30 maj 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Librazhd
Pjesa e tretë e Ciklit “Triumfi i një turbine Fantazmë” – një seri shkrimesh hulumtuese mbi ndërtimin e një HEC-i në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Shtet-Punë-Mirëqenie
Shëtitorja i ngjante një vitrine ku reklamohej shitja e mallit politik. Në hyrje, dy postera me ngjyra mbi vetratën e një porte xhami mbanin logot e zyrës kombëtare të punësimit. Mbi tarracë gjendej një pankartë e bardhë ku shkruhej: “Zyra e Bashkëqeverisjes”. Më në thellësi vijonte një ndërtesë e gjerë dykatëshe, fasada e ndryshuar e së cilës “fshihte”, ndonëse pa sukses, karakterin e shkuar të arkitekturës socialiste të ish Komitetit të Partisë. Një pllakat lejla, fare pranë dritareve të katit përdhe, në të cilën shkruhej: Shtet-Punë-Mirëqenie, mbyllte serinë e afisheve propagandistike, këtu, në pjesën qendrore të shëtitores, ku ndodhej sot bashkia socialiste e Librazhdit.
Në shkallët përpara saj qëndronin pesë burra; të gjithë nga Qarrishta dhe të gjithë kundër hidrocentralit, ndaj dhe kishin shkuar atje që të ankoheshin te kryetari i bashkisë.
Ata u ngjitën në heshtje në katin e dytë, në një sallë të madhe me mure të zbrazura e me mobilim të varfër, të shoqëruar nga përfaqësues të “Vëzhguesi rural”, një organizatë që mbështet komunitetin dhe transparencën në administratën publike.
Kryetari mbërriti pas pak, i shoqëruar nga sekretari i këshillit bashkiak. U ul në krye të tavolinës, nxori një letër të bardhë për të mbajtur shënime dhe dëgjoi banorët. I pari e mori fjalën Ylli Hasa, përfaqësuesi i tyre.
“Nuk kemi asnjë informacion për ndërtimin e këtij hec-i… Më parë bashkia na mori ujin dhe ia kaloi Librazhdit. Tokat tona nuk u vaditën më…! Tani po na merrni dhe burimin”, përfundoi.
Një tjetër, Haki Hasa, u ankua se hidrocentrali ndërtohej në tokën e tij. Ai tha se kompania e kishte zhvendosur 50 metra më tutje ndërtesën e centralit dhe e kishte devijuar rrjedhën, duke e lënë mullirin e fshatit pa ujë.
Kryetari, Kastriot Gurra, qëndroi në heshtje deri në fund. Pastaj iu përgjigj, njëkohësisht të gjithëve.
Ai u tha se në Qarrishtë bëhej fjalë për një ‘objekt hec ekzistues’, i ndërtuar qysh në 1968-n dhe se leja për të ishte dhënë prej ministrisë së ekonomisë dhe zotëria në fjalë, pra kompania ‘IDI 2005’, e kishte privatizuar. Ai e theksoi se bëhej fjalë për një hec ekzistues, madje e përsëriti dhe saktësoi më tej, se kompania do të përdorte të njëjtën sasi uji, sa atëherë kur sapo ishte ndërtuar. Pastaj, duke e zhvendosur temën dhe argumentet në një tjetër audiencë, iu kthye përfaqësuesve të “Vëzhguesit”, të cilët ndodheshin në sallë. Ngriti tonin dhe vazhdoi me një zë edhe më të sigurt:
“Në Qarrishtë janë dhënë edhe tre hece të tjera dhe ky është shqetësimi më i madh që duhet të keni ju të gjithë. Kam kërkuar anulimin e tyre prej ministrisë së linjës”.
Më pas ai kërkoi solidaritetin e të pranishmëve për një aksion bllokimi të përbashkët dhe i ftoi që të shihnin në terren, sesi diga e Rrapunit rrezikonte Urën e Kuturmanit. Kërkoi gjithashtu monitorimin e heceve të vogla nga bashkia, duke propozuar t’ia hiqnin institucioneve qendrore këtë të drejtë.
Ligjëratën e përfundoi me një kusht: “Po gjetët një tjetër kryetar bashkie që ka hedhur në gjyq hec-e, nesër unë dal nga kjo bashki!”.
