Vëzhgim/Analizë

Bashkia Kamzës vendos taksë ndërtese, pa pasur asnjë ndërtesë

17 Prill 2019/ Porta Vendore/ Ornela Manjani/ Kamëz                                        

Bashkia e Kamzës, prej vitit 2017 aplikon taksë mbi ndërtesën për çdo qytetar që jeton në gjithë territorin që ka në administrim bashkia, pavarësisht nëse qytetari ka ndërtesë në posedim apo jo. Kjo ka bërë që për të njëjtën ndërtesë të paguajnë taksën dy ose më shumë qytetarë, ose ndryshe privohen nga të gjitha shërbimet që ofron bashkia.

Ndryshe nga banorët e gjithë Shqipërisë, ku taksë mbi pronën paguan pronari i ndërtesës ose personi që e ka marrë atë me qira, në Kamzë paguan çdo person që është regjistruar në certifikatë më vete në gjendjen civile. Të detyruar për të paguar taksën e ndërtesës në Kamzë janë edhe personat që nuk kanë pronë, ose nuk kanë shtëpi me qira, madje nuk jetojnë fare në Kamzë, por që thjesht rezultojnë se kanë lindur aty ose familja e tyre është vendosur në këtë njësi administrative në 20 vitet e fundit.

Kastriot Kovaçaj tregon për Portën Vendore se një taksë e tillë i është vënë katër vetave nga një familje. Ai shpjegon se është i regjistruar në Njësinë Administrative ‘Paskuqan’, me adresë shtëpinë që ka ndërtuar i ati i tij vite më parë. Adresën në këtë banesë, e cila është rreth 70 metra katrorë, e kanë dy prindërit së bashku me tre djemtë e tyre. Bashkia Kamëz, për të njëjtën shtëpi, i  ka dërguar taksën për ndërtesën, babait të Kastriotit, Frrok Kovaçaj, dhe tre djemve të tij, të cilët janë beqarë dhe në certifikata familjare të ndarë nga prindërit. “Bashkia kërkon të vjelë katër herë taksën për të njëjtën ndërtesë. Këtë e kuptova në fund të vitit, kur erdha nga emigrimi dhe humba pasaportën, pasi jetoj jashtë Shqipërisë”, tregon Kovaçaj. Në momentin që ka aplikuar për pasaportën e re, atij i është kërkuar të paguajë taksën edhe për vitet e prapambetura, si domosdoshmëri për aplikimin, në të kundërt ai s`mund të pajisej me mjetin identifikues, mjet me të cilin i duhej sërish të kthehej në vendin e punës në Europë. Qytetari emigrant është detyruar të paguajë taksën e kërkuar për shkak se i duhej të aplikonte për pasaportë, ndërsa ka nisur edhe kalvarin e gjatë të përpjekjeve për të mësuar të vërtetën mbi këtë taksim.

Kovaçaj, pasi ka paguar taksën e ndërtesës, ka paraqitur një ankesë në zyrën e ankesave në Bashkinë e Kamzës. “Pas më shumë se dy javësh, punonjësja e bashkisë më vuri në dispozicion një formular shërbimi, ku janë të sqaruara sipas zërave detyrimet që unë duhet të paguaj për llogari të bashkisë, por asnjë shpjegim pse duhet të paguajë taksë për një ndërtesë që nuk e kam dhe që paguhet nga babai im”, deklaron ai për Portën Vendore.

Referuar dokumentit të lëshuar nga Njësia Administrative Paskuqan rezulton që Kastriot Kovaçaj ka paguar taksën që nga vitit 2014, kur është ndarë nga trungu i familjes dhe ka dalë në certifikatë familjare më vete. Në vitin 2014, 2015 dhe 2016, Kastrioti ka paguar taksën e gjelbërimit dhe pastrimit, në vlerën 7300 lekë për të tre vitet në total. Ndërsa nga vitit 2017 deri në vitin 2019, përveç taksave të gjelbërimit dhe pastrimit i ka shkuar taksë edhe për arsim dhe ndërtesë, në total 16 mijë lekë. Sipas dokumentit që i është vënë në dispozicion Kastriotit nga bashkia mësohet së në tre vitet e fundit, 2017, 2018, 2019 taksa për ndërtesën është 5 mijë lekë.

