26 prill 2019 / Esmeralda Keta / Porta Vendore / Tiranë
Shpesh herë bashkitë e vendit janë kritikuar nga qytetarët për problemet që lidhen me mjedisin, por rrallë herë kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e kushteve. Për këtë arsye, shumë qytetarë kanë kërkuar ndihmën e shoqërisë civile, e së bashku me organizata të ndryshme, kanë nisur betejën në gjykata për të fituar të drejtat e cënuara nga pushteti vendor apo qendror.
Gëzim Gega është një nga qytetarët që ka kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe sot bashkë me qendrën mjedisore EDEN ka nisur betejën ligjore ndaj Bashkisë së Fierit. Ai është detyruar të braktisë vendin që ndërtoi për jetën e tij, pikërisht nga problemet që i janë shkaktuar nga pushteti vendor. Që në fillim të viteve ‘90, sapo kishte lënë qelitë e ftohta të burgut ku ishte dënuar me 7 vite heqje lirie për agjitacion e propagandë, Gëzim Gega u vendos në Sheq të Fierit. Aty nisi të ndërtonte ëndrrën e tij të re. Një shtëpi! Vit pas viti mori formën e mundit të tij disavjeçar, një shtëpi e bukur dykatëshe, ku derdhi mundin e një jetë të tërë. Por ndërsa Gëzimi rropatej për të ngritur strehëzën e jetës për 7 anëtarët e familjes së tij, pranë shtëpisë së tij rritej me ritme të shpejta fusha e mbeturinave të Fierit. Aq sa i zunë derën e shtëpisë e jetesa iu bë e pamundur. Sot, Gëzimi, si shumë banorë të tjerë të zonës, i ka vënë drynin shtëpisë dhe jeton me qira në Fier. “Ne aty në atë tokë ushqeheshim, ndërkohë që toka ishte e helmuar, ajri i helmuar. Ndaj e kemi kyçur shtëpinë e jetojmë me qira”, rrëfen për “Porta Vendore” Gëzim Gega, i cili është njëri prej banorëve që së bashku me qendrën Mjedisore EDEN ka nisur tashmë betejën ligjore ndaj Bashkisë së Fierit. “Kërkojmë që të mbyllet ky vend grumbullim dhe të rehabilitohet e gjithë sipërfaqja, që edhe ne të kemi mundësinë të jetojmë në shtëpitë tona”, thotë Gëzimi. Por si Gëzimi janë edhe shumë banorë të tjerë të Sheqit. Paradoksi qëndron në faktin se edhe përse mbeturinat u kanë ardhur deri në derë të shtëpisë dhe oborret e shtëpive nuk kanë asnjë ndryshim nga vend-depozitimi i mbetjeve, banorët e lagjes Sheq paguajnë një tarifë pastrimi dhe gjelbërimi prej 2400 lekë në vit.
Lira Hakani, koordinatore projekti pranë qendrës mjedisore “EDEN”, e ka ndjekur prej më shumë se 8 muaj situatën për vendgrumbullimin e mbetjeve në Sheq, Fier. Pasi kanë shterur të gjitha tentativat për dialog me bashkinë dhe gjetjen e një zgjidhjeje për rehabilitimin e kësaj zone, së bashku me një grup banorësh, në fund të korrikut 2018 kanë dorëzuar një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë ndaj Bashkisë së Fierit për te detyruar bashkinë të mbyllë vend-depozitimin e mbetjeve urbane në Sheq si një vend-depozitim pa leje mjedisore, ndotës dhe i dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të qytetit të Fierit. “Po ashtu shoqëria civile ka kërkuar detyrimin e palës së paditur (Bashkisë) për rehabilitimin e plotë dhe të menjëhershëm të vend-depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq, Fier”, na shpjegon Lira Hakani. Hakani na shpjegon se për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Sipas saj, Qendra mjedisore “Eden” po asistohet dhe mbështetet nga ekspertët e “Klinikave Ligjore” te Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, pasi çështja është mjaft e komplikuar. “Bashkia Fier nuk ka një plan lokal për menaxhimin e integruar të mbetjeve duke shkelur ligjin ‘Për menaxhimin e integruar te mbetjeve’. Ndërkohë një vendim i Gjykatës Administrative Vlorë, i marrë në muajin shkurt por i zbardhur në fund të muajit mars të këtij viti, vendosi për të mbajtur hapur venddepozitimin e mbetjeve në Sheq të Fierit, deri në ndërtimin e projektit për impiantin e mbetjeve në Vërri, teksa banorët dhe organizatat mjedisore janë të pakënaqur me këtë vendim, ata premtojnë për apelim.