Ai foli kryesisht për veten, për formimin si jurist dhe për mbështetjen personale ndaj komunitetit, kundër ndërtimit pa kriter të hidrocentraleve.
U duk sikur Qarrishta u la mënjanë. Por ndërhyri Haki Hasa që kërkoi përsëri anulimin e hecit në Qarrishtë.
“Është pronë private, s’varet prej meje” – përfundoi prerë kryetari.
Kjo ishte e vërtetë! Ishte i vetmi dokument që kishte ky ish hec: një çertifikatë pronësie, ndërkohë që nuk ekzistonte diçka tjetër, leje, apo miratim. Por ai mbetej sidoqoftë një ish, ndonëse pronësia kalonte nga ministria te kompania.
Ishte 4 prill. Askush nuk dinte më shumë në atë sallë, përveç kryetarit që dinte gjithçka, por që zgjodhi të fliste për Përroin e Rrapunit, për Ministrinë në Tiranë dhe për sakrificat personale në luftën kundër heceve në Librazhd.
Tre muaj më parë, në janar, ai e kishte lejuar kompaninë që “të rikonstruktonte” ish hec-in e Qarrishtës dhe nuk kishte ndërhyrë kur “rikonstruksioni” ishte shndërruar në një ndërtim të ri e kësisoj, sipas Administratës së Zonave të Mbrojtura, të paligjshëm.
Kur njerëzit u larguan nga salla, mbi tavolinë mbetën“shënimet”. Përtej vijave të çrregullta me bojë stilolapsi, letra ishte ende e bardhë…
Ka ndryshuar bunxhi
Ne fillim të majit udhëtova drejt Parkut. Kalova Librazhdin dhe mora rrugën e Togëzit, përgjatë shtratit të boshatisur të Rrapunit. Diga që kishte bllokuar ujin fshihej matanë, në largësi të rrugës. Por u kthyem në të djathtë dhe ndoqëm një shteg të paasfaltuar e me kthesa. Shumë shpejt, makina humbi në një pyll të vogël ahu. Me mua ishte Haki Hasa, një prej banorëve dhe po më shoqëronte për në Qarrishtë.
Makina lëvizte ngadalë si një vizitor i druajtur. Iu afruam Majës së Shpakës dhe kthyem përsëri në të djathtë të udhës. Në thellësi u shfaqën Malet e Zeza. Kaluam pranë një zabeli pishash dhe mbërritëm në anë të një liqeni me ujë të pastër. Në Lugjet e Hysës bëmë pushimin e parë dhe pimë ujë burimi. Pak kilometra më tej, u shfaq Shebeniku, maja e të cilit i kalon të dymijë metrat. Mbi lartësi dëbora do të qëndrojë edhe për disa javë.
Në afërsi të fshatit hasëm qarrishtarin e parë, çka rezultoi një rastësi e paimagjinueshme. Ishte 76-vjeçari Pëllumb Biçaku, tekniku që kishte punuar në hec-in e Qarrishtës, qysh në ditën e parë kur gjeneratori kishte filluar të prodhonte energji. Ai tregoi sesi kishte qëndruar në Korçë, në një kurs 4-mujor dhe sesi kishte mësuar të administronte makineritë, përpara se centrali të fillonte nga puna, në vitin e largët 1968.
“Fillimisht ai furnizonte postën kufitare dhe agjitacionin e kooperativës. Më pas, kur u largova nga kjo detyrë, kisha 94 faturime të regjistruara. Ishte një hec me fuqi të vogël, rreth 50kW, – përfundoi ai.
Ai foli për burimet e pasura me ujë, për Gurrën e Kusarit dhe për Gurrën e Zezë, për borën e për dimrin e fortë. Por ai tha se kishte disa kohë që dimri ishte zbutur dhe se bunxhi kishte ndryshuar. Ai shqiptoi bunxhi, duke nënkuptuar tokën.

Ndalova pranë “Qytezës” (lagjja hyrëse e Qarrishtës). Çatitë e para zbuluan fshatin e fshehur në zemër të Parkut Kombëtar. Diku, në anë të një rrëpire gjendej një kamion i madh, karroceria e të cilit ishte ngarkuar me thasë çimentoje.
