Ndodhi

Tregjet e kafshëve, “bomba” që kërcënon sigurinë ushqimore

24 prill 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

Me tregje që nuk plotësojnë asnjë kusht higjieno- sanitar, mungesë e theksuar e shërbimit veterinar, me kafshë që theren në rrugë, të pamatrikullluara dhe pa certifikatë veterinare, tregtimi i mishit në vendin tonë rrezikon të kthehet në një minë me sahat duke kërcënuar seriozisht të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore. 

Një studim i mbështetur nga “Leviz Albania”, gjetjet e të cilit u bënë publike një ditë më parë, nxjerrin në pah situatën alarmante në të cilën operojnë një pjesë e konsiderueshme e tregjeve të bashkive të vendit.Konkretisht projekti ka kaluar në sitë tregjet e Shelqet (Vau i Dejës), Stom-Golem (Shkodër), Milot (Kurbin), Gostimë (Cërrik), Librazhd, Qukës (Prrenjas), Çerravë (Pogradec), Voskop (Korçë), Rrogozhinë, Mifol (Vlorë).

Problematikat e konstatuara variojnë që nga mos plotësimi i kushteve higjieno-sanitare; nuk dezinfektohen pas ditës së funksionimit të tyre; rrugët shndërrohen në tregje; nuk funksionon sistemi RUDA;kafshët lëvizin në tregje pa matrikuj dhe certifikataveterinare; nuk ka shërbim të rregullt veterinar por edhe kur ndodhet mjeku veteriner, kafshët hyjnë e dalin pa matrikuj; kontraktorët, subjekte private dhe bashkitë nuk investojnë për plotësimin e kushteve.

Në disa prej tyre situata e konstatuar ka qenë aq alarmante, sa pushteti lokal është detyruar t’u vërëkyçin dhe më konkretisht bëhet fjalë për tregun e Gramshit, Peqinit, Cërrikut, Librazhdit, Çerravës dhe Proptishtit. Ndërkohë disa bashki kanë ndërhyrë për kushtet dhe shërbimin në tregjet e Rrogozhinës, Mifolit, Shelqetit, Stom-Golemit dhe Qukësit. Por kjo nuk e zgjidh problemin.

Granit Sokoloj që ka udhëhequr projektin për skanimine situatës së tregjeve për më shumë se 9 muaj, shpjegon se janë monitoruar vetëm 10 nga 33 të licencuar. “Situata është mjaft alarmante dhe rrezikon të kontaminojë të gjithë zinxhirin ushqimor dhe madje edhe të kthehet në burim sëmundjesh infektive. Duhet një ndërhyrje kapilare dhe ndryshim legjislacioni, pasi në situatën e tanishme pushteti lokal pak gjë ka në dorë që të përmirësojë kushtet e tregtimit”, thotë Sokolaj.

Situata është pranuar edhe nga Luljeta Çuko, drejtore e Derregullimit, Licencimit dhe Monitorimit nëMinistrinë e Bujqësisë, e cila ishte e pranishme në tryezën e organizuar nga “Leviz Albania” për sigurinë ushqimore. “A mund t’i kontrollojmë ne mbi 350 mijë fermerë që kemi në mbarë vendin? Sigurisht që kemi një plan monitorimi të detajuar për monitorimin e situatës, por sërish mbetet një sfidë e madhe”, tha Çuko, e cila sqaroi se aktualisht janë 350 stabilimente që eksportojnë produktet e tyre në vendet e BE-së. “Por ne po punojmë që produktet tona të shkojnë edhe përtej BE-së dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë”, ka deklaruar Çuko.

Por ndërsa topi i ka kaluar pushtetit lokal, ky i fundit duket se pak gjë ka në dorë. Ata kanë kërkuar ndryshim të legjislacionit që të mund të kenë më shumë kompetenca që situata të futet në rrugën e duhur. “Edhe në tregun e Korçës situata ka qenë problematike, ndaj ne kemi marrë disa masa. Por pak gjë mund të bëjmë, pasi jo vetëm që mungojnë fondet, por duhet të ndryshojë legjislacioni, pasi ne nuk kemi akses të ndërhyjmë në shërbimin veterinar. Shërbimi këshillimor na kërkohet neve, por ajo me ligj është kompetencë e qeverisjes qendrore”, u shpreh përfaqësuesi i Bashkisë së Korçës.

Michael Power, team leader (drejtues) i projektit IPA, projekt i cili po asiston Shqipërinë në sigurinë ushqimore, u shpreh se produkte të sigurta do të thotë të mbrosh konsumatorin. “Aktualisht ne po bashkëpunojmë me Ministrinë e Bujqësisë dhe me tëgjithë aktorët e tjerë për të kuptuar se si është situata dhe se si funksionon i gjithë zinxhiri i sigurisë ushqimore. Në fund do të japim edhe rekomandimet tona se si dhe ku duhet të ndërhyhet”, – u shpreh ai.

Alban Zusi, kreu i i shoqatës së industrialistëve ushqimorë dhe ish ministër i Bujqësisë, nuk i ka kursyer notat e forta të kritikës për situatën ku ndodhet aktualisht siguria ushqimore në vendin tonë. “Nuk di nëse ka një vend tjetër që gjendet në të njëjtin qorrsokak, ku është siguria ushqimore në vendin tonë. Nuk funksionon i gjithë sistemi, dhe jo vetëm askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me një kafshë para se tëtheret, por edhe numrat e matrikullimit veterinare ia jep të zotit të kafshës, pasi e ka therur… Nuk mundet që 200 veterinerë të kontrollojnë çdo kafshë që theret nëvendin tonë. Që këtu skema është e dështuar. Duhet të vendosim tullën e duhur, në vendin e duhur dhe nëkohën e duhur”, ka thënë ai. E megjithatë ai është shprehur kundër idesë të thertoreve në çdo bashki, për shkak se ata kanë një kosto të lartë për të qenë eficiente dhe se blegtorët e vegjël nuk mund të plotësojnë kushtet për të garantuar sigurinë ushqimore. “A mund të ndryshohet situata me kaq para sa ka në dispozicion Ministria e Bujqësisë?! Asnjëherë!, – shpjegon Zusi – “por ne duhet të kemi një projekt të qartë se çfarë duam, ku duam të shkojmë dhe çfarë duam të arrijmë”, përfundoi ai këshillën ndaj Ministrisë së Bujqësisë.

Për të ilustruar se në çfarë amullie lëviz aktualisht siguria ushqimore në vendin tonë dhe udhëkryqin ku ndodhet konsumatori shqiptar, drejtori i “Leviz Albania” Elton Kashta, solli një shembull konkret. “Mbrëmë kisha në tryezën time të shtëpisë një kokërr domate dhe nuk dija ta konsumoja apo jo? A ishte ajo e rritur siç duhet apo e rritur para kohe me pesticide? Nuk dija nëse po konsumoja një produkt të shëndetshëm, apo një produkt jo të shëndetshëm?, u shpreh Kashta. Kësaj pyetje 1 milion dollarëshe, duket se i dha shkarazi përgjigje edhe drejtoresha e Ministrisë së Bujqësisë. “Nuk mund të kemi një hap cilësor në drejtim të sigurisë ushqimore, nëse edhe laboratorët nuk ecin në të njëjtin standard”, ka përfunduar Çuko, duke vënë kështu gishtin edhe mbi një plagë tjetër të zinxhirit të sigurisë ushqimore.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.