Ajo mbetet në pritje të përfundimit të praktikave për ngritjen e incineratorit dhe e shikon atë si zgjidhje përfundimtare të vetme të problemit me vend-depozitimin e Sheqit”, na shpjegon Hakani, duke theksuar se incineratori nuk paraqet një zgjidhje në lidhje me detyrimet që ka Bashkia Fier për vend-depozitimin dhe me banorët e zonës Sheq, përderisa nuk është marrë ende një vendim për mbylljen dhe rehabilitimin e zonës. Vend-depozitimi aktual i mbetjeve ndodhet 50 m nga lagjja “Sheq” dhe vetëm 4 km nga qendra e Fierit. Ai është hapur para 40 vitesh dhe ka një sipërfaqe prej 6.2 ha. Vend-depozitimi është i paligjshëm, nuk është i pajisur me leje mjedisore, dhe ndonëse ka një vendim të këshillit bashkiak për mbylljen e tij, ai aktualisht është në funksion të plotë, 24 orë në ditë.
Kanionet e Nivicës të konsideruar “parajsa mbi tokë” kërcënohen nga HEC-et. Mes kontestimeve të shumta të ambientalistëve dhe shqetësimeve për pasoja të mundshme për trashëgiminë arkeologjike dhe natyrore, ndërtimi i hidrocentralit “Driza 1” në Tepelenë, është një tjetër çështje mjedisore që ka përfunduar në dyert e gjykatës. Fillimisht ishte ndërmarrja koncesionare që paditi Bashkinë e Tepelenës, e cila refuzonte t’i kalonte “Kendrevica Energy” një sipërfaqe nga fondi pyjor dhe t’i hapte kështu rrugë ndërtimit të HEC-it në zonën e quajtur Përroi i Ademit.
Pas një viti beteje mes Bashkisë së Tepelenës dhe koncensionarit, Gjykata Administrative e Gjirokastrës vendosi në favor të “Kendrevica Energy” në qershor të 2017-ës dhe urdhëroi Bashkinë Tepelenë që të hiqte nga fondi pyjor sipërfaqen e përcaktuar dhe t’ia kalonte koncensionarit.
E mbetur e vetme në këtë betejë, Bashkia Tepelenë nuk u dorëzua, por kërkoi ndihmë juridike klinikës ligjore të OSFA. Me ndihmën e ekspertëve, dhe pas kërkesës së Klinikës Ligjore drejtuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për pavlefshmëri të VNM-së (vendim i ndikimit në mjedis), u arrit dhe fitorja e parë. AKM shpalli pavlefshmërinë absolute të “Lejes mjedisore” të Kendrevica Energy shpk në ndërtimin e hidrocentralit “Driza1″, që e rikthen këtë proces në fillim. Bashkia e Tepelenës me ndihmën e Klinikës Ligjore, paraqiti argumente shtesë dhe aktualisht çështja ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Ndalimi i HEC në Osum është një tjetër rast i fituar nga shoqëria civile. Më 7 mars 2019 gjykata administrative e Apelit ka vulosur anulimin e ndërtimit të tre HEC-eve në kanionet e Osumit, thuajse dy vite pasi nisi edhe përballja në gjykata.
Fillimisht ka qenë vetë koncensionari “HP Bigas’ dhe ‘Veleshnja Energy”, i cili ka paditur Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrinë e Energjetikës për revokim të pjesshëm të VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis). Pas seancës së parë, palë në këtë proces gjyqësor u bënë edhe dy OJF mjedisore, Eco Albania dhe Federata Shqiptare e Rafting, të cilat i kanë ndjekur këmba-këmbës çështjet e HEC-eve në këtë zonë me rëndësi të veçantë për turizmin në vendin tonë.
