejt në turizëm.
Punimet e fundit restauruese të kalldrëmeve nxorën në dritë rrugët e vjetra të qytetit. Ende nuk dihet cilës periudhe i datojnë ato, por vendndodhja e tyre rreth 1.5 metër nën nivelin e rrugës aktuale, është dëshmi e vjetërsisë së tyre dhe mendohet se mund të jenë edhe më të hershme se kalldrëmet 300 vjeçare që gjenden aktualisht. Një pjesë e tillë kalldrëmi është zbuluar vetëm pak metra më poshtë, në një tjetër segment rruge ku po kryhen punimet.
Paradoksi qëndron në faktin se kalldrëmet e hershme, të ndodhura në shtresat nëntokësore, u mbuluan sërish me beton. Ato u gjendën në atë pjesë të rrugës ku po shtrohen kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, për të cilat janë shfrytëzuar edhe kolektorët e vjetër, disa prej të cilëve të zbuluar pikërisht gjatë këtyre gërmimeve.
Restaurimi i fasadave në zonën e mbrojtur të Pazarit të Vjetër në Gjirokastër, që u inaugurua në fund të shtatorit 2018, i dha një tjetër hov zhvillimit të turizmit, pavarësisht vështirësive me të cilat turistët u deshën të përballeshin gjatë zbatimit të tij, përgjatë gjithë sezonit turistik veror. Një ndër vlerat e këtyre ndërhyrjeve, krahas nxjerrjes në pah të vlerave arkitekturore të shtëpive gjirokastrite, është edhe zhdukja e rrjetave të merimangave që kishin mbuluar fasadat.
Rehabilitimi i Qafës së Pazarit dhe kthimi në pedonale
Projekti i rehabilitimit të Qafës së Pazarit duket se nuk jep zgjidhje për qarkullimin e automjeteve në këtë zonë. Punimet kanë vështirësuar edhe qarkullimin e mjeteve që synojnë lagjet e sipërme të qytetit. Disa prej tyre duhet të përshkojnë një unazë të re që kalon nga lagjja “Palorto”, në “Bashtenë e Teqesë” dhe më tej në kryqëzimin poshtë kalasë që lidh lagjet Cfakë dhe Dunavat.
Kryebashkiakja Rami shprehet optimiste për cilësinë e punimeve në përfundim të projektit, ndërsa pohon se “aktualisht është gjetur dhe menduar një zgjidhje alternative për qarkullimin e mjeteve dhe linjave urbane, por që nuk jep zgjidhje përfundimtare në mungesë të një by pass-i”. Rami pohon se situata e qarkullimit të mjeteve në zonën e parë turistike të qytetit do të përkeqësohet në përfundim të punimeve për rehabilitimin e kësaj zone dhe rishtrimit të kalldrëmeve. Bashkia synon që pas kësaj, siç shprehet Rami, “kjo zonë të kthehet në pedonale”. “Duhet të shqetësohemi në përfundim të investimit pasi Qafa e Pazarit duhet të kthehet në pedonale. Në kushtet ku jemi kemi gjetur zgjidhje edhe me transportin publik për gjetje rrugësh dytësore. Por deri sa të zgjidhet pjesa e ndërtimit të një by-passi duhet menduar dhe gjetur një zgjidhje efektive. Është parashikuar një investim 500 milion për ta kthyer Qafën e Pazarit në pedonale dhe Bashkia Gjirokastër është e përditësuar në çdo hap të investimeve”, thotë ajo.
Sipas Ramit, Bashkia Gjirokastër tregon një vëmendje të veçantë për lëvizjen e automjeteve në sezon pasi fluksi më i madh është ai drejt kalasë, ku rrugët të çojnë detyrimisht në Qafën e Pazarit. Kryebashkiakja e Gjirokastrës thekson se pavarësisht kushteve të rënduara si pasojë e punimeve në këtë kryqëzim të rëndësishëm, bashkia është treguar e kujdesshme që transporti publik në zonat e sipërme, një shqetësim i shtuar së fundmi, të mos ndërpritet asnjë moment.
Për kryebashkiaken Rami, kërkohet zgjidhje edhe për qarkullimin e mjeteve me tonazh të rëndë dhe atyre të përdorura për ndërtim. “Ne jemi të kënaqur dhe të vetëdijshëm që ndërtime do të ketë vazhdimisht, por kalimi i këtyre mjeteve në kalldrëm shkakton edhe dëmtimin e tyre. Lind nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje, nëse duam jetëgjatësinë e këtyre rrugëve që janë ndër simbolet kryesore të Gjirokastrës”, shprehet ajo.
Restaurimet e kalldrëmeve dhe impakti në komunitet
Restaurimi i ansamblit të Pazarit Karakteristik në Gjirokastër u nis dy vite më parë, në fund të shtatorit 2016. Projekti i plotë që përfshin mbështetje të vazhdueshme për bizneset dhe promovimin e zonës arrin vlerën e 3.5 milionë dollarë, dhe është një bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrinë e Kulturës dhe atë të Zhvillimit Urban. Qafa e Pazarit, e ndërtuar në shekullin e XIX, ka qenë një nga zonat më problematike gjatë 25 viteve të fundit. Ajo i është nënshtruar tri restaurimeve që nga viti 2006, por pavarësisht shpenzimeve të shumta asnjëri nga projektet nuk ka ruajtur deri në fund vlerat e monumentit.
