Ndodhi

Rritet çmimi i transportit urban në Durrës, pa u konsultuar me grupet e interesit

27 maj 2019/ Vali Qyrfyci/ Porta Vendore/ Durrës

Rreth dy muaj më parë, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi propozimin e Bashkisë për rritjen e çmimit të transportit qytetas me autobusë, nga 30 në 40 lekë për udhëtar. Në mungesë të këshilltarëve demokratë që bojkotuan të gjithë mbledhjen, këshilltarët bashkiakë të majtë dhe ata të LSI-së bashkuan votën për ta miratuar këtë rritje të çmimit pa asnjë hezitim në lidhje me koston sociale të këtij vendimi.

Shumë prej qytetarëve që udhëtojnë rëndom në linjat urbane të Durrësit nuk janë në dijeni të këtij vendimi që hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes së tij.

“Nuk jam në dijeni, po nuk më duket aspak vendim i mirë. 30 lekë është mirë, po në fund ata e dinë vetë”, shprehet një grua që po udhëton me autobusin e linjës Durrës-Plepa. Jo pa ironi, një tjetër udhëtar i linjave urbane në Durrës thotë: “Për ne pensionistët bëhet mirë se me 100 mijë lekë pension jemi. Edhe më shumë të bëhet”.

Kategoria më e prekur nga kjo rritje çmimi janë pensionistët dhe personat pa një punë fikse, por edhe shumë studentë, të cilët nuk arrijnë të sigurojnë çdo muaj një abone për të përfituar një vlerë më të reduktuar të transportit urban. “Pse nuk e bëjnë 20 lekë sa ishte?! Pse e ngrenë? Vetëm në Shqipëri rritet çmimi i naftës? Është turp. Ne jemi pensionistë dhe as abone nuk na japin se shiten me klientelizëm. Nuk e di se çfarë bëhet në këtë vend”, shprehet i shqetësuar një tjetër pensionist teksa pret të udhëtojë me autobusin e linjës urbane Durrës-Spitallë. “Mirëqenia vjen duke u rritur, po duhet të ishin konsultuar me popullin. Ka shumë njerëz që janë shumë të varfër e nuk e përballojnë dot. Për mua vlera 40 lekë është e përballueshme, po për shumë të tjerë jo”, thotë një tjetër qytetar.

Procesi për rishikimin e tarifës është kryer pa konsultime me grupet e interesit, duke marrë në konsideratë vetëm ankesën e operatorëve privatë për rritje të vazhdueshme të shpenzimeve. Në relacionin mbështetës të këtij propozimi, tashmë të miratuar, Bashkia paraqet pretendimet e operatorëve të shërbimit të transportit të udhëtarëve qytetas, të cilët informojnë se kosto e transportit qytetas është rritur ndjeshëm që nga viti 2013 e në vazhdim. Sipas autoritetit vendor, operatorët që ofrojnë shërbimin kanë sjellë pranë Bashkisë “argumente financiare të paraqitur për 10 mujorin e vitit 2018, duke dhënë për çdo muaj të ardhurat dhe shpenzimet”, po në relacionin që i është paraqitur Këshillit Bashkiak bashkangjitur projekt-vendimit jepen vetëm grafiqet e shpenzimeve të kompanive private, po jo të ardhurat e siguruara prej tyre nga shërbimi që ofrojnë. Mungon në këtë relacion edhe numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar linjat urbane, përfshirë raportin mes atyre që atyre që e marrin shërbimin përmes biletës, abonesë dhe atyre që e përfitojnë falas. Mungesa e të ardhurave në relacionin e paraqitur para të zgjedhurve të qytetarëve në nivel vendor e bën të paqartë raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve për këto kompani, duke krijuar dyshime mbi vendimin për rritjen e çmimit të biletës, vendim që kaloi në heshtje, vetëm me ngritje kartoni nga këshilltarët e pranishëm në mbledhje.

Duke iu referuar operatorëve privatë, Bashkia në relacion vë në dukje se ata kanë rritje të shpenzimeve në disa drejtime, ku rritja e çmimit të naftës zë pjesën më të madhe të shpenzimeve. “Nga 100 lek/litër që ka qenë kur kanë filluar operimin sipas kontratës me Bashkinë, nafta është rritur vit pas viti duke shkuar 133 lek/litër e deri 135 lek/litër në disa raste”, thuhet në relacion. Ndër të tjera në relacion deklarohet dhe se ka rritje të kostos nga rritjet e nivelit të taksave, si norma e tatim fitimit e cila ka ndryshuar nga 10% ne 15%; shpenzimet vjetore për paga kanë ardhur në rritje si pasojë e rritjes së numrit të personelit të kompanisë dhe rritja e vit pas viti të pagave të tyre.

Kjo rritje e kostove që vjen nga shtimi i personelit dhe i pagave, padyshim që ka ardhur si rezultat i shtimit të volumit të punës dhe numrit të udhëtarëve në linjat urbane, po kjo nuk përmendet në relacion, ku vihet në pah se janë rritur në mënyrë të ndjeshme pasagjerët me kartë invaliditeti dhe abone, si dhe fëmijët deri në 6 vjeç që qarkullojnë pa pagesë, gjë e cila ka sjellë rritjen e nivelit të humbjeve në bilancet e përgjithshme, shpenzime-të ardhura.

Një tjetër argument i sjellë për rritjen e çmimit është dhe rritja e flotës së autobusëve të blera kryesisht me kredi, e që ka çuar dhe në rritje të shpenzimeve dhe mirëmbajtje të autobusëve nga amortizimi normal i përvitshëm, si dhe pagesat për taksa, kolaudime, siguracione, etj. Po interesat e qytetarëve, përfitues të këtij shërbimi kush i mbron, nëse jo Bashkia?

Në asnjë rast në relacion nuk llogaritet efekti i këtij vendimi te konsumatorët, qytetarët-marrës të këtij shërbimi. Grupet e interesit janë lënë jashtë kësaj vendimmarrjeje. Lidhur me këtë vendim, Porta Vendore kontaktoi Qendrën e Konsumatorit Shqiptar në Durrës e cila gjatë vitit 2018 ka monitoruar shërbimin e transportit publik qytetas në Bashkinë e Durrësit, por as kjo qendër që mbron të drejtat e konsumatorëve nuk ishte në dijeni të këtij vendimi. Ndërkohë sipas Bashkisë së Durrësit, rritja e çmimit të biletës, do të sjellë dhe investime të reja nga operatorët privatë dhe rrjedhimisht rritjen e cilësisë së shërbimit në 6 linjat e transportit urban të qytetit bregdetar të Durrësit.

Tabelat e mëposhtme janë pjesë e relacionit të bashkisë

Rreth autorit:
Vali Qyrfyci është korrespondente e TCH për Durrësin.