Vëzhgim/Analizë

Liqeni i Pogradecit, mbetjet “zëvendësojnë”turistët

29 maj 2019/ Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec

Në prag të sezonit turistik 2019, bregu i liqenit te Pogradecit është në ditët e tij më të zeza në pjesën më të madhe. Kjo për faktin se sasi të konsiderueshme mbetjesh urbane dhe bimore kanë pushtuar bregun, duke i dhënë atij një pamje aspak dinjitoze për turizmin, referuar edhe faktit se Bashkia pretendon se ka arritur të ngjitë disa shkallë të tjera për të arritur atë që quhet turizëm elitar.

Situata më problematike paraqitet kryesisht në dalje të qytetit, në drejtim të Drilonit dhe fshatit turistik të Tushemishtit. Në një gjatësi prej të paktën 5 km, bregu paraqitet mjaft i ndotur. Nëse do marrësh një ecje në këmbë nga zona e ish vilave të diktatorit Enver Hoxha, sot rezidencat qeveritare, e deri te ndërmarrja e kullimit pranë Drilonit, do konstatosh se situata është vërtet mjaft e rëndë, një alarm mjedisor, i cili po zhgënjen vizitorët ende pa nisur sezoni veror në këtë qytet.

Edhe grykëderdhjet e përrenjve në këtë liqen nuk i kanë shpëtuar kësaj problematike, duke filluar me përroin (lumin) e qytetit, që vijon më pas me përroin i Vërdovës dhe përfundon në përroine fshatit Starovë. Në të tria këto grykëderdhje mund të konstatosh lehtë sasi të mëdha mbetjesh urbane si: tekstile, plastikë, deri edhe tek ato organike apo bimore. Të gjitha i transportojnë përrenjtë nga pjesa e sipërme e fshatrave, banorët e të cilëve i hedhin mbetjet pa asnjë lloj përgjegjësie, derisa përfundojnë në ujërat e liqenit, që shfrytëzohet si plazh, jo vetëm nga pushuesit e ndryshëm, por edhe vetënga këta banorë.

Aktualisht, më problem paraqitet grykëderdhja e përroit Starovë, që sjell në liqen mbetjet e dy fshatrave, Rëmenj dhe Starovë,që kanë edhe një numër mjaft të madh popullsie e ku pjesa dërrmuese që jeton përgjatë përroit i hedhin mbetjet në të. Përgjatë gjatësisë së tij mund të gjesh edhe vendgrumbullime mbetjesh, tëkrijuara nga banorët, pasi njësia Buçimas nuk ka vendosur kontejnerë për hedhjen e mbetjeve. Ndërsa mbetjet bimore hidhen nga fermerët,pasi pastrojnë tokat bujqësore.

Tashmë prej disa javësh këto mbetje, pasi janë transportuar nga ujërat përfunduan në breg tëliqenit, një pjesë janë kthyer në pirgje dhe një pjesë tjetër ende vijon të mbeten në brendësi të ujit duke ndotur atë.

“Shfajësimi” i administratës

Porta Vendore kontaktoi me kryetarin e Njësisë Administrative të Buçimasit, Paqësor Berberi, që administron edhe bregun e liqenit nga zona e ish vilave, deri në fshatin turistik Tushemisht. “Ne e dimë që është e nevojshme vendosja e një sasie të konsiderueshme koshash përgjatë bregut të liqenit deri në Tushemisht. Ka qenë një kërkesë e përvitshme nga ana jonë ndaj bashkisë për të bërë të mundur blerjen e tyre, por për shkaqe fondesh diçka e tillë nuk është bërë e mundur dhe ne kemi qenë të detyruar që t’i grumbullojmë ato përgjatë sezonit pothuajse çdo mbrëmje me punëtorët tanë, por nuk kemi arritur dot t’i japim zgjidhje tjetër. Shpresojmë shumë që këtë vit bashkia të na i mundësojë koshat, në mënyrë që të mos kemi raste përsëritëse si ato të vitit të kaluar, apo edhe të tanishme që mbetjet hidhen në tokë”, pohon Berberi

Pirgje plehrash, kudo pranë liqenit të Pogradecit. Foto: Artin Halili

Ndërsa sa i përket mbetjeve urbane që dalin në breg të liqenit, Berberi tha se ky është një nga fenomenet më të mëdha që na shoqëron përgjatë pranverës dhe sezonit turistik. “Sasia e mbetjeve që derdhen në liqen kryesisht në grykëderdhjet e përrenjve është mjaft e madhe. Ne përpiqemi me sa kapacitete kemi dhe burimet njerëzore të pastrojmë ato, por ka aq shumë mbetje që hidhen nga banorët saqë është shumë e vështirë për ta menaxhuar situatën. Ne kemi pastruar në kohë të ndryshme bregun, por me shiun e parë përrenjtë kanë sjellë sasi edhe më të mëdha, pasi shtrati i tyre është i tejmbushur. Unë kam inspektuar përgjatë këtyre ditëve përroin e fshatit Rrëmenj,që bashkohet me atë të fshatit Starovë. Ne kemi tentuar herë pas here të sensibilizojmë banorët e fshatrave për të mos i hedhur mbetjet, por asgjë nuk ndryshon. Kemi ushtruar presion edhe se do t’i gjobisim, por sërish nuk ndalen. Nuk kemi gjobitur njeri deri më sot, pasi edhe nëse e bëjmë nuk kemi asnjë lloj mënyre për t’i vjelë ato më pas. Jemi përballë një fenomeni që duhet të gjithë të sensibilizohen, fundja edhe këta ndotës do të lahen nesër në liqen. Ky është njëri ndotës, krahas edhe sasisë mjaft të madhe të algave që nxjerr liqeni dhe që këto kohë kanë qenë me tonelata pasi ne i pastruam ato vetëm pak ditë më parë’ përfundon Berberi.