Në mes të fshatit, në një shtrat të ngushtë e të egër rrjedh Zalli i Qarrishtës. Përgjatë brigjeve të tij, në të dy krahët, pak në lartësi, ngrihen shtëpi të vjetra guri e me dritare të vogla që konturojnë përballë njëra-tjetrës dy lagjet kryesore: Hasajt dhe Biçakët.
“Këtë rrugë e hapi kompania”, – tha Haki Hasa. “Shtegu ishte i ngushtë por ata e hapën për të kaluar materialet e ndërtimit”.
Ndanë udhës takuam Hashim Hasën, banor i Qarrishtës dhe njëkohësisht një punëtor i ndërmarrjes së gjelbërimit në Bashkinë e Librazhdit, i cili ishte pro ndërtimit të hidrocentralit.
“Për mua është mirë. Mua më bohet mirë se kam tridhjetë vjet që vuej pa drita”, – tha ai.
Ai besonte se hidrocentrali do të prodhonte energji edhe për të, sidomos në dimër. Ai tha se ky ishte një premtim i bërë nga Kryeplaku, qysh përpara se të fillonin punimet.
Pranë hidrocentralit u duken gjurmët e një kantieri të vërtetë ndërtimi. Inertet e ngurta ishin shpërndarë në anë të Zallit pa ndonjë rregull. Ndërtesa e re e centralit dukej e përfunduar dhe disa skela hekuri ishin stivosur në anë. Mbi ndërtesë, rreth dyzet metra më lart, shtrihej kanali i derivacionit.
Ja, këtu ka qenë ndërtesa e vjetër”, më tregoi Haki Hasa. “Tani e ka prishur dhe tubat i ka futur nën tokë. Ka prerë edhe lajthiat”, – u ankua.
Ai shpjegoi se uji më parë rridhte në sipërfaqe, vadiste tokat e lëvizte gurin e mullirit që ndodhej në të majtë të centralit.
Por tani ndryshimi ishte i dukshëm. Tubacioni i ri e kalonte ujin nën tokë e më pas e derdhte atë në lumë, duke e shmangur mullirin.
Mbi kanal takuam disa punëtorë. Ishin gjithsej katër. Ata ishin punësuar prej disa muajsh dhe ndjeheshin të lumtur. Unë pyeta njërin prej tyre, por ai m’u përgjigj në shumës:
“Për hec-in jena shumë dakord që të bohet. Dhe të kishte ardhë më përpara, jo sot”, – pohoi ai. “Problemin ne e kemi me ujësjellësin që na ka marrë ujin te Gurra e Kusarit”.
Fshatarët më treguan se Gurra e Kusarit në Malin e Katrafilit, mbi Qarrishtë, furnizon depon e ujit të qytetit të Librazhdit, përmes tubave që shtrihen me kilometra.
“Prej këtej e deri te ai shkëmbi ne jemi pa ujë”, -tha Garip Hasa. “E ka marrë kuçedra dhe e ka çuar në Librazhd. Unë si fis kom tre hektarë tokë që thahet!”.
Projekti për furnizimin me ujë të Librazhdit filloi katër vjet më parë, por la rreth 50 ha tokë të Qarrishtës pa u vaditur.
Sot Gurra e Zezë ka mbetur i vetmi burim. Sipas fshatarëve, kompania ka premtuar t’u sjellë ujë të pijshëm, duke shtruar edhe 1.5 km tub të nevojshëm për rrjedhjen e tij.
“E bojn t’i mbyllin gojën katunit që të mos thotë katuni ça po bohet këtu”, u shpreh një prej banorëve, i cili kërkoi të mos identifikohej.
Kisha ende kohë. Vizitova burimin e Gurrës së Zezë pranë Katrafilit, rreth një kilometër në dalje të fshatit. Pak metra më poshtë rridhte Zalli i Qarrishtës. Përpara nesh shtrihej Krasta e Rinës, ndërsa në krah, Shebeniku, maja e të cilit kishte filluar të skuqej prej muzgut të hershëm. Në një distancë jo shumë të largët dukeshin armaturat e betonit. Edhe pak ditë do të duhej që të mbërrinin pranë burimit…
“Ka tridhjetë vjet që nuk i ra në mendje njeriu ta bënte hidrocentralin, tha Nuri Hasa, Kryeplaku i fshatit. “Ky erdhi e më pyeti, – a ta bëj hidrocentralin, – po bëje i thashë… Unë e kam bo me bindje këtë gjë”, u justifikua ai.
