Ngjarje/Personazhe

Gazetari fiton gjyqin përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës

29 maj 2019/ Diana Malaj/ Porta Vendore

E drejta e qytetarit për informim triumfon sërish- gazetari Artan Rama fiton kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Për herë të parë një gjykatë shqiptare vendos që e drejta e informimit duhet përmbushur menjëherë, pavarësisht se institucioni shtetëror mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit Administrativ. Kjo është një risi në praktikën gjyqësore sepse e konsideron të drejtën e informimit një të drejtë që duhet përmbushur pa humbur kohë.

Vendimi i dhënë me ekzekutim të përkohshëm është një dritë e re jeshile për këdo që do të përdorë këtë mënyrë në të ardhmen si kundërpërgjigje të përpjekjeve që institucionet tashmë i bëjnë rëndom. Duke shfrytëzuar faktin që vendimi ekzekutohet vetëm kur merr formë të prerë, institucionet prej kohësh përdorin këtë taktikë, përmes zvarritjes së gjyqeve dhe përdorimit të të gjitha mjeteve të ankimit, me qëllimin e vetëm vonesën e dhënies së informacionit deri sa ai të humbasë kuptimin dhe interesin e publikut. Gjykata Adminstrative i dha një goditje  të rëndë kësaj taktike, duke urdhëruar dhënien e menjëhershëm të informacionit, pa pritur apelin.

Institucionet qeveritare si organizma të ndërlikuar burokratikë duken sikur kanë në dorë fatin e çdokujt, ngjashëm me kështjellën kafkiane. Sa më shumë që hyn në to, aq më e paarritshme duket, e sa më shumë kërkon të hysh, aq më shumë do të të lënë të presësh. Pikërisht kjo shtyrje në kohë e të drejtës, si kërkesë arbitrare e institucionit, është pikënisja e betejës sonë për të mbërritur deri te e vërteta dhe e drejta. Një hap i vogël por që shkurton distancën mes qytetarit dhe drejtësisë, është fitorja e gazetarit investigativ kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Gazetari Artan Rama, përfaqësuar nga qendra “Res Publica” me avokate Zj. Irena Dule dhe avokat Z. Dorian Matlija, me mbështetjen financiare të programit të granteve të vogla të Departamentit të Shtetit, kanë arritur një tjetër fitore, kësaj rradhe kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me datë 20 maj 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka çmuar të ligjshme kërkesën e gazetarit Rama për të aksesuar informacionin publik shtetëror dhe ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë, duke garantuar edhe një herë të drejtën kushtetuese për informacion dhe shënjuar triumfin e individit kundër hermetizmit të institucioneve.

Në fund të janarit të vitit 2019, për arsye profesionale gazetari Artan Rama i drejtohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës me kërkesën për informacion në lidhje me listën e plotë të hidrocentraleve të cilat nuk janë objekt koncensioni (të kontraktuara apo të pezulluara), të miratuara që prej vitit 2015, me të dhënat e tyre (emrat, vendodhjen dhe fuqinë e instaluar). Përgjigja e pjesshme e ministrisë pasohet me një tjetër kërkesë nga gazetari investigativ. Refuzimi i paarsyeshëm dhe i pabazuar në ligj për të dhënë informacion nga ana e Ministrisë bie ndesh me një sërë parashikimesh ligjore, kushtetuese dhe konventash ndërkombëtare. Ky kufizim i bërë ndaj gazetarit, i cili kërkonte informacion jo për teka personale, por për interes publik as nuk ishte proporcional, as i domosdoshëm dhe as nuk mbronte ndonjë interes tjetër publik, privat apo kombëtar.

Në tejkalim të çdo afati ligjor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i jep informacion të pjesshëm kërkuesit, duke vënë në dispozicion një listë prej 73 hidrocentralesh që nuk janë objekt koncensioni, e duke mohuar haptazi informacionin e burimeve të tjera hidrike, të cilat nuk janë finalizuar me lidhje kontrate, me justifikimin që do të jepet më vonë, pasi të ketë përfunduar vlerësimin grupi kompetent.

Kundrejt kësaj ndërhyrjeje arbitrare institucionale, si dhe pas ezaurimit në rrugë administrative të kërkesës për informacion, duke përfshirë këtu edhe inspektimin nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, gazetari Artan Rama nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë vendos ta ndjekë çështjen në rrugë gjyqësore. Në gjykatë parashtrohet sërish kërkesa për të garantuar të drejtën kushtetuese të qytetarit në lidhje me informimin, duke i mëshuar faktit se ky informacion është me rëndësi të madhe për interesin public, e që nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë lloj kufizimi ligjor.

Në një kohë kur qeveria aktuale akuzohet haptazi për ‘babëzinë’ e ndërtimit të heceve dhe dhënies me koncension të çdo lumi, përroi, kanali, e ku paralelisht vazhdohet lufta për rrjedhjen e lirë të Vjosës, informacioni në lidhje me hidrocentralet që nuk janë objekt koncensioni është me interes publik për qytetarin. I legjitimuar jo vetëm nga ligji, por edhe nga nevoja e shoqërisë sonë për të pasur analizë të thelluar, të mbështetur në fakte e burime zyrtare, e rrjedhimisht objektive, gazetari parashtron përpara gjykatës kërkesën për të siguruar informacionin e mohuar.

Pas shqyrtimit të fakteve të çështjes dhe parashtrimeve të palëve, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e Tiranës del me një vendim pozitiv për gazetarin Artan Rama duke e detyruar kështu palën e paditur (MIE) të japë menjëherë informacionin e kërkuar.

Ky vendim pozitiv nuk është vetëm fitore për gazetarin në fjalë, por edhe rast shumë i rëndësishëm që sjell risi në praktikën gjyqësore që do të merret shembull për raste të ngjashme. Ndryshe nga çështje të tjera simotra, Gjykata kësaj rradhe ka pranuar të japë vendimin me ekzekutim të përkohshëm, çka mundëson marrjen e informacionit në kohë të arsyeshme, pa vonesa të tjera që mund të shkaktojnë dëme apo vështirësi në punën e gazetarit, si humbja e aktualitetit apo pamundësia për të gjurmuar institucionet.

Me fitore të tilla, institucionet qeveritare në dukje të përkryera, përpara ligjit nuk janë asgjë më shumë sesa ndërtesa me shumë të çara, prej nga syri guximtar i qytetarit mundet të depërtojë e të thërrmojë kompaktësinë e tyre.

Rreth autorit:
Diana Malaj është aktiviste e grupit rinor ATA në Kamëz dhe gazetare pranë gazetës lokale www.nyje.al