Vëzhgim/Analizë

Qytetet që po boshatisen. INSTAT jep alarmin për Gjirokastrën dhe Kukësin

18 maj 2019/ Aurora Sulce/ Porta vendore

Shqiptarët ose zhvendosen drejt Tiranës, ose largohen jashtë vendit. Këtë realitet dëshmojnë të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, që flasin për boshatisje të disa qyteteve. Sipas INSTAT-it, më 1 janar të këtij viti popullsia u rrit vetëm në tre qarqe: në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkohë që në të gjitha qarqet e tjera u tkurr ndjeshëm.

Kryeqyteti mirëpret edhe shumicën e shqiptarëve, më saktësisht 31.3% të totalit të popullsisë. Numri i atyre që zgjedhin të jetojnë në Tiranë është në rritje nga viti në vit.

“Në 1 Janar 2019, Qarku i Tiranës zë 31.3 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Fieri (10.3 %), Durrësi (10.1 %) dhe Elbasani (9.6 %). Vetëm 3 qarqe pësuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2018-2019, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora”, konstaton INSTAT-i në raportin “Shqipëria në shifra, 2018”.

Ndërkohë të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë. Sipas hartuesve të raportit, kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejt qyteteve më të zhvilluara.

Por një tjetër element që po ndikon në uljen e numrit të banorëve kryesisht në qytetet e vogla dhe periferike është edhe emigrimi. Kjo pasi këto zona kanë mundësi të kufizuara për zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht, nuk ofrojnë mundësi për një jetesë të mirë dhe mirëqenie. Rrjedhimisht, një pjesë e qytetarëve zgjedhin të zhvendosen drejt qyteteve të mëdha, si Tirana, Durrësi e Vlora e të tjerë, të largohen përtej vendit.

Qytetet që po boshatisen janë Gjirokastra dhe Kukësi. Ato kanë sot edhe numrin më të ulët të banorëve. “Në 1 Janar 2019, qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë, duke zënë 2.1 % të popullsisë gjithsej, i ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili zë 2.7 % të saj”, vlerëson INSTAT-it.

Çfarë thonë ekspertët?

Për akademikun Kosta Barjaba,boshatisja e qyteteve nuk është  një dukuri e shkëputur, por pjesë e migrimit të brendshëm të popullsisë. Është  një komponent i zhvillimeve demografike që zhvillohet paralel me eksodin rural ose boshatisjen e fshatrave.

“Ndërsa kjo e fundit ndodh për shkak të proceseve të industrializimit dhe urbanizimit, boshatisja e qyteteve (periferike) ndodh, për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë së vendit. Popullsia ikën nga ato qytete, të cilat ose kanë qenë të lidhura me industritë që sot nuk janë më, ose kanë mbetur në periferi të zhvillimit të vendit dhe jashtë proceseve të vrullshme të zhvillimit ekonomik, industrializimit dhe urbanizimit”, deklaron Barjaba për Porta Vendore.

Ndërsa për Kastriot Sulkën, kryetar i Institutit të Studimeve Ekonomike dhe Sociale kjo dukuri është e lidhur me emigracionin.

“Gjëja e parë që të vjen në mendje kur shikon boshatisjen e qyteteve është i lidhur me emigracionin, pasi komponentët e tjerë duan më shumë kohë që të japin efekt, siç mund të jetë mbështetja e familjes. Me këtë nuk nënkuptoj vetëm dhënien e një bonusi për fëmijë të lindur, por mbështetja deri në nivel shkolle me libra apo ushqim në shkollë/kopsht etj”, argumenton Sulka.

Sipas tij, një tjetër element alarmant që ndikon, është rritja e vdekshmërisë foshnjore me 11% (nga 8 për mijë në 2017 në 8.9 për mijë), e cila jep efekt më negativ në zonat e pazhvilluara, për shkak edhe të mungesës së kujdesit shëndetësor në krahasim me Tiranën apo Durrësin.

“Së treti, do të theksoja mungesën, jo vetëm të politikave sociale, por edhe kujdesin shumë shproporcional në investime ndërmjet qarqeve. Po ashtu, do të theksoja domosdoshmërinë e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme dhe sidomos në zonat rurale, për fermerët direkt dhe jo vetëm për një grusht biznesesh”, shprehet eksperti.

Por a mund të frenohet boshatisja e qyteteve?

Kastriot Barjaba shpjegon se kjo zhvendosje mund të ngadalësohet ose dekurajohet, por nuk mund të bllokohet. “Kjo mund të ndodhë nëpërmjet masave favorizuese të qeverisë për mbijetesën e tyre, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi industrial dhe shërbimesh, mbështetur në burimet dhe traditat lokale, jo vetëm për rininë, por edhe për banorët që kanë humbur punët dhe profesionet.

Por edhe duke rigjallëruar disa industri dhe veprimtari ekonomike, të cilat po zhduken edhe nga politikat  e pakujdesshme. Këtu ka  një rol edhe qeverisja vendore”, shprehet Barjaba.

Akademiku shpjegon se duhet mbrojtur trashwgimia ekonomike tradicionale lokale. E thënë ndryshe, zonat të zhvillohen ekonomikisht në bazë të veçorive tradicionale që kanë.

“Duhet bërë oponencë ndaj strategjive kombëtare të zhvillimit, të cilat “godasin” trashëgiminë ekonomike tradicionale lokale. Së dyti, duke u përfshirë më shumë dhe më aktivisht në zhvillimin ekonomik. Së treti, duke përmirësuar nivelin  e shërbimeve publike, për të dekurajuar ikjen e popullsisë nga këto qytete”, shprehet Barjaba.

Ndërsa për ekspertin Kastriot Sulka instrumentet që kanë në dorë bashkitë janë të kufizuara. “Nuk kanë shumë hapësirë”, shprehet Sulka.

Largimi i shqiptarëve apo edhe zhvendosja e tyre duke lënë zona të tëra pa banorë është një lajm i keq jo vetëm sot për sot, por veçanërisht për të ardhmen. Në aspektin ekonomik, edhe ato pak biznese që janë, nuk do të gjejnë fuqi punëtore e rrjedhimisht, këto qytete do bëhen gjithmonë e më të varfra. Toka të papunuara dhe asete të tjera të pashfrytëzuara. Në aspektin social largohen të rinjtë, e rrjedhimisht mundësia që popullsia në këto zona të rritet.