Ndërsa nga ana e kryetarit të bashkisë Eduard Kapri pritet që në ditët në vazhdim të ketë një dëgjesë me krerët e njësive dhe kryepleqtë mbi prioritetet e sezonit turistik të këtij viti dhe mënyrën se si do menaxhohet situata, ku theksi pritet të vendoset edhe tek mbetjet urbane dhe pastrimi i tyre në kohën e duhur.

Por, teksa temperaturat po shkojnë drejt rritjes në Pogradec, është shënuar edhe një rritje e numrit të vizitorëve ditorë sidomos në fundjavë. Pogradeci, liqeni, shëtitorja, Driloni dhe Tushemishti janë mjaft të preferuar nga vizitorët për shëtitje, kryesisht për qetësinë që ofrojnë këto zona, por teksa sheh edhe situatën nga mbetjet dhe mospastrimin e tyre mund të dallosh lehtë edhe zhgënjimin që pësojnë edhe vizitorët për papërgjegjshmërinë e Bashkisë, administratës së Buçimasit dhe punëtorëve të pastrimit. Në asnjë moment të ditës ata nuk i sheh të pastrojnë, por duket se edhe kur duken në zonë nuk bëjnë pastrim përveçse i grumbullojnë plehrat në vende të ndryshme dhe më pas i lënë aty.

Dy pensionistë të cilët kalojnë në këtë pjesë të liqenit çdo ditë, konfirmojnë atë se çfarë Porta Vendore konstatoi me situatën e mbetjeve. Pensionistët shprehen të zhgënjyer me situatën e krijuar. Ata dalin për ecje çdo ditë bregut të liqenit, por si situatën si këtë vit nuk e kishin parë asnjëherë. Teksa pohojnë se po, kanë parë punëtorët e pastrimit në zonë, nuk e kuptojnë pse plehrat janë ende në breg apo të mbledhura në pirgje.

Një tjetër problematikë që vihet re teksa vëzhgonim bregun në këtë pjesë të liqenit është edhe mungesa e koshave të mbetjeve, që duhej të vendoseshin nga njësia administrative Buçimas, e cila administron këtë zonë. Koshat nuk mungojnë vetëm tani por edhe në verë, ç’ka detyrimisht bën që kalimtarët apo vizitorët t’i hedhin mbetjet në tokë, siç mund të shikoni edhe në foto.

Banorët i hedhin mbetjet në rrugë, në njësinë administrative në Buçimas. Foto: Artin Halili

Pra në të gjithë gjatësinë e saj nga ish vilat e deri në Tushemisht nuk ka asnjë kosh në këtë periudhë të vitit, ndërsa mbetjet i gjen ose të përhapura në tokë ose nëpër thasë, një mënyrë aspak normale për mbledhjen e plehrave, aq më tepër në një aks rrugor kaq të qarkullueshëm si ky Pogradec-Tushemisht.

Fondi për pastrimin

Bashkia Pogradec, nga të dhënat zyrtare që ka siguruar Porta Vendore, rezulton të mbledhë sasi të kënaqshme të ardhurash nga pastrimi, si në qytet por edhe në njësitë administrative. Duke qenë se problemi për të cilin po trajtojmë prek Pogradecin qytet dhe Njësinë Buçimas, po ju sjellim nëvëmendje një panoramë të shkurtër të dhënash mbi të ardhurat që bashkia mbledh, dhe shpenzimet që kryen për pastrimin, i cili në fakt le për të dëshiruar.

Në total përgjatë vitit 2018-të Bashkia ka mbledhur 52,796,000 lekë të rinj nga të ardhurat e pastrimit. E teksa njësia Buçimas mbledh dhe i dorëzon administratës së bashkisë 6,3 milionë lekë për pastrimin, nuk është e aftë të menaxhojë si duhet pastrimin e mbetjeve, pasi ka mungesë të theksuar mjetesh, punëtorësh apo edhe mungesë në të gjitha fshatrat e saj tëkontejnerëve për grumbullimin e mbetjeve. Pra, biznesi dhe banorët paguajnë, por këto para si atyre, si njësisë, nuk i konvertohet në shërbim nga ana e bashkisë.

Bashkia deklaron se në total për 4 njësitë administrative ku kryhet pastrim shpenzohen në total rreth 10 milion lekë të reja . Këto të ndara në shpenzime karburanti, paga punonjësish dhe shpenzime mirëmbajtjeje të automjeteve. Pra krahas 41,5 mln që merr firma e patrimit, Bashkia harxhon edhe 10 milion lekë për njësitë administrative.

Edhe pse Buçimas merr më shumë para për këtë shërbim, ndotja në mjedis mbetet në nivele shumë ta larta.

previous arrow
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1)
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
next arrow

Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.