Ngjarje/Personazhe

Pogradec, si u zhduk fondi për banesën e rrënuar

15 maj 2019/ Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec

Pesë anëtarë të një familje, më i vogli vetëm 1 vjeç, në fshatin Buçimas në Pogradec janë të “dënuar” të jetojnë në një banesë të rrënuar totalisht nga amortizimi dhe kushtet atmosferike për shkak se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për rikonstruksionin e shtëpisë së tyre.

Banesa është njëkatëshe, ndërtim i kohës së diktaturës, ajo është e vjetër, e rrënuar, me mure të krisura dhe tavane me harta të ndryshme lagështire për shkak se pikon. Ajo është e ftohtë, pasi mungon ngrohja dhe mbi të gjitha brenda saj prej vitesh të tëra është ulur këmbëkryq edhe varfëria.

Në këtë banesë jetojnë dy motrat Firdevs dhe Lumturie Tole, e bashkë me to jeton edhe djali i Firdevsit me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre 1 vjeç. Që të gjithë janë të papunë, trajtohen vetëm me një ndihmë ekonomike, e cila ka masën e një lëmoshe, pasi atyre nuk iu del të paguajnë as ujin e as dritat me ato para, e jo më për tu ushqyer çdo ditë. Pra krahas varfërisë në këtë banesë, bashkëshoqëruese e pandarë e saj është edhe uria. Stomaku bosh i kësaj familje apelon çdo ditë për ndihmë, por ajo duket larg. Dora e insitucioneve lokale dhe shtetit mbetet e paarritshme deri këtu.

Firdevsi dhe Lumturia deri përpara 4 viteve punonin si pastruese në ish-komunën Buçimas, me ato para që merrnin arrinin të jetonin, shlyenin faturat dhe ushqeheshin. Por prej 4 vitesh ato nuk punojnë më, i larguan nga puna, për shkak të reformës. Largimi nga puna solli në këtë banesë urinë, fatura të papaguara energjie dhe uji, e mbi të gjitha lista të gjata borxhesh në dyqanet e zonës. Tashmë listat kanë arritur limitin dhe askush nuk jep më veresie për to. Drita nuk kanë, as ujë, i kanë prerë punonjësit e ndërmarrjeve përkatëse, pasi nuk ishin paguar. Tashmë banesa qëndron vetëm si një ngrehinë në këmbë me këta njerëz brenda, ajo është e ftohtë dhe në të dëgjohen vetëm të qarat e vogëlushit. Herë pas here, ai qan nga uria, por qan edhe nga i ftohti. Banesa ka vetëm dy hapësira nëse mund të quhen dhoma, njëra shërben si kuzhinë për të mbajtur rroba, enët e kuzhinës dhe ndonjë thes me kanoçe, të cilat i mbledhin për t’i shitur, ndërsa hapësira tjetër është përshtatur në formë të tillë që të flenë 5 veta. Diku në një cep ka edhe një sobë të vjetër, por që dallon qartë që nuk është ndezur prej kohësh. Dyshemeja ka lagështirë, e pavarësisht ndonjë tapeti të vjetër që është shtruar, uji depërton në sipërfaqe. Tavani gati po bie, i varur nga amortizimi dhe mbi të gjitha nga depërtimi i lagështirës. “Uji i shiut që bie jashtë dhe futet brenda ka krijuar harta të ndryshme në tavan, të cilat për hir të së vërtetës shërbejnë ndonjëherë edhe si lojëra për vogëlushin njëvjeçar” thotë Suada, nëna e vogëlushit. Godina është e pasuvatuar, vetëm me tulla, çka bën që i ftohti të depërtojë shumë lehtë brenda, muret janë të vjetra dhe çatia gati po bie, vështirë se e mban edhe një tjetër dimër me dëborë si ky i këtij viti…

