Ndodhi

Bashkia nuk aplikoi, humbën shansin për banesa dinjitoze 30 familje të varfra

22 Maj 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

30 familje të klasifikuara si të varfra, humbën mundësinë për përmirësim të kushteve të banesave të tyre, pasi Bashkia Elbasan nuk aplikoi në kohë për të përfituar mbështetje financiare nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Afati i fundit ishte 15.03.2019, dhe pavarësisht aplikimit me dokumentacion të 30 familjeve, institucioni vendor nuk e dorëzoi në kohë aplikimin për programin “Përmirësim të kushteve të banesave ekzistuese” që ka rreth 4 vjet që zbatohet në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet financimit nga Buxheti i Shtetit. Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome si çdo vit ndoqi dhe udhëhoqi procesin, por që në përfundim u mbyll me një lajm të keq për 30 familjet aplikuese.

Sipas përfaqësuesve të organizatës, procesi edhe pse u ndoq me vonesë për shkak të mungesës së njoftimit, në kohë rekord u përgatit dokumentacioni i aplikimit, edhe pse Bashkia Elbasan nuk bëri asnjë njoftim për hapjen e programit.

“LRER u informua për hapjen e programit më datë 8 Mars, 7 ditë përpara përfundimit të afatit, pas një kërkese informacioni drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Aktivistët e LRER-së zhvilluan një takim me nënkryetarin e Bashkisë Elbasan, me qëllim nxitjen e procesit për zbatimin e programit për vitin 2019. Bashkia vendosi të nisë procesin dhe të pranojë aplikimet nga familjet e interesuara. Më pas, aktivistët zhvilluan një takim me familjarët e interesuar, ku i informuan dhe shpjeguan programin, procedurat, kriteret dhe dokumentacionin e duhur për të aplikuar pranë Bashkisë” tha Besnik Bodurri, përfaqësues i LRER-së, në Elbasan.

Falë mbështetjes së LRER, aplikuan në mënyrë të rregullt 30 familje të komunitetit egjiptian dhe rom, të konfirmuara nga përfaqësuesit e bashkisë. Hapi i radhës ishte hartimi i projektit dhe paraqitja e kërkesës nga ana e Bashkisë Elbasan drejtuar MFE.

Edhe pse përpjekjet ishin maksimale që këtë vit Bashkia Elbasan të mos humbte mundësinë të mbështeste familjet e varfra, Ministria e Ekonomisë deklaroi se Bashkia Elbasan nuk ka paraqitur kërkesë për këtë program. “Edhe pse tentuam vazhdimisht të marrim një përgjigje nga përgjegjësit në bashki mbi faktin e mungesës së aplikimit, ky takim na u refuzua vazhdimisht e kështu familjarët vendosën të mblidhen para Bashkisë Elbasan dhe kërkuan takim me personin përgjegjës. Një përfaqësi e tyre u prit në zyrë. U kërkua me ngulm paraqitja e kërkesës pranë MFE. Bashkia e argumentoi mosparaqitjen e kërkesës me faktin e kohës së shkurtër në dispozicion për hartimin e projektit kur mbeteshin edhe dy ditë nga përfundimi i afatit”, tha Besnik Bodurri, përfaqësues i LRER-së, në Elbasan.

Nisur nga presioni i krijuar prej banorëve, Bashkia deklaroi se do të kërkonte shtyrje të afatit, por kjo kërkesë nuk u miratua, dhe familjet e humbën të drejtën për të përfituar nga programi i këtij viti.

E njëjta situatë u përsërit edhe një vit më parë ku pas kërkesës së vazhdueshme të familjarëve dhe të aktivistëve, u bë e mundur një shtyrje afati dhe nga kjo përfituan 24 familje.

Ky program i qeverisë shqiptare ka 4 vjet që aplikohet në të gjitha bashkitë e vendit. Por është aplikimi dhe dokumentacioni që i bën bashkitë fituese. Fillimisht nga programi kanë përfituar familjet rome, më pas edhe ato egjiptiane, ndërsa këtë vit programi kishte të përfshira familje të varfra me banesa në gjendje të amortizuar dhe me domosdoshmëri për ndërhyrje në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Agron Kurti, një ndër kryefamiljarët që humbën mundësinë për të pasur shtëpi të përmirësuara, thotë se kishte kohë që e priste këtë moment, pasi gjendja e vështirë ekonomike nuk ia lejonte të ndërhynte në banesën e tij të amortizuar. “Jemi shumë të zhgënjyer. Bëmë dokumentet gati me shpresën se këtë verë shteti do na ndihmonte të riparonim çatinë, pasi shtëpia është në gjendje të keqe. Nuk dimë pse ndodhi kjo. Ne protestuam para bashkisë me qëllim që aplikimi të rihapej por ishte shumë vonë”, tregon me shpresa të pakta Agroni.

Ndërsa familjet duhet të presin deri në vitin e ardhshëm që të kenë mundësi të riaplikojnë në po të njëjtin program, kjo sepse gjatë vitit buxhetor Bashkia Elbasan nuk ka para për të përballuar këtë situatë.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në qytetin e Elbasanit.