Vëzhgim/Analizë

NDËRMARRJET SOCIALE DHE (MOS) ZHVILLIMI I TYRE NË SHQIPËRI

8 maj 2019/ Adela Kula/ Porta Vendore

Cfarë është një ndërmarrje sociale?
Ndërmarrja sociale kombinon zhvillimin ekonomik me atë social, biznesin me përfshirjen shoqërore, sjell zgjidhje innovative për probleme sociale.  Ato janë ndërmarrje që sigurojnë fitim, por këtë fitim e riinvestojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vetë ndërmarrjes (në produktet dhe shërbimet që ofrojnë; në rritjen e numrit të të punësuarve). Një ndërmarrje sociale nuk e lejon ndarjen e fitimit, por vetëm riinvestimin e saj në vetë ndërmarrjen.

A ekzistojnë në Shqipëri ndërmarrjet sociale? Po, këto ndërmarrje ekzistojnë edhe në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht se e kanë filluar aktivitetin e tyre që para viteve 2000, zhvillimi i tyre mbetet ende i hershëm në Shqipëri. Disa prej ndërmarrjeve të shumta sociale1 që veprojnë në Shqipëri janë:2

  • Pastiçeri Ke buono!. Kjo ndërmarrje i ofron mundësi punësimi të rinjve të rrezikuar nga krimi, atyre që vuajnë shërbimin e provës, si dhe grave viktima të dhunës, të divorcuara ose të martuara me burra të dënuar me burg.
  • Kafeneja “Te Xhoni”, shërbejnë punonjësit me sindromën Down. Synimi i kësaj kafeneje është që të kthehet në një burim të ardhurash për të sponsorizuar shërbimet falas që jepen për fëmijët dhe të rinjtë me Sindromën Down pranë Qendrës Jonathan dhe familjet e tyre.
  • “Pana – Storytelling furniture” punëson persona nga grupe të margjinalizuara përmes ofrimit të një profesioni dhe një pagese për të bërë të mundur një jetë dinjitoze për ta. Aktiviteti financiar është prodhimi i mobiljeve sipas nevojave të klientit përmes ripërdorimit të materialit drusor që tashmë ndodhet në treg dhe shpesh ka si destinacion kryesor mbeturinat apo të përdoret për dru.

Siç mund të vihet re nga këto shembuj të ndërmarrjeve sociale që veprojnë prej vitesh, mund të kuptohet më qartë qëllimi i një ndërmarrje sociale: mbrojtja dhe përfshirja sociale e grupeve vulnerabël nëpërmjet integrimit ekonomik të tyre. Si pasojë, ato duhet të kenë status jofitimprurës. Por në mungesën e një kuadri ligjor specifik për rregjistrimin dhe funksionimin e tyre, një pjesë e këtyre ndërmarrjeve janë rregjistruar edhe si biznese fitimprurëse, ndërsa pjesa tjetër si organizata jofitimprurëse. Megjithatë, asnjëra prej këtyre kategorive nuk trajtohet në mënyrë të diferencuar, pavarësisht se misioni i tyre është social dhe grupet që ata mbështesin janë ato vulnerabël.

A ka një kuadër ligjor për rregullimin e ndërmarrjeve sociale? Ndër vite janë ndërmarrë nisma për nxitjen e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale, ndër të cilat krijimi i shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, sh.a., me anë të ligjit Nr.10 376, datë 10.2.2011 me qëllim realizimin e objektivave socialë dhe mjedisorë nëpërmjet mbështetjes dhe promovimit të biznesit social dhe mikrofinancimit; fillimi i veprimtarisë së Yunus Social Business Albania në mes të 2012 e cila ka ndihmuar në krijimin dhe financimin e një numri biznesesh sociale të suksesshme; hartimi i ligjit Nr.38/2012 “Për shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësore” i cili përcakton rregullat, kriteret dhe kushtet per themelimin dhe administrimin e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor.
Por ligji i parë që rregullon në mënyrë specifike organizimin dhe funksionimin e ndërmarrjeve sociale në Shqipëri është ligji nr.65/2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj ka si qëllim të rregullojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, me qëllim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerable. Ligji për ndërmarrjet sociale parashikon që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij (pra, brenda dhjetorit 2016) të miratohen aktet nënligjore përkatëse, konkretisht 9 akte nënligjore. Deri më tani janë miratuar 5 akte nënligjore: akti i parë nënligjor u miratua më 1 dhjetor 2017, ndërsa më i fundit më 26 dhjetor 2018, miratimi i të cilave ishte në tejkalim të afateve ligjore të përcaktuara. Mbeten ende për tu miratuar aktet e tjera. Fitimin e statusit të ‘ndërmarrjes sociale’ ligji ia njeh vetëm organizatave jofitimprurëse.