Investimi që nuk u bë kurrë

Vetë anëtarët që jetojnë në këtë godinë nuk kanë pasur prej vitesh mundësinë për të investuar në këtë godinë për shkak të mungesës së parave. Por edhe kur në fund të tunelit u ndez një dritë jeshile për investim në banesë, ajo u shua më shpejt se sa u mendua. Në vitin 2016, Bashkia Pogradec përfitoi një fond të posaçëm nga ish-Ministria e Zhvillimit Urban, që drejtohej asokohe nga Eglantina Gjermeni. Projekti që u financua nga qeveria kishte të bënte me rikonstrukisonin e banesave për familjet që i përkisnin komunitetit Rom dhe Egjiptian. Si familje që i përkiste këtij komuniteti, familja Tole u përfshi në listë  dhe rezultoi fituese në këtë projekt, ashtu si 15 familje të tjera në të gjithë Pogradecin. Por nëse në 14 familje investimi u krye, në familjen Tole paratë që ishin vënë në dispozicion nga Ministria nuk mbërritën. Edhe pse specilasitët urbanistë u paraqitën te motrat Tole për të bërë projektin dhe më pas investimin, fondet devijuan rrugës, ashtu siç devijoi projekti. Por cili ishte shkaku? Bashkia dhe specialistët hartuan një projekt jo për godinën e vjetër aktuale, por për një godinë tjetër që është ngjitur me këtë banesë dhe që i përket vëllait të motrave Tole, i cili është emigrant në Greqi. Në kohën kur u realizua projekti godina kishte vetëm kollonat dhe si e tillë nga ana e specilaistëve ishte sugjeruar që shuma prej 11 milionë  lekësh të vjetra që përfitonin dy motrat nga projekti të përdorej në atë godinë. Por pak kohë më pas, vëllai i motrave kthehet nga Greqia dhe vazhdon vetë investimin e nisur në godinë nga po ai kohë më parë dhe përfundon ndërtimin. Si shtëpi e përfunduar, tashmë Bashkia nuk mund të investonte më paratë në të dhe për këtë arsye motrat Tole kërkuan që investimi me paratë që ato kishin përfituar të vijonte te banesa e vjetër, aktualja ku ato jetojnë edhe sot. Këtu më pas lindi edhe ngërçi. Bashkia pretendoi se projekti fillestar ishte bërë për godinën tjetër dhe se nuk mund ta ndryshonte më projektin dhe për këtë arsye fondi për motrat Tole nuk mund të lëvrohej në banesën tjetër. Pra në këtë rast e vetmja gjë që duhej bërë nga ana e bashkisë, ishte një projekt i thjeshtë për të rikonstruktuar banesën ku jetonin dy motrat. Por diçka e tillë nuk ndodhi dhe paratë e përfituara nga Ministria, motrat nuk i morën asnjëherë dhe ato mbetën në llogarinë e Bashkisë Pogradec. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dy motrat i gjen para dyerve të bashkisë, zyrës së strehimit  apo edhe te zyra e Kryetarit Kapri dhe specialistëve të tjerë, por përgjigjja për to është se fondi është djegur dhe nuk mund të alokohet për banesën tjetër. Historia dhe burokracitë vijojnë edhe në këto momente që ne si Portë Vendore jemi duke trajtuar rastin duke sjellë në vëmendje realitetin e hidhur të kësaj familjeje që është në kushte mbijetese.

Porta Vendore kërkoi informacion nëse vërtetë fondet ishin djegur ashtu siç iu thuhej motrave Tole apo jo. Nisëm disa kërkesa për informacion kryesisht te Ministria e e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë  dhe Mirëqenies Sociale. Këto ministri nuk posedonin informacion për këtë çështje ndaj edhe e kërkuan atë pranë Bashkisë Pogradec.

Shtëpia gati në rrënim e familjes Tole. Foto: Artin Halili

Në përgjigjen e saj Bashkia Pogradec argumenton se fondi prej 1.167.978 lekë të reja që motrat kishin u përdor për punime të tjera në banesat e këtij komuniteti, pasi nuk u lëvrua te përfitueset e tij për arsyen se në godinën për të cilën ishte realizuar projekti, ishte kryer investimi. Bashkia citon gjithashtu se i kishte kërkuar Firdevs Toles që investimin ta kryente te banesa e vjetër, por kjo e fundit nuk kish pranuar.

