Ndodhi

Rrugët e zonës industriale ne qytetin e Korçës, në gjendje problematike

25 maj 2019/ Mariglen Bita/ Porta Vendore/ Korçë

Ndonëse një nga zonat me të rëndësishme ekonomike të qytetit të Korçës, zona industriale që ndodhet në hyrje të qytetit lë mjaft për të dëshiruar për sa i përket infrastrukturës, veçanërisht asaj rrugore.

Rrugët e brendshme që përshkojnë këtë zonë janë në gjendje tejet të amortizuar, madje në disa rrugë gjendja është e mjeruar. Gjendja e tyre e keqe është kthyer në një problem të përditshëm e shqetësim të vazhdueshëm për bizneset dhe banorët e zonës. Pikërisht në këtë zonë ushtrojnë aktivitetin mjaft biznese e fabrika që kontribuojnë jo pak në ekonominë e qytetit, por që nuk marrin mbrapsht vëmendjen e merituar. Pas viteve ’90, në këtë zonë u shpërngulën edhe mjaft familje nga zonat rurale, të cilat erdhën këtu për një jetë më të mirë e shërbime më cilësore, por një pjesë e këtyre aspiratave mbeten të paplotësuara. Ata janë ndjerë të harruar për sa i përket investimeve e ndërhyrjeve që pushteti lokal duhet të kishte kryer ndër vite.

Bardhi, një banor i zonës, tregon se në rrugën ‘’Riza Mançe’’ ku ai ka edhe banesën, prej më shumë se 25 vitesh nuk është kryer asnjë investim. “Kanalizimet e ujërave të zeza i kemi kryer me forcat tona, por nuk kemi mundësi të bëjmë edhe rrugën. Gropat e mbushura me ujë na bëjnë të ndihemi sikur nuk jetojmë në qytet. Gjatë dimrit na shqetëson uji e balta, ndërsa me ardhjen e verës e rritjen e temperaturave, nuk mund të dalim nga shtëpitë tona për shkak të pluhurit. E vetmja gjë që kemi me shumicë, janë premtimet në prag fushatash zgjedhore dhe tek-tuk ndonjë makinë çakëll që me shiun e parë, e bën rrugën edhe më keq”, tregon Bardhi.

Duke ecur në këtë lagje ndeshemi edhe me banorë të tjerë, të cilët ndajnë të njëjtat shqetësime. Kjo është një zonë e legalizuar thonë ata. “Shtëpitë i kemi me dokumentacion të rregullt. Paguajmë rregullisht taksat lokale, por ndihemi si qytetarë të dorës së dytë”. Selaudin Kupe një banor i zonës, thotë se gjendja është e njëjtë prej vitesh. Ai e ka humbur shpresën se gjërat do të përmirësohen dhe se nipërit e tij do të kenë kushte më të mira, duke nisur që nga rruga e shërbime të tjera. Vlera e ndërhyrjes për të përmirësuar rrugët, sipas tij nuk është e madhe por sipas Selaudinit mungon dëshira për t’i bërë këto punë.

Zona industriale përshkohet nga rruga kryesore që lidh Korçën me rrugën nacionale, një rrugë kjo në gjendje të mirë, por që bën kontrast të thellë me pjesën tjetër të infrastrukturës rrugore në këtë zonë. Këtu janë të përqendruara mjaft biznese që ofrojnë servis për makinat apo edhe të tjera, që operojnë në industrinë e pijeve dhe ushqimeve. Për të gjithë, lëvizja e përditshme në këto rrugë të amortizuara është kthyer në një stres.

Gjatë ecjes dhe vëzhgimit tonë në këtë zonë vumë re se gjendja e rrugëve është problematike dhe lë mjaft për të dëshiruar. Situata është e ngjashme në rrugën “BANTIA”, në rrugën “Koço Mio”, si edhe në rrugë të tjera. Koha mjaft e gjatë e mungesës së investimeve i kalon në fakt kornizat e caktuara politike, ku çdo drejtim i pushtetit vendor ka përgjegjësitë e veta, por mbi të gjitha është një apel për ndërhyrje të menjëhershme. Në lidhje me këtë problematikë burime në zyrat e investimeve pranë Bashkisë Korçë bëjnë me dije se ka nisur tashmë një projekt, i cili ndodhet në zyrat e urbanistikës. Synim i projektit do të jetë pikërisht përmirësimi i infrastrukturës në këtë lagje. Shpresojmë që së shpejti nga fjalët të shkohet tek veprat dhe gjendja e infrastrukturës rrugore në zonën industriale të Korçës të zgjidhet përfundimisht.

previous arrow
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1)
Gropa në rrugë
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy
Rruga Riza Mançe
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy
Rruga Bantia
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy
Rruga Bantia (2)
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy
Rruga Koço Mio
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy
Rruga Koço Mio
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy
Rruga Riza Mançe
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy
Rrugë zona industriale
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
next arrow

Rreth autorit:
Mariglen Bita është gazetar për qarkun e Korçës.