Ngjarje/Personazhe

Transporti urban pa orar irriton banorët e linjave rrethqytetase

19 Prill 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

Transporti urban mbetet një shqetësim për banorët e Bashkisë Elbasan, ku edhe pse janë vendosur kushte dhe orare, ato nuk respektohen. Banorët përreth qytetit të Elbasanit, të cilët përballen çdo ditë me pritjen me kohë të zgjatur, ankohen për oraret dhe kushtet, por janë edhe vetë shoferët e këtyre linja që i pranojnë problemet, por që sipas tyre vijnë nga konkurrenca e pandershme dhe mosndërhyrja e autoriteteve përkatëse.

Suela udhëton çdo ditë drejt Universitetit të Elbasanit, ku vazhdon studimet. Si ajo janë dhe shumë të rinj që nga fshatrat përreth Elbasanit udhëtojnë për të ndjekur leksionet dhe seminaret. Minutat e pritjes shpesh shndërrohen në orë për shkak të mungesës së një transporti të rregullt urban. “Më duhet të udhëtoj çdo ditë dhe duhet të kesh fat për të të qëlluar një mjet që të çon në kohë në shkollë. Shpesh dalim 1 orë më herët duke e ditur sa e vështirë është të gjesh një mjet. Jemi rreth 5 kilometra larg Elbasanit dhe e kemi kaq të vështirë të arrijmë në kohë. As urbani dhe as furgonët nuk kanë një orar fiks. Kur gjejnë pasagjerë, shpesh presin të mbushen, gjë që nuk është e lehtë dhe ne humbim orët e leksioneve apo seminareve”, shprehet studentja. Të vështirë e kanë dhe banorët e tjerë të rrethinave. Edmond Meta ngre të njëjtin shqetësim. Ai udhëton nga fshatrat përreth për në punë. “Furgonët janë orar pa orar. Vonohen në më të shumtat e rasteve dhe ne bëhemi vonë. Jam i detyruar të mendoj për një zgjidhje me mjet privat, por edhe ajo ka kosto të madhe për ne. Duhet të ketë transport çdo gjysmë ore”, kërkon Edmond Meta. Ashtu si ai, Minushe Balliu udhëton drejt qytetit për të shitur prodhime bujqësore. “Nuk ka as makina e as furgonë. Urbani duhet të kishte orar e jo të vijë kur t’i dojë qejfi dhe ne të rrimë të presim me orë të tëra”, flet e irrituar Balliu.

Pritja për furgonin e duhur. Foto: Bardha Nergjoni

Por, edhe pse banorët ankohen për oraret e transportit urban, këshilli bashkiak ka miratuar disa orare. Në tabelën e Këshillit Bashkiak që mban datën 19.07. 2018 linjat kryesore rrethqytetase kanë të miratuara oraret, çmimin e biletës dhe po kështu numrin e orareve që duhet të respektojë secila linjë. Kështu vetëm në linjën Labinot Fushë – Elbasan dhe anasjelltas janë të miratuara 31 orare me një vlerë 50 lekë bileta. Të pyetur, udhëtarët e përditshëm konfirmojnë se në asnjë rast nuk janë respektuar kaq shumë orare. Madje, vetë drejtuesit e linjave e pranojnë se oraret është e pamundur të respektohen për shkak të konkurrencës së pandershme dhe mbivendosjes së linjave. Rexhep Meta është një prej tyre, i cili thotë se vështirësitë janë shtuar dhe shteti nuk i përkrah. “Nga viti 2009 punoj me transportin e udhëtarëve me licencë juridike. Kemi shumë probleme me larjen e taksave të larta, në një kohë që edhe TVSH është bërë 20%. Vështirësitë në terren janë të mëdha .Linja ime është rrethqytetase, ndërkohë që edhe ato ndërqytetëse marrin pasagjerët tanë. Ne i kemi çdo gjysmë ore oraret, ndërkohë që na janë mbivendosur linjat dhe furgonët që punojnë pa licencë. Është mjaft e vështirë të vazhdosh punën në këtë situatë”, shprehet Meta.

E njëjta situatë duket edhe me linjat e tjera. Këshilli Bashkiak i Elbasanit në 19 korrik 2018 ka miratuar një linjë shtesë Elbasan-Metalurgji e kthim, nisur nga zhvendosja e terminalit të autobusëve në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Deri në vendosjen e linjës, transporti realizohej me mjete të rastit. Gjithashtu në linja të rregullta në qytet funksionon një kompani që realizon transportin urban drejt fshatrave më të afërt si Hajdaran, “Lagjja e çamëve”, Lagjja Skëndërbej si dhe ekstremet periferike të qytetit si qendra spitalore dhe pranë lumit Shkumbin, etj.

Pranvera është gjithashtu një frekuentuese e rregullt e linjës urbane. Ajo thotë se nuk është se urbanët janë korrektë me oraret. Nëse ajo i ndjek oraret e vendosura në tabelat elektronike, thotë se do ngelet në këmbë. Po ashtu ajo shton se shpesh nuk i vë re se janë shkrime shumë të vogla, ose ndonjëherë nuk i kanë oraret e autobusëve. “I kam parë dhe me vështirësi i marr vesh. Nganjëherë lexoj ‘TEST’ dhe asnjë orar. Nuk nisem nga ato, por jam mësuar t’i pres autobusët që kalojnë me minuta edhe deri në gjysmë ore oraret e vendosura”, tregon ajo.

Ndërkohë, Këshilli Bashkiak ka vendosur që autobusët të kenë jo më shumë se 10 vjet vjetërsi, por deri tani ky vendim nuk është zbatuar. Qytetarët ankohen se ky transport nuk është në cilësinë e biletës që paguhet. Artani udhëton nga Hajdarani çdo ditë për të punuar si infermier në qendrën spitalore. Ai thotë se autobusët janë të vjetër dhe shumë të vegjël. “Nuk janë autobusë bashkëkohorë dhe nuk është se respektojnë shumë oraret. Nuk kam zgjidhje tjetër se do të preferoja më shumë një furgon që ecën më shpejt dhe nuk ka aq shumë njerëz sa në një autobus të përmasave të vogla, që nuk i përgjigjet interesit të qytetarëve”, shpjegon Artani.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkisë Elbasan deklaruan se me linjat e miratuara duhet të ketë transport çdo 15 minuta, sidomos Labinot-Fushë dhe nuk duhet të ketë probleme për oraret. Përgjegjësi i transportit Eduard Bordi theksoi se ankesat e qytetarëve duhet t’i drejtohen një subjekti të caktuar dhe të jenë të drejtpërdrejta në mënyrë që të merren masa. Ai tha gjithashtu se oraret janë të publikuara dhe linjat e transportit duhet të respektojnë më shumë se 30 orare brenda ditës.

Megjithatë, derisa qytetarët nuk i drejtojnë ankesat për subjektet e caktuara, duket se askush nuk mban përgjegjësi, edhe pse kontrolli i linjave sipas kontratave me subjektet private, është detyrë e bashkisë dhe jo e qytetarëve.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në qytetin e Elbasanit.