7 maj 2019/ Anila Hoxha/ Porta Vendore/ Fier
Çështja e inceneratorit të Vërrisë në Fier ende për shqyrtim, ndërsa banorët shprehin gadishmërinë e tyre që do të luftojnë deri në fund, për këtë betejë.
Katër vjet më parë Këshilli bashkiak i Fierit shpalli emergjencën mjedisore për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Qarku Fier prodhon 141 196 tonë mbetje të ngurta shtëpiake në vit, dhe me këtë sasi vjetore renditet i treti ne vend pas Tiranës dhe Vlorës. Prej atëherë këshilli bashkiak u mblodh tre herë duke anuluar e saktësuar zonën ku do të ndërtohej impianti i trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhim energjie. Dy fshatra Plyk dhe Mbyet u hodhën në protesta, njëri pas tjetrit, pasi tek të dy fshatrat u vendos gjatë 2015-s dhe 2016-s, që të ishin zonat ku do ndërtohej impianti. Pas kërcënimeve se ata do të vetëflijoheshin në rast se ndërtohej impianti i plehrave, tashmë në të dy fshatrat është kthyer qetësia. Parcelat për të cilat ishte vendosur shpronësimi janë të pambjella dhe mes përmes tyre ka ngelur gjurma e një kanali gjigant. Por zhurma është zhvendosur dhjetëra kilometra me larg, që sërish i përket qarkut Fier.
Në fshatin Vërri punimet po avancojnë me shpejtësi dhe synojnë ndërtimin e impiantit. Por për banorët qetësia është trazuar. Vladimir Bita është njëri nga banorët e Vërrisë që gjatë vitit 2018, menjëherë sapo u publikua fakti për ndërtimin e inceneratorit, ai u përfshi në protesta. Tashmë ai mban në dorë fletëthirrjen e gjykatës së Fierit, për shkak se prokuroria e akuzon për kundërshtim të forcave të policisë gjatë protestave ku ishte pjesëmarrës. Vladimiri pret vendimin e gjykatës dhe nuk është i trembur nëse shpallet fajtor. 55-vjeçari thotë se askush nuk i pyeti dhe nuk u konsultua me ta. Procesi ndaj tij ndodhet në fazën kur duhet të dëgjohen si dëshmitarë policët që ishin në shërbim ditën që protesta precipitoi me akte dhune ndaj uniformave blu, sikundër prokuroria këmbëngul. Ndërkohë, ai është edhe në një tjetër proces gjyqësor, ku kundërshton ndërtimin e inceneratorit. “Nuk është morale që të bëhen investime pa na pyetur, duke pyetur ca njerëz që nuk përfaqësojnë mendimin e komunitetit. Prandaj e kemi dërguar çështjen në gjykatë dhe kërkojmë që të ndalohen punimet. Koordinatat janë dhënë gabim, bashkia duhet të kishte bërë dëgjesa me banorët, jemi të shqetësuar sepse ky proces nuk u zhvillua në transparencë”, thotë për Portën Vendore, Vladimiri.
Nga ana tjetër këtij qëndrimi për koordinatat që nuk përputhen i është bashkuar edhe eksperti i pavarur Romeo Nazarko, i thirrur nga një gjykatë tjetër, ajo administrative. Ekspertiza e tij prej 20 faqesh i përgjigjet pyetjes së gjyqtares Afërdita Maho, nëse përputhet apo jo vendndodhja e objektit në terren (pra inceneratori), me dokumentet e lëshuara nga institucionet shtetërore . “Nga matja në terren, rezulton që sipërfaqja objekt gjykimi në raport me koordinatat e përcaktuara në deklaratën mjedisore ka një mospërputhje”, ka thënë në përgjigjen e tij Nazarko. Kjo ekspertizë pritet të vendosë destinacionin që do të marrë çështja me paditës banorët e fshatit Vërri si edhe shoqatën AKEP, të cilët kundërshtojnë fort ndërtimin e inceneratorit në zonën e tyre.