Në kërkim të pronës…

Pasi ka paguar detyrimin dhe pasi ka ankimuar detyrimin për taksën, Kastrioti ka marrë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vërtetim se ai nuk ka pronë. Në përgjigjen e kthyer nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme thuhet se: “në bazë të dokumentacionit të depozituar nga ana juaj, ku kërkoni informacion nëse ka pasuri në emër të Kastriot Kovaçajt, nga verifikimet dhe kërkimet në sistemin tonë digjital në Zonën Kadastrale 2066 në Kamzë, nuk rezulton pasuri në emrin tuaj”.

Po ashtu, Kastrioti ka marrë vërtetim edhe pranë zyrave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, ku thuhet se: “Nga verifikimet e kryera në sistemin e faturimit në emër të Kastriot Kovaçaj nuk rezulton të ketë kontratë për furnizimin me energji elektrike pranë kompanisë OSHEE. Sh.a”.

Bashkia e Kamzës thotë…

Pas ankesës së qytetarit, Porta Vendore kontaktoi edhe me Bashkinë Kamëz. Juristi i Bashkisë nuk pranoi të fliste për rastin e aq më pak të na jepte ndonjë fakt për të qartësuar qytetarin se pse duhet të paguajë taksë ndërtese edhe në rastet kur nuk kanë shtëpi në pronësi apo kur kanë marrë një të tillë me qira. Juristi deklaroi vetëm se Këshilli Bashkiak i Kamzës ka vendosur në vitin 2017 që të taksojë për ndërtesë çdo familje që jeton në Kamzë, pavarësisht faktit nëse ka ose jo shtëpi. “Taksa vendoset mbi bazën e një vendimi të këshillit bashkiak, e keni në faqen e bashkisë. Unë jam jurist zbatoj vendimin”, deklaroi juristi.

Vendimi absurd i këshillit

Po ashtu, Porta Vendore kërkoi nga bashkia një kopje e vendimit të këshillit bashkiak, sipas të cilit aplikohet taksa e ndërtesës. Por edhe pas 2 javëve pritje, vendimi nuk na u vu në dispozicion. Gjithsesi Porta Vendore gjeti këtë vendim, në të cilin thuhet se: “Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor. Për kategorinë ‘taksa e ndërtesës për familjet’ paguhet nga të gjithë familjet e regjistruara në regjistrin e gjendjes civile të Bashkisë Kamzë”. “Detyrimi vjetor referues i taksës se ndërtesës për familjet prej 1500 lekësh do të paguhet nga çdo familje deri në një moment të dytë kur të bëhet formalizimi i plotë i ndërtimeve dhe të dhënat për sipërfaqen e ndërtesës të merren zyrtarisht nga ZRPP-ja ose kur të bëhen konstatimet në terren rast pas rasti për çdo ndërtese për sipërfaqet e tyre nga komisione të posaçme të ngritura me urdhër të organit ekzekutiv të Bashkisë Kamzë”, deklarohet në vendimin e Këshillit Bashkiak Kamëz.

Reagimi i kryebashkiakut

Po për të kuptuar se çfarë ishte ky vendim dhe ku ishte bazuar, Porta Vendore pyeti edhe Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. “Paketa Fiskale, e miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe e konfirmuar nga Prefektura janë në koherencë të plotë me ligjin. Madje për taksat familjare kemi shfrytëzuar klauzolën ligjore me 30% më pak se intervali ligjor”, deklaroi Mziu. Po ashtu, kryebashkiaku i Kamzës u pyet edhe për rastin konkret, por ai u përgjigj; “A mundet të më japësh një banor që jeton pa banesë?! Pa hipotekë është 90% e Kamzës”. Pra sipas Mziut, çdo person që jeton në Kamzë, do të paguajë taksë shtëpie, pavarësisht se nuk ka shtëpi dhe mund të jetojë në shtëpinë e prindit. “Normalisht që po! Një person ose duhet të ketë shtëpi, ose të ketë qira. Ndryshe nuk ke si banon?!”, deklaroi ai. Sipas tij, zgjidhja e vetme është që banori i cili nuk ka shtëpi, duhet të çojë kontratë qiraje dhe të deklarohet se taksën e ndërtesës e paguan qiradhënësi.

