Ndodhi

Bashkia e Tiranës shpall tenderin, mbi 104 milionë lekë për Parkun Rinia. Ja si do të jetë…

1 maj 2019/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/ Tiranë

Parku Rinia do të rehabilitohet nëpërmjet një fondi që e kapërcen vlerën e 104 milionë lekëve. Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin për rehabilitimin e kësaj zone. Sipas të dhënave të Open Procurement Albania Prokurime për Njësi të Qeverisjes Vendore, fondi limit është 104 629 747 lekë dhe afati për mbylljene punimeve është 8 muaj nga dita e lidhjes së kontratës.

“Rehabilitimi i Parkut Rinia- Burimi i financimit: vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës në mbështetje të VKB Nr. 159 datë 21.12.2018, “Për Miratimin e Programit buxhetor afatmesëm 2019-2021” dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2019” (e ndryshuar)”, theksohet te objekti i tenderit.

Data e shpalljes së tenderit nga Bashkia e Tiranës është 30 prilli, ndërsa data kur do të zhvillohet është 3 qershori i këtij viti. Ky është edhe afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve .

Projekti për Parkun Rinia

Nga Plani i Studimit,që është një nga dokumentet e tenderit mësohet se sheshi do të konceptohet me material ekologjik, ku edhe koshat e plehrave do të jenë material druri. Sheshi do të ndahet në mini zona, shkallaret propozohen si bordura, ku njerëzit mund të qëndrojnë në 2800 metra katrorë hapësirë; projekti parashikon në një pjesë të sheshit një lëndinë, me sipërfaqe 7950 metra katror, ndërsa nuk do të mungojë edhe sheshi për fëmijë; sheshi për lojëra tavoline (shah dhe tavëll) apo sheshi për kafshët.

“Projekti do të konsistojë në rikonceptimin e parkut publik për t’iu përshtatur kërkesave të ndryshme të banorëve që frekuentojnë Parkun Rinia e që ndahen në disa kategori. Gjithashtu, do të parashikohet dhe vendosja e ndriçimit rrugor dhe rrjeti i linjave rezervë për internet, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, krijimin e hapësirave të gjelbërta me element të mobilimit urban (stola, kosha të vegjël), si dhe krijimi i mini shesheve”, theksohet në Planin e Studimit.

Pamja e parkut Rinia, sipas planit të studimit.

Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin e rrugëve brenda Parkut Rinia, që sipas hartuesve të tij, aktualisht është i përbërë nga një tipologji kalimesh jo të rregullt dhe që duhet të dimensionohet, në mënyrë që të evitojë grumbullime njerëzish përgjatë tij.

“Ky rrjet do të ndahet në dy akse kryesorë, që ndërthuren me njëri-tjetrin duke e bërë të aksesueshëm dhe gjithashtu, të përshkueshëm parkun dhe mini sheshet, që do të krijohen brenda tij nga të gjitha anët. Ngjyra dhe materialet e ndryshme, jo të rrezikshme në sipërfaqe në rast lagështie të përqendruar, të aplikuar në shtrimin e rrjetit rrugor, ndihmojnë në orientimin e lëvizjes brenda Parkut Rinia”, theksohet në Planin e Studimit.

Projekti parashikon edhe shkallaret, që do të shërbejnë si pika qëndrimi për shplodhje, tribuna ose hapësirë për evente në raste të veçanta. Ato do të krijohen nga ngritja e terrenit dhe mbushja e tij me dhè të mbuluar me bar dhe gurë të latuar për qëndrimin e njerëzve.

Struktura se si do të jetë Parku Rinia sipas planit të përgjithshëm.

Një pjesë e Parkut Rinia do të jetë e përbërë nga lëndina.“Lëndina do të jetë një hapësirë shplodhëse dhe relaksuese. Ajo mund të shërbejë edhe për piknik. Kryesisht do të mbizotërojë gjelbërimi dhe do të zërë një pjesë të konsiderueshme të zonës në studim. Për ta bërë sa më atraktive këtë hapësirë, është menduar propozimi i një baseni ujor me ujë të rrjedhshëm që kalon përmes saj. Ky basen do të ketë një thellësi të vogël në mënyrë që të përdoret edhe nga fëmijët e vegjël”, theksohet në projekt.

Pjesë e parkut është menduar edhe sheshi për fëmijë 0-14 vjeç. Ai do të përbëhet nga lodra të projektuara vetë, të cilat zhvillojnë imagjinatën e fëmijëve. Ato do të realizohen me shufra metalike dhe rrjeta me litarë. Shtrimi do të përbëhet kryesisht nga materiale si beton i lehtësuar ose asfalt me ngjyrë.

Për më të rriturit është parashikuar Sheshi i pushimit të qetë, do të përbëhet nga “duna” të mbuluara me bar. Këto duna do të shërbejnë për qëndrimin e njerëzve. Një funksion tjetër i dunave është edhe ndarja e hapësirës së parkut, sipas hapësirave të dedikuara.

Për të moshuarit është menduar edhe një shesh për lojëra tavoline. “Sheshi për lojëra tavoline do të jetë kryesisht për moshën e tretë, pasi ky shesh ka kryesisht lojëra tavoline si: domino dhe një fushë shahu me dimensione 480x480cm.Por ai është i përshtatshëm edhe për moshat e reja, pasi fusha e shahut në përmasa të mëdha e bën këtë lojë më interaktive”, theksohet në Planin e Studimit.

Pjesë e projektit do të jetë edhe sheshi për kafshët, që do të shtrihet në pjesën veriore të parkut. “Kjo për arsye që të jetë edhe pak më i izoluar dhe kafshët duhet të jenë të kontrolluara dhe me kushte sigurie. Ky shesh ofron kushte të përshtatshme për kafshët, pasi i siguron atyre një terren më natyror”, nënvizohet në projekt.

Gjithashtu, në Parkun Rinia është parashikuar edhe një zonë për përfshirjen e zgarave për parkimin e biçikletave, të cilat do të pozicionohen në pjesën veriore të parkut, kryesisht tek hyrjet kryesore.