Ligji parashikon subvencionime për ndërmarrjet sociale për (i) veprimtarinë e ndërmarrjes sociale; (ii) krijimin e vendeve të reja të punës dhe (iii) sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore.

Cilat janë disa nga debatet e ngritura mbi këtë kuadër rregullator të ri?
Megjithëse zbatimi efektiv i këtij ligji nuk ka nisur ende, ka debate mbi parashikimet e tij. Ndër këto debate, përmendim kufizimin e subjekteve që mund të krijojnë një ndërmarrje sociale vetëm në organizata jofitimprurëse, ndërkohë që sic u përmend më sipër disa prej ndërmarrjeve sociale (të tilla në përmbajtje) janë të rregjistruar si biznes; lista e veprimtarive është kufizuese në ligji; me këtë ligj mund të abuzohet nga bizneset që nuk janë sociale; nuk janë të përcaktuara dokumentet konkrete që duhen dorëzuar për të provuar plotësimin e këtyre kritereve (nëse për disa kategori është me e lehtë gjetja e dokumentit provues, për kategori të tjera kjo është më e vështirë p.sh. dokumenti provues për personat me identitet të ndryshëm gjinor dhe orientim të ndryshëm seksual).

Më 1 shkut 2019, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, organizuan Konferencën Ndërkombëtare “Ndërmarrjet Sociale – Drejt Politikave dhe Praktikave Gjithëpërfshirëse”. Kjo Konferencë mblodhi sipërmarrje sociale, organizata jofitimprurëse në mbështetje të sipërmarrjes sociale, institucione donatore, përfaqësues nga biznesi, institucione publike dhe ekspertë ndërkombëtarë nga vendet e Evropës dhe rajonit. Në pëfundim të kësaj konference përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kontribuojmë në sektorin e sipërmarrjes sociale në Shqipëri i paraqitën Deklaratën e ndërmarrjeve sociale në vend dhe organizatave mbështetëseZëvendës Kryeministrit; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë; Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes; Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisionit për Ekonominë dhe Financat; Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë; etj.

Kjo Deklaratë propozon:

  • Zgjerimin e kuadrit ligjor “Për Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë” duke kualifikuar si të tilla jo vetëm organizatat jofitimprurëse, por edhe forma të tjera ekzistuese që funksionojnë në përputhje me parimet themelore të sipërmarrjes sociale;
  • Vendosjen e shtysave fiskale për të mundësuar që ndërmarrjet sociale të japin një kontribut të qëndrueshëm në misionin e tyre social;
  • Krijimin e mundësive financuese përtej fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale;
  • Përfshirjen e prokurimit social si pjesë e prokurimit publik bazuar në praktikën evropiane, si një mundësi e drejtëpërdrejtë e mbështetjes së shërbimeve dhe të mirave që sigurohen nga këto ndërmarrje;
  • Rishikimin e kushteve shtrënguese lidhur me kriteret ekonomike dhe sociale të funksionimit të ndërmarrjeve sociale.

1. [Ky artikull i referohet si ndërmarrje sociale shembujve bazuar në misionin dhe veprimtarinë e tyre sociale, pasi në bazë të ligjit të ri 65/2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë” nuk konsiderohen të tilla, por ky status duhet të fitohet. ]

2. [Ndërmarrjet e përmendura janë ngritur me mbështetjen e “Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”]

Rreth autorit:
Adela Kula, koordinatore Porta Vendore. Ka përfunduar studimet bachelor dhe master për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka eksperiencë në administratën publike dhe në shoqërinë civile. Aktualisht është e angazhuar në projektet e shoqërisë civile në cilësinë e koordinatores dhe të ekspertes juridike.