Vëzhgim/Analizë

Të zhytura në borxhe, çdo qytetar duhet të paguajë 2.418 lekë që bashkitë të mos kenë më detyrime

23 maj 2019/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Bashkitë janë të zhytura në borxhe, pavarësisht se stoku i detyrimeve të tyre u ngushtua vitin e fundit. Në Status raportin për financat vendore, publikuar nga CoPlan dhe Ministria e Financave theksohet se shuma e detyrimeve që rëndon mbi buxhetin e 61 bashkive vlerësohet në rreth 6.8 miliardë lekë. Krahasuar me fundin e vitit 2017, stoku aktual rezulton të jetë ngushtuar me rreth 2.4 miliardë lekë ose me rreth 26.9%.

Të dhënat e detajuara tregojnë se kontributin kryesor në tkurrjen e detyrimeve të prapambetura e dhanë bashkitë Tiranë, Selenicë, Korçë dhe Përrenjas.

Në të kundërt, rreth 54.1% e bashkive (ose rreth 34 bashki) rezultojnë të kenë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2017. E thënë ndryshe, kanë krijuar borxhe të reja.

Rritje e qenësishme vihet re në bashkitë Kamëz, Dibër, Bulqizë Mat, Mirditë, dhe Ura Vajgurore. Në nivel bashkie, rreth 68.3% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki.

“Në raport ndaj PBB-së, detyrimet e prapambetura përfaqësuan rreth 0.41%. Mesatarisht, detyrimet e prapambetura të bashkive rëndojnë qytetarët për rreth 2,418 lekë për frymë. Në nivel bashkie, detyrimet e prapambetura për frymë shënojnë vlerën maksimale në bashkinë Konispol me rreth 13,755 lekë për frymë dhe vlerën minimale në bashkinë Maliq me rreth 57 lekë për frymë”, theksohet në raport.

Ekspertët shpjegojnë se pjesë e këtyre borxheve janë edhe detyrimet e krijuara nga ish-komunat, që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të reformës administrative territoriale, duke u bërë kështu barrë e qenësishme për buxhetet vendore. Kjo pasi i gjithë stoku i borxhit duhet të paguhet nga 61 bashkitë e reja.

Sipas ligjit, qeveria shlyen vetëm detyrimet për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore.

Bashkitë me stokun më të madh të borxheve?

Sipas të dhënave, në fund të vitit 2018, nivelin maksimal te detyrimeve të prapambetura e ka Bashkia Tiranë me rreth 2 miliardë lekë, ose 29.5% ndaj stokut total. Në vend të dytë renditet bashkia e Pogradecit me rreth 417.4 milionë lekë borxhe ose rreth 6.2% ndaj totalit.

Bashkitë me kanë stokun më të ulët të detyrimeve të prapambetura për periudhën e konsideruar janë bashkitë e Këlcyrës dhe Shijakut.

Zerimi i këtyre detyrimeve duket e vështirë për të mos thënë e pamundur për shumë bashki. Kjo duke pasur parasysh gjendjen financiare të tyre. Të dhënat tregojnë se në mbyllje të 2018-ës, viti i katërt i plotë pas hyrjes në fuqi të reformës administrative territoriale, pushteti vendor nuk ka arritur të fitojnë autonominë financiare, por mbetet i varur nga financimet e qeverisë qendrore.

Bilanci i këtij mandati të parë për 61 kryebashkiakët tregon për rritje të të ardhurave, kryesisht nga rritja e taksave dhe tatimeve sesa nga përmirësimi i performancës në mbledhjen e tyre, si dhe orientimin e pjesës dërrmuese të shpenzimeve në paga e shpenzime të tjera operative, ndërkohë që shpenzimet kapitale, të njohura ndryshe si investimet janë në rënie.

Ndaj kujt janë borxhet?

Një pjesë e borxheve të bashkive janë të trashëguara. E thënë ndryshe, ato janë krijuar në vite nga ish komunat dhe pas reformës administrative territoriale i takon bashkive të reja që t”i shlyejnë.

Detyrimet janë të dy kategorive: detyrime të krijuara si pasojë e mos përmbushjes në afat të detyrimeve kontraktore në kontrata me pale të tjera. Këto kontrata janë kryesisht për realizimin e investimeve, blerjeve të mallrave, realizimit të shërbimeve. Këtu hynë edhe detyrime të mospagesës së faturuar (energji elektrike) apo detyrimeve të dëmit kontraktor dhe jo vetëm (dëmshpërblime sipas një vendimi gjyqësor).

Kategoria e dytë ka të bëjë me detyrime për shkak të huamarrjes, sipas ligjit nr. 9869 të vitit 2008 “Për huamarrjen Vendore” për njësitë e qeverisjes vendore komuna apo bashki.

Sipas një rregulloreje të Ministrisë së Financave, që është e vlefshme si për pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor, borxhet që janë krijuar të parat duhet të shlyhen të parat. E thënë ndryshe, bashkitë duhet të paguajnë në listën e detyrimeve të tyre ato që rezultojnë të krijuara më herët dhe më pas sipas radhës me detyrimet e tjera.

Bashkitë nuk marrin dot hua

Në mungesë apo prani të mjeteve financiare të pamjaftueshme, ligjërisht bashkitë në vend mund të marrin hua afatshkurtër me qëllim mbulimin e nevojave për  likuiditet afatshkurtër ose afatgjatë me qëllim financimin e shpenzimeve kapitale apo rifinancimin e një huaje ekzistuese. Kjo të paktën teorikisht në bazë të ligjit nr. 9869/2008 “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”. Por aktualisht, për shkak të borxheve të mëdha dhe pamundësisë për t’i përballuar, bashkitë nuk po marrin hua, as për investime dhe as për të shlyer borxhe të vjetra.

Bazuar në të dhënat e publikuara në regjistrin e borxhit në fund të vitit 2018, rezulton se bashkitë Korçë, Pogradec, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe ish-komuna Petrelë kanë përfituar hua. Të gjitha huat e lartpërmendura janë kontraktuar në vitin 2010 dhe vitin 2014, me qëllim financimin e projekteve infrastrukturore. Pas vitit 2014, asnjë bashki nuk rezulton të ketë marrë hua.