Dy OJF-të, përfaqësimi i të cilave në gjykatë u realizua dhe u mbështet nga Klinika Ligjore e Durrësit, paraqitën argumente shtesë në proceset gjyqësore me koncensionarin. Një tjetër zhvillim pozitiv, është edhe fakti se AKZM ka zgjeruar zonën e mbrojtur në kanionet e Osumit, dhe ndonëse koncensionari ka ngritur një padi të dytë me datë 26 dhjetor 2018, duke aplikuar sërish për leje mjedisore, por me të njëjtin dokumentacion, AKZM e ka refuzuar këtë leje, duke hedhur poshtë pretendimet e koncensionarit.
“Bigas I” dhe “Bigas II” ishin parashikuar të ndërtoheshin në vendin e quajtur “përroi i Bigas”, në ujëvarën e Bigas, të cilët do të ndikonin drejtpërdrejt në sasinë e ujit që do të shkonte në kanionet e Osumit, një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në këtë zonë.
Por duket se procedura e ndjekur në rastet e HEC-eve në kanionet e Osumit ka shërbyer si precedent që po ndiqet nga shoqëria civile edhe në një betejë tjetër mjedisore.
Bëhet fjalë për HEC “Prishta” në Skrapar që është kundërshtuar nga Federata Shqiptare e Rafting. Në këtë rast është paditur në gjykatën e shkallës së parë të Vlorës këshilli bashkiak i Skraparit “për vënien në dispozicion te koncensionarit “HP Prishta 1 & 2 Energy” të një sipërfaqeje pyjore ku të ndërtojë hidrocentralin”. Edhe në këtë rast Federata Shqiptare e Rafting po asistohet nga ekspertë të klinikës ligjore. Por zgjidhja ligjore e gjetur në rastin e HEC Bigas, i ka dhënë një tjetër drejtim edhe kësaj beteje ligjore. Aktualisht çështja po zgjidhet në mënyrë administrative, pasi ekspertët ligjorë i kanë bashkangjitur dosjes, procedurën e ndjekur nga AKM për refuzimin e lejes mjedisore për koncenisonarin, pasi ajo i ka tejkaluar afatet. Aktualisht ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit po bëjnë monitorimet në terren, por ekspertët që po ndjekin këtë çështje kanë shpresë se gjërat janë në rrugë të mbarë edhe për këtë çështje. “AKM nuk mund të ndjekë dy standarde, pasi edhe HEC “Prishta” ndodhet në të njëjtat kushte si “Bigas”, ndaj edhe ne i kemi bashkangjitur të gjithë procedurën e “Bigas” dhe çështja është zgjidhur në mënyrë administrative”, – na shpjegojnë përfaqësuesit e OJF që po ndjekin këtë çështje.
Për Blerina Ago, themeluese e Federatës Shqiptare të Rafting, eksperte turizmi, anulimi i HEC në Kanionet e Osumit, monument natyre, është fitore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
“Unë jam dëshmitare e forcës së jashtëzakonshme që ka eko-turizmi për transformimin e komuniteteve të thella rurale duke sjellë rrugë të reja, më shumë hotele dhe restorante, më shumë punësim për gratë e sidomos të rinjtë si udhërrëfyes turistik. Në rast se do lejohej ndërtimi i HEC-it arsyeja pse vizitohet Skrapari dhe Kanionet e Osumit, apo pse turistet e Beratit zgjasin kohë qëndrimin me 2 ditë më tepër për te shkuar drejt Skraparit, do të shkatërrohej për pak sekonda”, – i thotë Porta Vendore, Ago.
Me një eksperiencë të gjatë në fushën e turizmin, ajo e di mirë se çfarë kërkon një turist dhe po aq mirë e di se si do të përkthej në ekonominë e zonës ndërtimi i HEC.
“Një turist vjen në Skrapar mbi të gjitha për të parë Kanionet spektakolare të Osumit, natyrën e paprekur, 8 ujëvarat ekzotike, për të takuar njerëzit mikpritës e për të provuar ushqimin e shijshëm gatuar me produktet lokale”. Në rast se në Kanion do ndërtohej HEC, do shkatërroheshin vlerat unikale të Kanionit të Osumit, të cilat e kanë bërë më të vizituarin në Shqipëri. HEC do ndikonte në ujëvarën, florën, faunën, e Kanionit. Duke dëmtuar Kanionet e Osumit, HEC do largonte turistë nga Skrapari, të ardhurat ekonomike që sjellin ata për komunitetet lokale, zhvillimin e mëtejshëm të zonës duke e zhytur më tej në varfëri dhe duke nxitur edhe me shumë emigrimin e njerëzve dhe braktisjen e Skraparit”, – shpjegon Blerina.
