30 prill 2019/ Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec
Pesë familje në Njësinë Administrative Çerravë në Bashkinë e Pogradecit, prej disa vitesh rrezikohen seriozisht nga disa shkëmbinj që janë gati të shemben prej kodrës nga momenti në moment. Masivi shkëmbor ndodhet, jo më larg se 100 metra në vijë ajrore nga banesat dhe për shkak të erozionit dhe kushteve atmosferike përgjatë viteve të fundit, janë kthyer në një rrezik potencial për jetët e dhjetëra banorëve të kësaj zone.
“Gurët e shejtanit”, siç i quajnë edhe banorët, përgjatë viteve të fundit kanë rënë shpesh, pasi për shkak të reshjeve të shiut shkëputen nga kodra dhe përfundojnë mbi banesat ku jetojnë fëmijë, pleq, gra e burra. Ata quhen ndër vite nga më të vjetrit “gurët e shejtanit” për shkak se në çdo kohë kanë qenë të rrezikshëm për shkak të rënies së tyre. Emri që iu kanë vendosur përforcohet edhe më shumë, pasi ata bien vetëm kur koha është me shi dhe mbi të gjitha gjatë orëve të natës. Ndaj edhe të parët i kanë cilësuar të tillë. Jo të pakta kanë qenë rastet kur jeta e banorëve është rrezikuar nga rënia e gurëve, por fatmirësisht deri më tani nuk është shënuar fatmirësisht asnjë viktimë.
Apatia e bashkisë
Por fakti që deri më sot nuk ka të lënduar nuk i shfajëson aspak institucionet vendore për mosndërhyrjen në këtë zonë. Situata agravohet nga dita në ditë, erozioni mbi këto gurë ka bërë të vetën dhe ditë pas dite, e javë pas jave ata rrezikojnë banesat dhe jetët e njerëzve. Për vite e vite me radhë, pavarësisht ankesave dhe kërkesave të banorëve që jetojnë shumë pranë këtyre shkëmbinjve, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për të ndërhyrë aty edhe pse ajo se çfarë mund të shkaktojë rënia e tyre mund të marrë përmasa tragjike.
Shqetësimi i banorëve
Të pesta familjet më të rrezikuara nga këto shkëmbinj kanë bërë minimumi qoftë edhe një ankesë pranë njësisë administrative Çerravë, Bashkisë Pogradec apo deri edhe te Prefektura Korçë që të ndërhyhet në zonë, por deri më tani përveç premtimeve dhe fjalëve të mira nuk kanë parë asgjë konkrete në terren. Të gjithë kanë thënë se do vijnë për të ndërhyrë, por në fakt realiteti flet ndryshe. E duket se për sa kohë që asnjëri prej pushtetarëve vendorë nuk e kanë mbi krye një masiv të tillë gurësh, nuk shqetësohen shumë mbi atë se çfarë mund t’u ndodhë këtyre familjarëve. Një nga banorët kujton se 1 vit më parë në zonën e rrezikut ka qenë edhe vetë prefekti Dhori Spirollari. Pas ankesës që ata i kishin drejtuar institucionit të tij, Spirollari kishte premtuar zgjidhje të problemit, por problemi jo vetëm që nuk është zgjidhur, por është agravuar edhe më.
“Siç e patë edhe ju këtë gur, është në gjendje shumë të vështirë. Kemi frikë të flemë natën në shtëpi. I kemi bërë ankesë edhe prefektit të Dhori Spirollari, erdhi këtu vjet në këto vakte. Do ta bëjmë na tha sapo të hapet koha, por asnjë nuk e vuri ujin në zjarr. Kemi bërë thirrje edhe në komunë (njësia adminsitrative) por sërish nuk po vijnë. Jemi 5 shtëpi që rrezikojmë dhe nuk dimë nga do marrë guri kur të bjerë”, thotë një nga banorët.
Ngërçi i bashkisë
Kërkesat e herë pas hershme të këtyre banorëve kanë bërë që edhe institucionet të vihen në lëvizje, por duket se zgjidhja e problemit ka një ngërç. Porta Vendore u interesua fillimisht pranë Njësisë Administrative Çerravë, e cila deklaroi se nuk kishte as mjete, as burime njerëzore dhe as para për të ndërhyrë në zonë dhe se e vetmja gjë që kishin bërë deri më tani ishte njoftimi i zyrës së emergjencave pranë Bashkisë Pogradec. Pas kësaj përgjigje, Porta Vendore pyeti edhe pranë Bashkisë Pogradec. Avni Myrte, specialisti i emergjencave civile pranë bashkisë konfirmoi për Portën Vendore se rreziku është i madh dhe se kërkon zgjidhje emergjente. Ai pohon se nga ana e Bashkisë janë bërë disa përpjekje për minimizimin e rrezikut, por e kanë pasur të pamundur t’i japin zgjidhje përfundimtare pasi duhen para. Ata kanë kërkuar ndihmën e forcave xheniere pranë Ministrisë së Brendshme, por këta të fundit kanë kërkuar të paguhen në vlerën e 7.5 milionë lekëve të vjetra për kryerjen e punës.
“Për problemin e gurëve të Çerravës, Bashkia është në dijeni dhe ka marrë të gjitha masat për ta zgjidhur këtë problem të mbartur prej vitesh. Fillimisht kemi kërkuar nga ekspertët e ushtrisë xhenierët për të ardhur, ata erdhën e panë rrezikshmërinë dhe bënë një preventiv. Më vonë me anë të një shkrese që na dërguan, thoshin se duhej që Bashkia Pogradec të paguante një faturë prej 7.5 milionë lekësh të vjetra, për dietat, naftën dhe shërbimin që ata do të kryenin, por duke parë se bashkia nuk i kishte këto para, ata hoqën dorë. Ne si bashki si edhe me interesimin e vetë kryetarit të bashkisë menduam një zgjidhje tjetër. Kemi hartuar një preventiv, për të ndërtuar aty një mur pritës betoni, por për shkak të terrenit të vështirë dhe fondeve të pakta nuk e kemi realizuar dot. Jemi munduar të gjejmë zgjidhje nëpërmjet firmave ndërtuese dhe jemi duke pritur një përgjigje, në rast se ata nuk do tregohen të gatshëm do të ndjekim rrugën e tenderimit. Kjo është një masë parandaluese që ne kemi menduar, duke qenë se është një problem shqetësues për banorët dhe i rrezikshëm”, përfundon specialisti Avni Myrte. Pra deri më tani, institucionet e vlerësojnë situatën të rrezikshme, por ende nuk kanë bërë ndërhyrje, duke lënë jetën e banorë në fatin e tyre me “gurët e shejtanit”.
Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.30