21 maj/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Librazhd
Pjesa e dytë e Ciklit “Triumfi i një turbine Fantazmë” –një seri shkrimesh hulumtuese mbi ndërtimin e HEC-it në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
HEC Qarrishte u përurua në dhjetor të 1968-s. Si më i vogli prej gjashtë HEC-eve komunale të Librazhdit të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, fati e solli të ishte më jetëshkurtri. Në 1989-n pushoi së funksionuari.
Tridhjetë vjet më pas po rikthehet sikur të ketë ekzistuar përgjithmonë, ashtu siç pasqyrohet edhe ne pjesëshkrimin e mëparshëm të Portës Vendore mbi këtë çështje.
Por ndërkohë, një legjislacion i tërë mjedisor është krijuar nga e para. Një duzinë mekanizmash mbrojtëse sigurojnë atë që sot përbën 18% të gjithë territorit të vendit: Zonat e Mbrojtura!
Në 2008-n, Qarrishta u bë pjesë e Parkut më të madh Kombëtar në vend: Parku Shebenik-Jabllanicë.
Më pas, në 2014-n, u riorganizua Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Në 2015-n u themelua Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Dhe në të njëjtën kohë u krijua Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.
Në maj të 2017-s, ndërtimi i hidrocentraleve brenda territoreve të parqeve kombëtare u ndalua me ligj.
Dhe në prill të 2018-s u krijua Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Por të gjithë ranë përpara një ish HEC-i të vogël në Qarrishtë të Librazhdit.
Platforma për Bashkëqeverisjen
“Unë nuk jam polici”, – thotë Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej. “Ligji nuk na e njeh të drejtën e inspektimit. Ne vetëm konstatojmë shkeljen dhe më pas materialet ia përcjellim Inspektoratit të Mjedisit”.

Por Inspektorati i cili ka qenë në dijeni të punimeve qysh prej shtatorit të shkuar, lëvizi zyrtarisht vetëm tani, në fillim të majit.
Shkak u bë një email që mbërriti nga Zyra e Bashkëqeverisjes. Kjo e fundit kishte marrë më parë një kërkesë nga disa banorë që ishin kundër ndërtimit të një ish HEC-i në Qarrishtë.
Me të vërtetë, një numër emailesh të shkëmbyera, prej të paktën katër agjencive dhe dy ministrive mes njëra-tjetrës dhe që koordinoheshin mes tyre nga Zyra Qendrore e Bashkëqeverisjes, konfirmojnë përpjekjet dy-mujore të agjencive shtetërore për të zgjidhur (pa sukses) ankesën e cila identifikohet në sistem me numrin 103218.
Fillimisht ajo i është përcjellë Ministrisë së Energjisë, e cila ia ka deleguar Ministrisë së Mjedisit. Kjo e fundit ia ka kaluar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Përgjigja e AKM-së nuk ka mjaftuar dhe Zyra e Bashkëqeverisjes ka kërkuar mendimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), që nga ana e saj, ka përsëritur të njëjtin qëndrim refuzues si disa muaj më parë. Në fund, Zyra iu drejtua Inspektoratit.

Inspektorati Rajonal i Mjedisit, me qendër në Elbasan, inspektoi vendngjarjen pas një urdhri inspektimi të përpiluar në 30 prill.
Inspektimi zgjati vetëm një ditë dhe në fund nuk u konstatua asnjë shkelje.
Akoma më shumë, ndërsa për subjektet minerare, sipas check-listave të inspektimit, kërkohej dokumentacioni, për HEC-et, pikërisht ky kriter merrej i mirëqenë.

Mesa duket listat nuk janë përditësuar, – thotë ing. Zef Ymeraj, inspektor pranë Drejtorisë së Inspektoratit të Policisë Pyjore (DIPP). “Por fryma e inspektimit mbështetet mbi parimin se të gjithë operatorët ekonomikë që ushtrojnë biznes brenda Zonave të Mbrojtura duhet të jenë pajisur me dokumentet ligjore përkatëse”.
Në vijim inspektorët i kërkuan kompanisë Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), duke i dhënë mbi tetë ditë kohë, deri në 13 maj, për ta sjellë. Por kompania nuk dorëzoi asnjë raport deri në 13 maj.

