15 Prill 2019/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Kuçovë
Më shumë se 7 fshatra të njësisë administrative Lumas në Bashkinë e Kuçovës vuajnë prej vitesh mungesën e një ure. Dy përrenjtë Sineci dhe Belesova, gjatë stinës së reshjeve sjellin probleme në këtë zonë, duke përmbytur toka e banesa, por edhe duke lënë të izoluar banorët e këtyre 7 fshatrave. Fshatrat Koritëz, Belesovë, Vodës, Sinec, Lumas, Pëllumbas dhe Sheqëz mbeten të izoluar, pasi nuk ka një urë që t’i lidhë me njëra-tjetrën.
Banorët: Ndjehemi të harruar
Banorët ankohen se kanë vite që kërkojnë një zgjidhje, pasi sa herë ka reshje shiu, lumenjtë pushtojnë zonën. Fshati Lumas, dikur komunë, sot është qendër administrative, ku merr shërbime e gjithë zona.
Qemal Doko, banor i fshatit Krekëz, duhet të ecë një orë e gjysmë në këmbë për të marrë ilaçet në farmacinë e Lumasit. Nëse nuk do të gjejë ndonjë mjet, ai do të presë i detyruar në buzë të lumit ose do të ngelet pa marrë shërbim mjekësor. Ndërsa, nxënës e mësues kanë ngelur jo pak herë të izoluar, sepse sa herë që ka reshje shiu gjithçka në këtë zonë “ngrin”. “Lumin duhet ta kalojmë vetëm me mjete”, thonë banorët e këtyre zonave, por kur prurjet janë të mëdha edhe mjetet nuk të zgjidhin punë.

Edhe tregtarët kanë të njëjtin shqetësim. Ata tregojnë se si prej vitesh vuajnë mungesën e urës duke tregtuar në kushte jo të zakonshme. Shpesh prodhimet ua merr lumi duke i lënë edhe më të varfër se më parë. Prej vitesh, banorët e këtyre zonave kanë ngritur zërin dikur në komunë e sot në Bashkinë Kuçovë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndaj banorët ndihen jo vetëm të izoluar, por siç edhe pohojnë vetë, ndjehen të braktisur e të harruar nga shteti. Sipas tyre, pushteti vendor e ai qendror kujtohen për ta vetëm në periudhë fushatash.
Bashkia Kuçovë: Nuk e zgjidhim dot problemin
Porta Vendore kërkoi informacion pranë Bashkisë Kuçovë, lidhur me këtë problem të mbartur ndër vite. “Ky është një problem, i cili kërkon një zgjidhje të menjëhershme në mënyrë që të krijojë lëvizje të përhershme për banorët e këtyre fshatrave. Jo vetëm ura e Lumasit, por dhe ura e fshatit Bardhaj, po në këtë njësi. Bashkia Kuçovë, herë pas here sidomos në raste kur ka reshje dhe lumenjtë sjellin prurje të mëdha, merr masa duke dërguar një fadromë e cila qëndron deri në qetësimin e situatës për kalimin e banorëve. Për sa i përket ndërtimit të urave janë në listën e projekteve prioritare të Bashkise Kuçovë dhe ndërtimi i tyre do të zgjidhte përfundimisht lëvizjen e lirë për banorët në këto fshatra. Natyrisht që vlera e këtij projekti është shumë e lartë dhe nuk mund të mbulohet me fonde të bashkisë, por këtë investim po e kërkojmë me forcë te Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha Kryetari Bashkisë Kuçovë, Selfo Kapllani.

Gjithsesi deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, banorët e shtatë fshatrave në njësinë administrative Lumas luten mos të ketë mot me shi, pasi ngelen të izoluar dhe nuk marrin shërbimin e duhur. Prej më shumë se 30 vitesh këto fshatra janë të ndarë nga lumi nga mungesa e një ure dhe indiferenca e pushtetarëve.
Rreth autorit:
Mimoza Sinanaj është korrespondente e Beratit për Top Channel.