Siç rezulton në kalendarin e gjykatës kryeplaku i fshatit Andon Bualli së bashku me shtatë banorë të tjerë e nisën procesin fillimisht me kërkesën për sigurim padie, derisa çështja të zgjidhej në themel, mes tyre dhe një vargu institucionesh. Nga kërkesa e tyre insistohej të bllokoheshin punimet derisa gjykata të shprehej, por ata humbën gjatë sigurimit të padisë. Tashmë gjykata po dëgjon qëndrimet paraprake derisa të kalojë çështjen në seancë themeli, ku të paditur janë Këshilli Kombëtar i Territorit, Bashkia Fier, dhe dy ministri së bashku me kompaninë fituese. Banorët pretendojnë si shkelje edhe ndryshimin e kategorisë së tokës bujqësore që sipas tyre nuk lejohet që të ndërtohet e për këtë e konsiderojnë lejen e ndërtimit të pavlefshme. Më tej thuhet se është cenuar mjedisi, vlerësimi i ndikimit në mjedis është i pavërtetë, nuk janë informuar dhe as dëgjuar dhe nuk ka dhënë mendim ende Bashkia Fier për këtë proces edhe pse ligji e kërkon pjesëmarrjen e kësaj bashkie. Më tej thuhet pse është ndryshuar destinacioni fillimisht nga fshati Plyk, në Mbyet e më pas në Vërri.
Qëndrimet
Por shkresa e shoqërisë fituese në koncension “Integrated Technology Ëaste treatment Fier” që i është bashkuar kërkesës për leje mjedisore tregon përpjekjet për të folur me komunitetin. Duke iu referuar njoftimit të vendosur në brendësi të fshatit dhe përmes rrugës elektronike për takim me komunitetin në 20 mars 2017, shpjegohet më tej se ky takim u mbajt në: tavernën Sota dhe aty është prezantuar projekti për impiantin e mbetjeve. Megjithatë në të njëjtin dokumentacion pranohet se banorët pjesëmarrës kanë refuzuar të firmosin. Për këtë arsye takimi është shtyrë tre ditë më pas, konkretisht më datën 23 mars dhe kësaj radhe është mbajtur në një hotel në Fier, ku përmendet se kanë marrë pjesë 33 persona. Por siç duket nga nënshkrimet gjatë kësaj dëgjese në këtë takim ka qenë i pranishëm vetëm një banore, e cila identifikohet si Dorela Ikonomi, edhe kjo e kundërshtuar nga banorët e Vërrisë me argumentin se nuk dihet se cila është. Gjithë të tjerët prezantohen si punonjës në kompani private të ndryshme apo si punonjës të bashkive jo vetëm të Fierit por edhe të Divjakës, bashki kjo që nuk ka lidhje me projektin e impiantit, i cili që do të shoqërohet gjithashtu edhe me një landfill.
Mikel Koçi është një tjetër banor nga fshati Vërri që hedh akuza për mënyrën se si është zhvilluar dëgjesa publike. Sipas tij, banorët e zonës u përjashtuan forcërisht. Ata sollën befasisht mjetet dhe po punonin, e bënë fakt të kryer dhe pastaj nisën dëgjesat. Mikel Koçi ankohet se shteti i ka braktisur dhe i la pa të drejta aq më tepër kur sipas tij edhe gjykata është nën presion për sa kohë kryeministri po reklamon punimet për inceneratorin edhe pse banorët vazhdojnë të jenë kundër. “Ne presim gjykatën dhe nëse humbim në Shqipëri do t’i drejtohemi Ggjykatës së Strasburgut, sepse ka një sërë shkeljesh që nga shkelja e distancës me shtëpitë tonë, apo edhe koordinatat e gabuara, ndryshe paraqiten në dokumente dhe ndryshe janë në terren”, tha Koçi. Pikërisht për pretendimin e fundit gjykata ka caktuar një ekspert që do vlerësojë qëndrimet e palëve.
Në dokumentet që Porta vendore posedon të siguruara në mënyrë zyrtare nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Qarku Fier, shpjegohet se pikërisht pas dëgjesës publike, subjekti privat aplikon për leje mjedisore, për t’i hapur rrugë ndërtimit të impiantit. Por në këtë pikë, njësia vendore përkatëse nuk e shpreh mendimin për këtë investim, edhe pse ligji ia ngarkon këtë të drejtë. Diçka e tillë, kuptohet si miratim në heshtje nga ana e NjQV.
Situata
Fusha e mbetjeve të Fierit me hapësirë 5,3 hektarë ndodhet 3 kilometra larg qendrës së qytetit, mes lumenjve Gjanica dhe Seman. Por në impiantin e mbetjeve që po ndërtohet në Vërri, njësia administrative Mbrostar Ura Fier toka bujqësore që do të përdoret për këtë qëllim është 11,15 hektarë, që do të vendoset në përdorim edhe gjatë ndërtimit edhe gjatë operimit. Plan vendosja e strukturave të landfillit thuhet në lejen mjedisore siguron trajtimin e duhur të mbetjeve duke minimizuar efektet negative në mjedis dhe sidomos ndotjen e ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësore, përfshirë efektin serë dhe risqet për shëndetin.
Eksperti i mjedisit Lavdosh Ferrunaj, njëkohësisht aktivist dhe përfaqësues i AKEP në këtë gjykim mendon se përveç shkeljes së të drejtave të banorëve ekzistojnë edhe një mori shkeljesh të tjera, veçanërisht ligjore. “Janë një mori shkeljesh, por në fillim është shkelja e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, ku nuk respektohet hierarkia e menaxhimit te mbetjeve, që duhet të fillojë nga parandalimi i gjenerimit të mbetjeve dhe në fund incenerimi bashkë me landfillin. Në tjetër shkelje skandaloze është çështja e referimit të ligjit, për këtë lloj koncensioni që bazohet tek ligji për energjinë elektrike dhe jo tek ligji për incenerimin dhe landfillet. Kjo është bërë për të anashkaluar shumë procese delikate, sepse kemi të bëjmë me një industri që konsiderohet me ndotësja në planet”, sqaron Ferrunaj për Portën Vendore. Fërrunaj vazhdon më tej duke theksuar se: “Përsa i përket banorëve dhe fshatit, në VNM thuhet shprehimisht se ‘kur banorët të konstatojnë ndotjen që shkakton vepra, atëherë banorët do të largohen nga zona’ dhe kjo është marrë e mirëqenë. Vetëm me këtë konstatim, kjo VNM duhet të ishte refuzuar. Përveç ligjeve ka edhe shumë të tjera, akoma më flagrante sikurse janë: ndërtohet në një terren kënetor dhe sipas oponencës së bërë zyrtare nga fakulteti Inxhinerik nuk ka studim gjeologjik dhe sizmik”, përfundon eksperti mjedisor Lavdosh Ferrunaj.
Akti i ekspertimit të hartuar nga eksperti i pavarur i caktuar nga Gjykata në procesin administrativ për pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të inceneratorit, vërtetoi pretendimet e banorëve, se koordinatat e përcaktuara në lejen e ndërtimit janë në një distancë më shumë se 4km nga pasuria e shpronësuar dhe nga njolla e ndërtimit. Koordinatat e projektit janë të përcaktuara në një sërë aktesh ligjore dhe asnjë prej tyre, nuk përputhet me koordinatat e strukturës që po ndërtohet.
Palët prej javësh po përballen në gjykatë e çështja po ndiqet nga Klinika e Ligjit OSFA Durrës, ku në seancën e 2 majit gjykata vendosi ta kalojë për shqyrtim çështjen në seancën gjyqësore.
Rreth autorit:
Anila Hoxha është gazetare për çështjet e drejtësisë dhe gjykatës në Top Channel.