Ministria e Financave

Për të marrë një përgjigje në lidhje me faktin se a ka të drejtë Bashkia Kamzë të taksojë për ndërtesën një person që nuk ka ndërtesë, Porta Vendore pyeti edhe Ministrinë e Financave, duke i parashtruar rastin konkret. Në sqarimin e vet ky dikaster theksoi: Ligji Nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” në  Nenin 22, paragrafi 1 parashikon: “Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe”. Taksës së pasurisë së paluajtshme “ndërtesë” i nënshtrohet pronari ose përdoruesi, proporcionalisht me kohën në të cilën ushtrohet e drejta e pronësisë/përdorimit. Ministria e Financave pohon se taksën mbi pronën e paguan pronari ose përdoruesi, që do të thotë për një ndërtesë nuk mund të paguajnë taksë edhe pronari edhe përdoruesi i saj, por vetëm njëri në bazë të marrëveshjes që kanë bërë palët. Në rastin tonë, qytetari denoncues nuk është as pronari edhe as përdoruesi, pasi jeton jashtë vendit!

Gjithashtu Ministria e Financave shpjegon edhe formulën për llogaritjen e pronës duke na vënë në dispozicion faktin se në formulë duhet të përllogaritet ndërtesa ose e quajtur ndryshe njësia pronësore. “Pra, subjekt taksimi do të jetë edhe përdoruesi i cili zotëron një banesë pavarësisht nga fakti nëse kjo ndërtesë/njësi pronësore ka titull pronësie ose jo. Ky parashikim është bërë për shkak të fenomenit të realitetit shqiptar dhe për efekt taksimi. Por asnjëherë nuk ngarkon me barrën e taksës dy apo më shumë persona për të njëjtën ndërtesë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave.

Eksperti: Taksa është gabim

Edhe ekspertët deklarojnë se taksa nuk mund të paguhet duke përllogaritur si njësi familjet, por ndërtesat. “Taksa, edhe emërtimin e ka ‘mbi ndërtesën’. Taksat vendosen sipas ligjit ‘Për sistemin e taksave vendore’. Sipas këtij ligji, këshilli vendor ka në kompetencë të rrisë apo të ulë 30% këtë taksë, duke u nisur nga baza e saj e përcaktuar në ligj. Sa në definicion, kjo taksë nuk merret për banor apo për familje. Nëse këshilli ka bërë një vendim të tillë, e ka marrë vendimin gabim. Përderisa në metodikën e vjeljes së kësaj takse i referohemi Lek/m2 dhe sipërfaqes në m2, sipas dokumentit të pronësisë apo apriori dhe derisa familjari nuk sjell dokument të pronësisë, i bie që një pronë të taksohet 4 herë. Pra është gabim”, deklaron dr. Fatlum Nurja, ekspert për pushtetin vendor dhe decentralizimin. Por si mund të zgjidhet kjo çështje?! Eksperti Nurja mendon se në këto raste, personat e cenuar duhet të marrin nismën për ankimimin administrativ në prefekturë. “Prefektura mund ta kthejë një herë për rishikim vendimin në këshillin bashkiak përkatës, por nuk e ndal zbatimin e vendimit. Nëse këshilli bashkiak vendos sërish në të njëjtën linjë, atëherë prefektura e dërgon vendimin në Gjykatë Administrative. Personat mund ta atakojnë edhe vete direkt në gjykatë”, përfundon eksperti.

Përballë kësaj situate, qytetari tregon se është ankuar pranë Prefekturës së Tiranës, por edhe ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Tiranës. Por, derisa gjykata ose prefektura të reagojnë, si ky qytetar, ashtu edhe shumë qytetarë të tjerë në Kamëz, do u duhet të paguajnë taksën abuzive, ose ndryshe nuk përfitojnë shërbimet e kësaj bashkie.

Rreth autorit:
Ornela Manjani është gazetare e çështjeve ekonomike.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail