Ndodhi

MASR financon rikonstruksionin e gjimnazit “Shaban Çollaku” në Klos

17 maj 2019/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Klos

Prej tre vitesh, rreth 400 nxënës e mësues të gjimnazit të vetëm në qytetin e Klosit, “Shaban Çollaku” zhvillonin mësimin në kushte aspak të përshtatshme, madje në një godinë të rrezikshme, por falë një financimi të kryer nga MASR, gjimnazi “Shaban Çollaku”në Klos do të ketë një fytyrë të re.

Pjesa perëndimore e këtij gjimnazi në të tre katet e tij ishte jashtë funksioni për shkak të lagështirës së madhe që vinte kryesisht nga tarraca, por edhe muret anësore. Në këto kushte, klasat u detyruan të zhvendoseshin në anën lindore, ku situata paraqitej më e mirë. Por për shkak të lagështirës së madhe, u dëmtua edhe laboratori i informatikës.

Me 8 Maj të vitit të kaluar, Porta Vendore publikoi një artikull, sa i përket kësaj problematike. Në atë kohë, ish drejtori Kasem Muça dha alarmin për rrezikun që iu kanosej stafit pedagogjik dhe gjimnazistëve. Ai kërkonte ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Klos dhe Ministria e Arsimit. Në një reagim të tij në atë kohë, kryebashkiaku i Klosit, Basir Çupa u shpreh se pushteti vendor nuk kishte buxhet për ndërhyrje të tilla. Ai i tha Portës Vendore se kishte depozituar pranë MASR një projekt, por që nuk kishte gjetur financim.

Viti i kaluar shkollor u mbyll po me të njëjtën problematikë, mure me myk dhe rrezik për nxënësit e mësuesit. Edhe viti i ri shkollor nisi në shtator të 2018-s po në të njëjtat ambiente. Por Porta Vendore sërish i kushtoi hapësirë kësaj problematike, pasi Bashkia e Klosit kishte arritur vetëm të lyente muret e korridoreve, ndërsa për pjesën perëndimore të shkollës tha se nuk mund të bënte asgjë.

Në thirrjen e fundit për financimet publike nga qeveria, Bashkia Klos kishte depozituar sërish kërkesën për financimin e rikonstruksionit të gjimnazit “Shaban Çollaku”. Më në fund kërkesa është aprovuar, ndonëse me një ndryshim. MASR ka financuar vetëm rikonstruksionin e objektit, duke hequr pjesën e terreneve sportive që ishte parashikuar në projektin e parë. Vlera e projektit të depozituar nga Bashkia Klos shkonte në rreth 160 milionë lekë të rinj, ndërsa MASR hoqi terrenet sportive, duke zbritur vlerën e financimit në 89,342,077 lekë të rinj.

I pyetur nga Porta Vendore, Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa tha se ky financim do të zgjidhë problemin e rrezikut dhe lagështirës që mbante godina, megjithëse nuk do të plotësojë nevojat e arsimit aty, pasi janë hequr terrenet sportive.

“Financimi i projektit për rikonstruksionin e godinës së gjimnazit ‘Shaban Çollaku’ është vërtetë një lajm i mirë të cilin ne e prisnim prej kohësh. Më në fund, gjimnazistët dhe mësuesit që frekuentojnë atë godinë nuk do të jenë më të rrezikuar e as në ambiente me myk e lagështirë. Sapo të lëvrohet fondi, ne do të nisim menjëherë me procedurat e prokurimit e pasi të shpallet fituesi i zbatimit të projekti, mendojmë të nisim nga puna. Megjithëse ne jemi akoma në vit shkollor, do të propozoj ambiente të tjera për të zhvilluar mësimin, ndërsa të nisë menjëherë rikonstruksioni në mënyrë që viti i ri shkollor t’i gjejë gjimnazistët në godinë të rikonstruktuar.” – tha për Porta Vendore, Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa.

Rreth autorit:
Dritan Kurti, ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.