28 prill 2019/ Porta Vendore/Kuçovë
Frashëri është një fshat me 200 familje dhe i përket qytetit të Kuçovës. Banorët e këtij fshati jetojnë në informalitet të plotë, pasi të cilësuar si fshati i fundit i Kuçovës, i cili kufizohet me Cërrikun, ai ka mbetur në harresë të plotë nga pushteti vendor.
Në afro 30 vite demokraci, në Frashër asgjë s’ka ndryshuar, përkundrazi problemet dhe ankesat e banorëve sa vijnë e shtohen.
Por problemi më i madh i banorëve në Frashër, është ai i varrezave. As në kohën e komunës e as në 4 vite si bashki, nuk është caktuar një parcelë tokë për varrezë, ndaj banorët vazhdojnë traditën e të parëve, dhe varrosin nëpër oborret e shtëpive, duke bërë që varrezat fisnore të lagjeve të ekzistojnë ende dhe sot.
“Varrezat e vjetra i kemi pas në pyll, por u vendos këtu në lagje dhe ne me forcat tona i kemi rrethuar dhe pastron secili të vetën. Por unë jam i mendimit se duhet të caktohet një tokë diku larg fshatit pasi është një dëm shumë i madh psikologjik për të rriturit e veçanërisht për fëmijët që sa hapin sytë të shikojnë para shtëpive varreza”, tregon Gëzim Kullahu, ish-kryeplak i fshatit.
Por teksa tradita vijon në këtë fshat, sipas banorëve askush nuk ka ardhur këtu për t’i thënë stop kësaj pune. Varrezat në këtë fshat janë mbi 100 vjeçare, por tani pak nga pak ato parcela toke të planifikuara që nga stërgjyshërit për varreza fshati po përfundojnë, ndaj banorët apelojnë për ndihmë, pasi nuk po vjen dita që nuk kanë më ku të varrosin të afërmit e tyre.
“Varrimi i fundit ka ndodhur në lagjen e Kullahëve në korrik të 2018-tës, por unë jam 61 vjeç dhe po më ikën koha, nuk dua që të fus djemtë në siklete për një copë varr, sepse kur s’ka vende fillojnë edhe konfliktet e sherret. Ky ka qenë problem në fshatin tonë, që ne e kemi zgjidhur kështu deri më sot. Por nëse unë vdes dhe nuk ka vende, ku të shkoj?!” pyet me të drejtë Resmi Kullahu, banor i këtij fshati.
Në këtë fshat, në çdo fushatë elektorale nuk kanë munguar premtimet për zgjidhje të kësaj situate, ndaj sot banorët e Frashërit, të braktisur prej vitesh sytë i kanë nga shteti, teksa apelojnë për ndihmë.
Porta Vendore lidhur me këtë problematikë pyeti edhe zv/administratorin e Kozare, Idajet Shtëpenja,tha se situata nuk do të ndryshojë edhe për ca kohë.
Ndërkohë që banorët e fshatit Frashër kanë një listë të gjatë ankesash për sa i përket shërbimeve të munguara, askush nuk i vë veshin, duke u kujtuar si gjithmonë vetëm në kohë fushate që deputetë të zonës shkojnë për takime elektorale e për premtime të cilat deri më tani nuk kanë mbërritur në jetën e banorëve të Frashërit.