Por kjo rrëzohet nga Firdevs Tole, e cila nuk e pranon diçka të tillë. Madje, ajo çfarë thuhet nga Bashkia duket sa e pavërtetë aq edhe e pavërtetueshme, pasi nuk ka asnjë lloj dokumenti që të faktojë se Firdevsi ka refuzuar këtë investim, për më tepër kur kjo familje jeton ende në këtë banesë të shkatërruar. Një tjetër pikëpyetje që lind nga përgjigja e Bashkisë Pogradec është edhe fakti se ku konkretisht janë përdorur  afro 12 milionë lekë të vjetra që ishin destinuar për familjen Tole. Bashkia citon vetëm se paratë janë investuar për punime në banesa të tjera të paparashikuara, por se në cilën banesë nuk e cilëson, duke lënë të errët  të vërtetën nëse këto janë përdorur apo jo.

Edhe N/kryetari i Bashkisë Pogradec Polikron Balliu pohon pak a shumë atë se çfarë Bashkia ka thënë në përgjigjen e saj për Portën Vendore. “Rasti i familjes Tole është i njohur për ne. Unë personalisht jam interesuar për këtë çështje, pasi dy motrat kanë qenë jo pak herë në zyrën time, por Bashkia nuk ka përgjegjsësi për çfarë ka ndodhur me fondin që ishte vënë në dispozicion të tyre nëpërmjet projektit që u financua nga ministria përkatëse. Specialistët tanë hartuan një projekt për një tjetër godinë dhe më vonë rezultoi që ajo ishte përfunduar, ne iu ofruam zonjave që të vijonim investimin në banesën e vjetër, por ato kërkonin që ajo të ndërtohej nga themelet. Kjo ishte e pamundur, pasi paratë nuk mjaftonin për të bërë atë se çfarë kërkonin zonjat. Pas kësaj ne u detyruam të tërhiqemi dhe paratë t’i investonim në projektet që pasonin te të tjera banesa”, përfundon Balliu.

Lagështira ka pushtuar të gjithë banesën. Foto: Artin Halili

Problemi i familjes Tole nuk ka kaluar pa u ndjekur edhe nga Shoqata Egjiptiane që operon në Pogradec. Shpëtim Dute drejtues i kësaj shoqate e ka ndjekur me shqetësim të gjithë problemin, por edhe ai nuk ka gjetur dot zgjidhjen. “Ka qenë shoqata jonë ajo e cila ka hartuar listat për familjet nevojtare në Pogradec dhe Buçimas, ku ndër to ishin edhe motrat Firdevs dhe Lumturie Tole. Ato rezultuan fituese nga projekti për vetë faktin se jetojnë në gjendje ekstreme. Por në fund për çështje burokratike që as ne nuk i kuptuam investimi ne banesën e tyre nuk u krye nga Bashkia Pogradec. Ne kemi drejtuar dhjetra letra pranë Bashkisë dhe Ministrisë së Financës apo edhe Ministrisë së dikurshme që drejtohej nga zonja Eglantina Gjermeni, por nuk kemi marrë përgjigje për rastin. Fakti që kaluan muaj të tëra pa përgjigjë na bëri të kuptojmë se rasti do mbetej pa zgjidhje dhe në fakt ajo që ne menduam se do të ndodhte ndodhi, familja sot vijon të jetojë në mjerim dhe një një banesë gati në të shembur dhe askush nuk po mban përgjegjësi për djegien e fondeve të motrave Tole”, përfundon Kryetari i Shoqatës Vllazëria Egjiptiane, Shpëtim Dute.

Kushtet e mjerueshme në të cilat jeton familja Tole. Foto: Artin Halili

Sot Bashkia Pogradec pretendon se fondin e familjes Tole e ka lëvruar në banesa të tjera, ndërsa Firdevsi dëshpërimisht vijon të jetojë me shpresën se 1 ditë paratë që shteti vendosi për të dhe banesën e saj do të investohen. Ajo ka nisur shumë letra, shumë shkresa, në Kryeminsitri, Ministri të ndrsyshme etj, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe për këtë arsye vijon të jetojë në kushte mbijetese, në varfëri ekstreme, në një shtëpi të ftohtë dhe gati të rrëzuar bashkë me motrën, djalin dhe nusen dhe nipin e saj të vogël, i cili ende nuk e ka kuptuar se është dënuar të jetojë në këtë ngrehinë.

previous arrow
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1)
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
WhatsApp Image 2019-04-13 at 21.07.52 (1) - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy - copy
next arrow

Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.