Nuriu më tregoi se kishte rënë dakord me pronarin e kompanisë për ujitjen e tokave gjatë katër muajve të verës, por kur e pyeta, se a kishte një marrëveshje të shkruar, ai tha se nuk e kishte një të tillë. Pastaj i kujtova se ky ishte një Park Kombëtar dhe se çdo ndërtim kërkonte një leje, aq më tepër një hidrocentral. Fillimisht ai nguroi, por më pas u përgjigj me një ndjenjë shfajësimi:
“Po qenë ata të Parkut dje. U thashë, a keni takat, hë pra, ndalojeni! Pse nuk i përzini?!”.
Unë nuk u përgjigja, por nxora një buzëqeshje të lehtë. Ai vazhdoi:
“Ata janë si ushtarët! Ikën njoni e vjen tjetri. Këta janë të lidhur të gjithë si në valle, o mik…janë të gjithë ustallarë…”, – përfundoi.

Ndalova pranë mullirit. Ishte një ndërtesë fare e vogël guri, në hyrje të Hasajve, e fshehur prej vegjetacionit dhe mospërdorimit për një kohë të gjatë. Kërkuam çelësin mbi parvazin e një dritareze për të hapur portën e ndryshkur. U futa brenda dhe qëndrova në heshtje… – Ja, mekanizmi i vjetër…, një mrekulli! Guri i rëndë, në formën e një buke të madhe fshati, ndodhej brenda një karkase druri. Sipër qëndronte depozita e drithit, në formën e një piramide të përmbysur. Pranë grykës, aty ku lëshohej kokrra e drithit gjendej një rrotëz që mesa kuptohej, shërbente si regjistrator sasie. Ishte diçka e papërsëritshme, e denjë për t’u shpallur një objekt tradicional në mbrojtje. Qëndrova edhe pak çaste dhe kujtova gjithçka që kisha kaluar. “Po ua marrin”, – mendova. “Në fillim Gurrën e Kusarit, tani Gurrën e Zezë dhe këtë mulli të vjetër me ujë… Po ç’mbetet tjetër?”.
Qielli po mbyllej mbi Kurorën e Shebenikut. Në Qarrishtë po binte mbrëmja. Ishte koha për t’u kthyer.
Ka lajme të rreme
Ata u mblodhën të gjithë në Steblevë. Taulant Balla, Blendi Klosi, Zamir Dedej dhe Kastriot Gurra, shëtitën rreth brigjeve të liqenit artificial të Fushë-Studën, përpara se t’u flisnin të pranishmëve, në një ceremoni të organizuar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura në Ditën e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, të shtunën, në 25 maj.
Ata folën për të ardhmen e Parkut Kombëtar, për numrin e shtuar të vizitorëve dhe për kontributin e njëri-tjetrit, por askush nuk e përmendi Qarrishtën, Gurrën e Zezë dhe mullirin e mbetur pa ujë.

“Ka përpjekje për të dhënë lajme të rreme, – tha deputeti. “Parku Shebenik Jabllanicë është një prej zonave më të mbrojtura në Shqipëri”, deklaroi ai.
Në ikje, mbi një pllajë të zhveshur ku vallëzonin me petkat tradicionale disa nxënës shkolle, takova Zabit Biçakun, drejtorin e Gjimnazit të Zgoshtit.
“Çdo vit shkolla humbet dhjetë fëmijë, prindërit e të cilëve zhvendosen diku tjetër, për një jetë më të mirë”, më tregoi ai.
Ceremonia zyrtare përfundoi shpejt. Të ftuarit u larguan duke lënë vend për festën e vërtetë të Steblevës, mes haresë së valltarëve dhe atyre pak vendasve që shijuan tepsitë me byrekë dhe rakinë e kumbullës së egër.
- Fundi i pjesës së tretë –
Për pjesën e parë klikoni këtu https://portavendore.al/2019/05/14/triumfi-i-nje-turbine-fantazme/
Për pjesën e dytë klikoni këtu https://portavendore.al/2019/05/21/struktura-te-deshtuara/