Ndodhi

Berat, 300 familje të Otllakut paguajnë për ujë me fekale

19 maj 2019/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Berat

Ujë ka, por ai është i ndotur me fekale, vjen erë dhe nuk mund të përdoret. Kjo është situata me të cilën përballen çdo ditë banorët e njësisë administrative Otllak, në Berat.

Prej shumë vitesh, banorët ankohen se uji që rrjedh në rubinetet e tyre është tepër i ndotur saqë nuk përdoret as për të larë rrobat. Janë më shumë se 300 familje të fshatrave të kësaj njësie administrative, të cilët për më shumë se 30 vjet ankohen se uji është i ndotur, por që deri më sot nuk kanë gjetur zgjidhje, edhe pse herë pas here kanë kërkuar ndërhyrjen e bashkisë.

Banori i fshatit Otllak, Myqerem Fesko, shprehet se uji është i ndotur në ngjyrë dhe me një erë karakteristike. “Ujin, jo vetëm që nuk mund ta përdorim për enët, por as për teshat, pasi kemi frikën e ndonjë infeksioni”, thotë Fesko, i cili shpjegon se pavarësisht kësaj, banorët janë shumë të rregullt për shlyerjen e detyrimeve. “Edhe paguajmë bashkinë për ujin, edhe blejmë ujë! Kjo s’është e drejtë. Kemi më shumë se 30 vite që kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi, por vetëm premtime kemi marrë”, shpjegon ai.

Edhe Leonard Zeko shpjegon se është i detyruar të blejë ujë, pasi ai i rubinetit është i papërdorshëm. “Meraku ynë janë fëmijët, të cilët shpesh përdorin për të pirë ujin e ndotur, pasi janë të vegjël dhe të pakujdesshëm”, shprehet Zeko. Kurse Bilal Salia, pensionist shprehet se ky ujë po i sëmur, pasi në disa raste është i detyruar ta përdorë, sepse nuk mund të blejë edhe ujë me lekët e pensionit.

Por çudia qëndron se duke qenë shumë pranë qytetit të Beratit, fshati Otllak merr ujë në të njëjtën linjë që furnizohet edhe qyteti, Por, sipas Ujësjellësit të Beratit, rrjeti në fshat është tejet i amortizuar dhe nuk ka pasur ndërhyrje. Drejtori i ujësjellësit, Pelivan Sinaj, shprehet se ky rrjet është i viteve 1960-1965, investim i vjetër, i cili është jashtë kushteve higjieno-teknike. “Pas shkresës së nisur Bashkisë Berat, kam marrë përgjigje se është ngritur një grup pune për të bërë një preventiv për të sistemuar këtë problem. Është ngritur grupi i punës ku po punohet me plan-projekt për të zëvendësuar këtë rrjet, por që kërkon kohë. Ndërsa ne po mundohemi për të mos lënë popullatën pa ujë dhe po merremi vetëm me meremetime në segmente të caktuara të tubit. Gjithsesi, për të realizuar këtë projekt nuk është e thjeshtë dhe do të duhet afat kohor i gjatë, ndërsa jemi të ndërgjegjshëm që problemi kërkon zgjidhje emergjente”, deklaron drejtori i ujësjellësit.

Rreth autorit:
Mimoza Sinanaj është korrespondente e Beratit për Top Channel.