24 prill 2019 / Porta Vendore / Tiranë
Edhe pse janë pjesë e Bashkisë Tiranë, fëmijët e fshatit Prush nuk e ndjejnë veten si të tillë. Ata nuk mund të shkojnë në shkollë me rrugë të asfaltuara, si bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa kopshti dhe shkolla e tyre janë në gjendje të mjerueshme.
Një ankesë e këtyre fëmijëve erdhi pranë Portës Vendore dhe gazetarët tanë verifikuan gjendjen në terren. Peripecitë për të shkuar pranë kopshtit dhe shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Hima” të Prushit fillojnë që nga rruga e pashtruar. Prindërit ankohen për rrugën që në kohë shiu bëhet e pakalueshme, ndërkohë që kanë marrë disa herë premtime, por ajo nuk është shtruar. “Rrugët janë të pa shtruara, po na vriten fëmijët. Në ditët me shi bëhet më keq. Ne jemi ankuar për këto kushte të këqija, na kanë premtuar që para 4 viteve dhe asgjë deri më sot”, tregon një nga prindërit, i cili ka një fëmijë në kopsht dhe një në shkollë.
Por sikur të mos mjaftonte rruga, gjendja përkeqësohet edhe më shumë kur shkon në godinën që shërben si kopsht. Godina duket e lënë në mëshirë të fatit, pa suvatim dhe pa lyerje. Oborri i kopshtit, në vend të lodrave ka tulla betoni dhe shufra hekuri, ndërsa si për ironi, disa karrige janë lënë në diell për t’u ngrohur nga i ftohti brenda kopshtit!
Po të hysh në ambientet e brendshme, situata është edhe më alarmante, soba e vendosur nuk e ngroh dot ambientin dhe fëmijët detyrohen të dalin jashtë sa herë ka diell. Ndërsa muri i kopshtit është mbushur me rrjeta merimangash, myk dhe lagështirë! Kopshti nuk ka as sanitare, pastrimin e bëjnë vetë edukatoret. “Kushte këtu nuk ka, është ftohtë, pa karrige me xhama të thyera, por nuk kemi ç’të bëjmë, nuk kemi ku t’i çojmë vend tjetër”, shprehet një nënë me fëmijën në dorë, të cilin sapo e ka marrë nga kopshti. Ndërsa edukatorja shpjegon se situata ka vite që është kështu. Ajo shpjegon se ka ardhur nga rrethet për një jetë më të mirë, por situata është edhe më keq. Ajo shpjegon se godina është marrë me qira për kopsht nga Bashkia Tiranë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë investim, duke i lënë fëmijët në gjendje të mjeruar.
Deri para një viti, e njëjta gjendje ka qenë si në kopsht, ashtu edhe në shkollë. Pas disa ankesash nga banorët, Bashkia e Tiranës investoi në shkollë. Sot, gjendja nuk ka ndryshuar shumë. “Kjo shkollë nuk ka kushte, kur bie shi jashtë futet brenda. Këtu në shtator vetëm kanë lyer dhe e lyera mbulon ato vende që suvatimi ka rënë, nuk janë marrë me gjëra të tjera si oborri i pashtruar dhe po na vriten fëmijët, ju e shikoni vetë se çfarë kushtesh ka kjo shkollë, përveç këtyre ka edhe shume lagështirë. Ne kemi bërë edhe mbledhje me drejtorin por asgjë”, thotë një nga prindërit.
Por, Drejtori i shkollës mundohet të zbusë situatën teksa flet për kushtet e shkollës. “Shkolla jonë është me kushte optimale dhe nuk ka ndonjë problem të theksuar, pasi në shtator shkolla jonë është lyer nga brenda dhe jashtë. Ne ngrohemi me soba me dru”, deklaron drejtori Artan Allgjata, i cili shton se shkolla është lyer në vitin 2018, pas disa ankesash që kishin bërë prindërit, edhe në media. Ai thotë se ende ka lagështirë, por në këtë rast zgjidhja e vetme është ndërtimi i një shkolle të re.
Ndërsa fëmijët mendojnë ndryshe nga drejtori i shkollës. “Brenda nuk ka kushte fare, mungojnë karriget, nuk ke ku të ulesh, edhe tavolina, karrige mësuesish, brenda janë kushte primitive, dërrasa e zezë është e ndarë më dysh, lagështire ka sa të duash”, thonë fëmijët për Portën Vendore.
Për kushtet e infrastrukturës arsimore në fshatin Prush, Porta Vendore pyeti edhe pranë Njësisë Administrative Vaqarr. Administratori Gentian Myrta deklaroi se shqetësimin e banorëve e ka ngritur pranë Bashkisë së Tiranës dhe sa i përket shkollës është bërë një ndërhyrje, ndërkohë që për kopshtin, mundësitë kanë qenë të vogla. “Megjithatë, shkolla e Prushit do të bëhet godinë e re. Ndërsa kopshti është marrë një godinë me qira për momentin, pasi shkolla dhe kopshti do të bashkohen në një godinë të re”, deklaroi Administratori i Vaqarrit, Myrta. I pyetur se kur mund të bëhet kjo ndërhyrje, ai nuk mund të japë një afat. Edhe për kushtet e kopshtit, ku fëmijët kanë disa vite në gjendje të mjeruar, Administratori mjaftohet me fjalët se “Me bashkimin e ish komunës Vaqarr me Bashkinë e Tiranës, kanë ndodhur përmirësime të mëdha, pasi gjendja ka qenë edhe më e keqe”. Sipas të dhënave, kopshtin publik dhe shkollën e Prushit e frekuentojnë rreth 250 fëmijë, të cilët duhet të përballen çdo ditë me gjendjen e mjeruar.
Kur mendon se je vetëm pak kilometra larg qytetit të Tiranës, ngre pikëpyetje sesi janë shkollat e fshatrave më të thella, ndërkohë që prindërit bëjnë apel që pushteti vendor të marrë masa që edhe fëmijët e tyre të kenë kushte ashtu si në shkollat e tjera të Bashkisë Tiranë.