Ndodhi

Bregliqeni i Pogradecit mbushet me inerte, gjobitet bashkia

12 Prill 2019/ Roland Beqiraj/ Porta Vendore/ Pogradec

Hedhja e një sasie të konsiderueshme mbetjesh inerte përgjatë bregut të Liqenit të Pogradecit ka sjellë reagimin e Inspektoratit Rajonal të Mjedisit, i cili ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë Bashkinë e Pogradecit. Edhe pse përgjegjës për mbrojtjen e liqenit, përpos bashkisë, janë edhe disa inspektorate të tjerë, të gjithë kanë dështuar të parandalojnë shkatërrimin ndër vite të vijës bregliqenore, e cila po tjetërsohet në fushë mbetjesh urbane.

Në prag të sezonit turistik, bregut te liqenit të Pogradecit, nga Lini deri në Drilon, mund të shohësh lirisht, pirgje të mëdhenj me mbetje urbane. Më shqetësuese është gjendja në zonën e Gurit të Kuq, që prej vitesh, subjektet e ndërtimit e kanë kthyer në vendgrumbullim të inerteve.

Bashkia ndërhyn herë pas here, duke pastruar territorin, por pa mundur t’i vendosë fre fenomenit, që përsëritet ashtu si ndodhi disa ditë më parë. Gurë dhe copa të mëdha betoni kanë pushtuar një gjatësi të konsiderueshme të vijës liqenore, si të jesh në një kantier gjigand ndërtimi, apo më keq, në një territor, ku sapo janë rrënuar dhjetëra ndërtesa.

Zona ku janë depozituar mbetjet, konsiderohet industriale dhe një pjesë e territorit është në pronësi private, por askush nuk ka ndërhyrë, për të mos lejuar mjetet e rënda të shkarkojnë mbetjet aty. Inspektorati i Mjedisit ka arritur të konstatojë mbetjet, duke mbajtur nën vëzhgim zonën për disa ditë, por pa mundur të gjejë në kushtet e flagrancës individët, që sjellin kamionë me mbetje inerte. Kryeinspektori i Mjedisit Humbert Toshi i tha Portës Vendore, se në ushtrim të detyrave funksionale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, në kontrollin e territorit dhe sidomos në zonën e Pogradecit, në prag të sezonit turistik, është evidentuar një sasi inertesh të depozituara përgjatë vijës liqenore. “Inspektorët, për disa ditë, kanë mbajtur situatën nën vëzhgim, për të konstatuar në kushtet e flagrancës subjektet, që hedhin inerte, por nuk kemi arritur të gjejmë subjektin përgjegjës për ndotjen e liqenit. Duke e konsideruar bashkinë përgjegjëse për menaxhimin e territorit, e kemi gjobitur institucionin me 1 milion lekë”, pohoi Toshi. Sipas tij, bashkia është përgjegjëse për rastin konkret, pasi duhet të administrojë mirë territorin, përfshirë edhe bregun e liqenit, duke marrë masa për të mos lejuar individë apo subjekte të shkaktojnë ndotje mjedisore. “Ne po punojmë për identifikimin e subjekteve përgjegjës për ndotjen, për të cilët do merren masa në mënyrë kategorike”, tha kryeinspektori i Mjedisit për Portën Vendore. Pasi gjoba, me vlerë jo të vogël, ka mbërritur në bashki, inspektorët e mjedisit dhe policia bashkiake janë vënë në lëvizje dhe kanë evidentuar subjektin, që ka hedhur mbetje inerte përgjatë bregut të liqenit, duke e ndëshkuar edhe me gjobë.

Drejtori i zyrës së mjedisit në Bashkinë e Pogradecit, Avni Myrte, i tha Portës Vendore, se ndotja e bregut të liqenit dhe grumbullimi i mbetjeve urbane nga subjektet e ndërtimit apo individë, është një problematikë, për zgjidhjen e së cilës bashkia është angazhuar maksimalisht, por pa dhënë rezultatet e pritshme. “Edhe pse bashkia ka përcaktuar një sipërfaqe të veçantë për mbetjet inerte, brenda fushës së mbetjeve në Zagorçan, përsëri, subjekte të ndryshëm, i depozitojnë mbetjet bregut të liqenit. Ne si bashki e kemi të vështirë të mbikëqyrim dhe kontrollojmë të gjithë vijën bregliqenore prej 37 km, ndërkohë që kjo është zonë e mbrojtur dhe për mbrojtjen e saj ligji ngarkon me përgjegjësi, përveç bashkisë edhe disa agjenci të mbrojtjes së mjedisit. Nga ana tjetër, një ligj i miratuar prej vitit 2003 për mbrojtjen e vijës bregliqenore, kërkon ngritjen e një agjencie të posaçme për këtë qëllim, strukturë e cila ende nuk është ngritur, duke e lënë në dorë të vendorëve gjithçka ka të bëjë me mbrojtjen e liqenit dhe bregut të tij”, deklaroi Myrte. Më tej, Myrte shton se për rastin konkret të hedhjes së inerteve në Gurin e Kuq, bashkia e ka gjobitur subjektin ndërtues me 5 mijë lekë të reja, maksimumi gjobës, që lejon ligji për vendorët, ndërsa ka bërë të ditur se bashkia ka marrë masa duke shtuar kontrollet, sidomos gjatë orëve të natës, për të parandaluar hedhjen pa kriter të mbetjeve, që po dëmtojnë rëndë liqenin e Pogradecit, një aset natyror i juglindjes dhe më gjerë.

Përveç masës administrative, Inspektoriati i Mjedisit i ka lënë detyrë bashkisë që të pastrojë territorin ku janë depozituar mbetjet, që në fakt ende nuk ka ndodhur. Ne kushtet e mos reagimit dhe neglizhencës nga ana e bashkisë, kryeinspektori Toshi i tha Portës Vendore, se do të përshkallëzohen masat administrative ndaj vendorëve, për të proceduar në vijim edhe me kallëzim penal. “Ngjarja është referuar edhe në komisariatin e Pogradecit”- vijoi më tej Toshi, “por organet ligjzbatuese nuk kanë gjetur elementë të veprës penale për të filluar procedimin penal”. Ndërsa institucionet i hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit, për ndotjen e bregut të liqenit, inspektorët e mjedisit kufizohen vetëm te masat administrative, ndërsa bashkia po përgatitet për një betejë gjyqësore, duke ankimuar gjobën njëmilionëshe, të cilën nuk ka ndërmend ta paguajë.

Rreth autorit:
Roland Beqiraj është gazetar dhe fotoreporter në qytetin e  Korçës.