Sipas Blerina Agos, “Jo HEC-e në zonat e mbrojtura”, është padyshim zgjidhja e vetme për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë lokale.
” Shqipëria është një vend i bekuar me një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ne duhet të tregohemi të zgjuar të zhvillojmë një turizëm që në radhë të parë respekton dhe mbron trashëgiminë tonë natyrore dhe kulturore dhe që shpërndan të ardhurat në vend. Reagimi i menjëhershëm i qeverisë për mbrojtjen e Kanioneve të Osumit ishte vendimtar dhe tepër i rëndësishëm për ndalimin e kësaj çmendurie e cila do i kushtonte të ardhmen Skraparit por edhe Shqipërisë, pasi do humbiste një nga thesaret natyrore më të bukura në Europë”, përfundon ajo.
Por kjo fitore në kanionet e Osumit nuk i ka bërë aspak optimist mjedisorët. Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i Eco Albania, na thotë se ndihet i zhgënjyer dhe nuk ka shpresë se qasja e qeverisë ndaj “epidemisë” së HEC-eve do të ndryshojë.
“Pas disa vite beteje për çështjet mjedisore unë ndihem i zhgënjyer, – na thotë Olsi Nika. – Nuk ka shpresë që qeveria shqiptare dhe drejtësia të ndryshojë qëndrim ndaj HEC-eve. Rasti i “Bigas” është vetëm një rastësi, pasi vetë ministria e Energjetikës e braktisi çështjet në seancat e para dhe vetëm pasi në proces u përfshimë edhe ne, shoqëria civile, arritëm që ai të anulohej edhe ligjërisht. Por ky është nga ata raste që pushteti bën “sikur i interesojnë vërtetë këto çështje”, por nuk është aspak kështu…Siç po shkojnë gjërat shumë shpejt do të nisë puna në Kalivaç, duke e thërrmuar të gjithë betejën tonë për Vjosën. Ndaj them se fitorja me “Bigas” nuk ka vend për optimizëm të kotë”- përfundon Nika.
Tonelata me mbeturina të qytetit të Durrësit shkarkohen çdo ditë në një fushë të hapur në fshatin Sukth, të pa pajisur me leje mjedisore, ku lihen të degradohen në gjendje të lirë. Si pasojë jetesa e qindra banorëve të kësaj zonë është bërë e pamundur. Pas qindra kërkesave drejtuar Bashkisë së Durrësit, që ranë në vesh të shurdhët, banorët e kësaj zone organizuan disa protesta në fund të 2018-ës, duke kërkuar ndërhyrje emergjente.
Maringlen Qorri, student në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në qytetin bregdetar, është njëri nga grupi i studentëve që ngritën padi, së bashku me një grup banorësh, kundër bashkisë së Durrësit.
“Kampusi nuk është as 500 metra larg nga ky vendgrumbullim, ku derdhen mbeturinat e të gjithë Durrësit dhe digjen në gjendje të lirë…ka ditë që leksionet është e pamundur t’i ndjekim për shkak të aromave të tmerrshme, ka ditë që qelbet i gjithë ambienti, sikur diçka e ngordhur po dekompozohet…unë e kam edhe shtëpinë në këtë zonë dhe është e tmerrshme të jetosh në këto kushte”, – na shpjegon Marigleni.
Banorët dhe studentët kërkojnë mbylljen e këtij vendgrumbullimi, dhe në këtë betejë ligjore ata po asistohen nga ekspertë të Klinikës Ligjore të Durrësit.
Marigleni na thotë se së bashku me grupin e studentëve, që kanë marrë edhe në protesta për këtë çështje, nuk do të heqin dorë pa gjetur një zgjidhje. “Ky vendgrumbullim është një “bombë” mjedisore, dhe ta mendosh që ndodhet buzë detit dhe në një zonë super të populluar…ne kërkojmë që ajo të mbyllet dhe banorët të mund të jetojnë si njerëz në shtëpitë e tyre. Ne nuk tërhiqemi nga kjo betejë, pasi ne refuzojmë të shkollohemi me një re tymi që na mbush mushkëritë me ajër të ndotur”, – përfundon Marigleni.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.