Pjesë nga formulari inspektimit.
Ende deri tani nuk është dorëzuar asnjë raport vlerësimi.
Zyra e Bashkëqeverisjes nuk i ka kthyer akoma përgjigje ankesës me numër 103218, ndonëse publikisht ka premtuar jo më vonë se dhjetë ditë pune.
“Po mbushen tre muaj”, – thotë Ylli Hasa, një përfaqësues i banorëve. “Hidrocentrali është duke përfunduar, por deri tani asnjë zgjidhje!”.
“Petrol Alba”
“IDI 2005” ka blerë truall dhe jo hidrocentral. Pasuria, në pronësi të “Petrol Alba” sh.a, një shoqëri anonime me kapitale 100% shtetërore, doli në ankand të hapur dy vite më parë me objekt të shitjes: Shitje pasuri e shoqërisë (truall + ndërtesë) e ndodhur në Qarrishtë.
Shteti përfitoi vetëm 1. 9 milionë lekë nga shitja e truallit, por mund të kishte fituar edhe më shumë, nëse në Buletinin e Njoftimeve Publike objekti i shitjes të ishte shpallur si “ish HEC” e jo vetëm truall, pasi mund të kishte tërhequr edhe të tjerë investitorë, të cilët mund të afronin një shumë edhe më të madhe, për aq kohë që biznesi i prodhimit të energjisë elektrike është kaq i preferuar.
Sipas një vlerësimi paraprak të urdhëruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, katër muaj përpara shitjes, Ish HEC Qarrishte ishte grupuar “në listën e HEC-eve të vogla të cilat ishin nxjerrë jashtë funksionit, që nuk prodhonin dhe nuk ishin të pajisura me leje për shfrytëzimin e ujërave”.
“Kjo është një grackë ku po bien të gjithë”, – thotë Klodian Aliu, një ekspert mjedisor. “Ti mund të rikonstruktosh një kanal vaditës, një truall apo një shtëpi. Por asnjë rikonstruksion nuk mund të shndërrojë një ish HEC në HEC”, vlerëson ai.
“Një HEC duhet të ketë një miratim apo kontratë me Ministrinë e Energjisë dhe akoma më shumë, një leje për përdorimin e burimit të ujit”, – thotë Drejtori i Politikave të Zhvillimit të Energjisë në Ministrinë e Energjisë, Z. Agim Bregasi. “Hidrocentrali nuk është thjesht një ndërtim mbi një truall privat”.
Zyrtarisht nuk ekziston asnjë kontratë apo një marrëveshje mes Ministrisë së Energjisë dhe kompanisë “IDI 2005” për ish HEC Qarrishtën. Mungesa e saj e bën të pamundur edhe marrjen e lejes për përdorimin e ujit nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Bashkia
Në janar të 2018-s Bashkia e Librazhdit i dha “IDI 2005”të drejtën për “Rikonstruksionin e Hidrocentralit Qarrishtë”. Ishte hera e parë kur në një dokument zyrtar shkruhej “hidrocentral” e jo “ish HEC”.
Ndonëse një deklaratë e thjeshtë për punime të lehta, falë saj, “IDI 2005” ia doli të ndërtonte nga e para një godinë të re, një kanal me përmasa të reja dhe një tub presioni tre herë më të madh se i pari; ia doli të zmbrapsë të gjitha inspektime, të gjithë inspektorët.
Por edhe për rikonstruksionet, ndonëse ndërhyrjet janë të lehta, kërkohet paraqitja e një dokumentacioni, në përputhje me legjislacionin e planifikimit të territorit.
“Të gjithë operatorët ekonomikë brenda Zonave të Mbrojtura, për sipërfaqet në pronësi ose në përdorim, duhet të jenë të pajisur me projektin teknik, – thotë Zef Ymeraj, inspektor pranë DIPP.

Por a ka Bashkia një dokument, apo një projekt të punimeve?
Në fillim projektin e kërkuan inspektorët e AKZM-s dhe kompania nuk e dha.
Më pas e kërkuan inspektorët rajonalë të mjedisit dhe kompania përsëri nuk e dha.
Së fundi, ne ia kërkuam projektin bashkisë, por pasi pritëm rreth tre javë, nuk morëm asnjë projekt. Në zyrën e protokollit na informuan se kërkesa kishte mbetur te Kryetari… në zyrën e tij.
A ka një projekt? Nëse po, përse nuk e publikojnë?
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT)
“Vëzhguesi Rural”, një portal që mbron të drejtat mjedisore të komunitetit, njoftoi në 7 mars Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) mbi ankesën e banorëve të Qarrishtës për një ndërtim të paligjshëm.
Në emër të banorëve, organizata kërkoi: ndërhyrje të menjëhershme dhe një kopje të dokumentacionit të punimeve.
Përgjigja mbërriti pesë javë më vonë.
IKMT-ja shkruante se pas kryerjes së inspektimit në vend, ishte vënë re se po punohej për rikonstruksionin e një hidrocentrali. Por IKMT-ja nuk ofroi asnjë dokument, foto apo projekt punimesh. Materiali i vetëm, bashkangjitur përgjigjes, ishte kopja e vërtetimit të pronësisë të “IDI 2005”.
Ne e pyetëm Inspektoratin se në ç’rrethana apo mbi ç’dokumente u kuptua se punohej për rikonstruksionin e Hidrocentralit, por nuk morëm përgjigje.
Më pas kërkuam që të njiheshim me procesverbalin e mbajtur, por ata nuk kishin mbajtur asnjë procesverbal, për aq kohë, që sipas tyre, inspektorët nuk kishin konstatuar ndonjë shkelje.
Pra, Inspektorati Kombëtar, garantuesi për ligjshmëri urbane, nuk e kishte parë godinën e re të hidrocentralit, kanalin e zgjeruar të derivacionit dhe punimet e thelluara megjithëse kishte qenë aty, në Zonën Qendrore të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë .
– Fundi i pjesës së dytë
https://portavendore.al/2019/05/14/triumfi-i-nje-turbine-fantazme/
Ky publikim është përgatitur me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi vetëm e Projektit “Vezhguesi Rural”https://www.vezhguesirural.org/ dhe në asnjë mënyrë nuk reflekton opinionin e Bashkimit Evropian.