Qafa e Pazarit me të pestë degëzimet e saj, ka një rol të rëndësishëm social–ekonomik për qendrën historike të Gjirokastrës. Restaurimet, edhe pse të mirëpritura, shoqërohen përherë me skepticizmin e banorëve që marrin shkas edhe nga eksperiencat e mëparshme, aspak inkurajuese.
Paralelizmi i natyrshëm i restaurimit të kalldrëmeve tashmë të shkulura të Qafës së Pazarit, me ato të lagjes “Varrosh”, një tjetër lagje brenda zonës historike, e njohur si “lagjja e vjetër e zejtarëve”, i bën banorët të jenë mosbesues për cilësinë e punimeve dhe më shumë të ndiejnë keqardhje sesa entuziazëm për këtë investim të ri.
Investimi i Bashkisë Gjirokastër në vitin 2014 rezultoi i dështuar dhe pavarësisht se në atë kohë drejtuesit e atëhershëm të Bashkisë, pohuan se “në rrugën historike do të respektoheshin në detaje të gjitha teknikat e dikurshme të ndërtimit, për të kthyer në identitet lagjen e vjetër të tregtarëve”, në realitet nuk ndodhi kështu dhe kalldrëmi i sotëm nuk ka asnjë pikë takimi me kalldrëmin e dikurshëm 300 vjeçar.
Eksperienca e hidhur e së kaluarës, kur Bashkia Gjirokastër, në atë kohë nën drejtimin e kryebashkiakut Flamur Bime, i dha një firme të palicencuar për restaurime, të drejtën për restaurimin e kalldrëmeve që u shtruan me beton, duket se nxiti qeverinë të marrë situatën në dorë, ndërsa Bashkia Gjirokastër në këtë rast të jetë vetëm përfituese e projektit.
Kompleksi arkitektonik i pjesës muzeale të Gjirokastrës u kompletua përfundimisht me infrastrukturën rrugore në fund të shekullit të XVIII – të. Që prej kohës kur qyteti filloi të zgjerohej jashtë mureve të kalasë, në shekujt XIV – XV, filloi edhe ndërtimi i kalldrëmeve.
Sfidat e zhvillimit të turizmit në Gjirokastër
Përgjatë 2018-ës, i gjithë rajoni jugor shënoi një rritje të interesit turistik me 20% krahasuar me një vit më parë. Shumë sipërmarrës të rinj po tentojnë të hyjnë në tregun turistik me shpejtësi, ndërsa cilësia mbetet një sfidë madhore sidomos sa i përket akomodimit, ushqimit, transportit publik, sinjalistikës, hartave dhe informacionit turistik. Kapërcimi i sfidës së cilësisë së shërbimit turistik në Gjirokastër mund të garantojë rritjen e numrit të vizitorëve, por qyteti ndien ende nevojë për rritje të standardit në shërbime. Turizmi dimëror është ende i pazhvilluar në Gjirokastër dhe kjo ka nxitur operatorët turistikë në krijimin e paketave dimërore ekonomike. Nisma synon të përmbysë situatën turistike në Gjirokastër duke nxitur turizmin dimëror me një paketë të plotë dhe tarifa të përgjysmuara. Paketa synon frekuentimin e qytetit të gurtë edhe tej sezonit veror, kohë kur Gjirokastra përballet me mungesën e theksuar të turistëve.
Vasil Garo, një ndër iniciatorët e kësaj nisme dhe hartues i paketave, thotë se vizita në pikat kryesore të qytetit, muzetë dhe sitet arkeologjike, shëtitje me kuaj apo off road, janë vetëm disa prej aktiviteteve të ofruara në paketën promovuese të qytetit të gurtë që synon të tërheqë kryesisht turizmin vendas.
Turizmi është tashmë frymëmarrja e qytetit muze, por ndonëse flitet për një turizëm gjithëvjetor, fluksi i turistëve shënohet vetëm në muajt e verës, edhe pse sezoni turistik nis prej majit deri në tetor. Sipas të dhënave nga zyra e turizmit në Bashkinë Gjirokastër llogaritet se numri i vizitorëve në qytetin e gurtë gjatë muajve të dimrit është vetëm 10 % e turistëve që vizitojnë Gjirokastrën në sezon veror.
Paketa e re e operatorëve turistikë ka gjetur edhe mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër që së shpejti do të kërkojë miratimin në këshillin bashkiak për heqjen e tarifës së vizitës në katër muzetë e administruar nga bashkia, një ofertë e vlefshme gjatë fundjavave.
Ndonëse prej pranverës në vjeshtë numri i turistëve në Gjirokastër një vit më parë shkoi në mbi 100 mijë, muajt e tjerë të vitit qyteti muze përballet me vështirësitë e mbijetesës në kushtet kur qyteti vizitohet nga jo më shumë se 50 vizitorë në ditë. Vetëm një vit më parë, në Gjirokastër nisën punën operatorët e parë turistik vendas, ndërsa përherë qyteti i gurtë ka qenë destinacion transit i operatorëve të ndryshëm turistikë.
Rreth autorit:
Brikena Metaj është korrespondente për News 24 në Gjirokastër.