4 prill 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore
Shpronësim dhe shqetësim
Janë ditët e fundit të marsit dhe dielli sapo ka kthyer ngjyrë në kurorën malore të Vargmalit të Gribës, nën këmbët e të cilit shtrihet Lugina e Vjosës, kur përfaqësuesi i studios konsulente “Abkons” mbërrin në shkollën fillore të fshatit Anë-Vjosë me një laptop të hollë në dorë. Në një prej dy klasave të vetme të kësaj ndërtese modeste, ku numri i nxënësve numërohet me gishtat e dorës, presin në heshtje disa fshatarë. Gruaja e vetme që hyn në klasë është një tjetër përfaqësuese e “Abkons”, e cila me sa duket është caktuar të mbajë proces-verbalin e takimit. Të ardhurit janë tre. I fundit i përket kompanisë “Ayen Alb”, e kontraktuar vitin e shkuar nga qeveria për të ndërtuar hidrocentralin e madh të Kalivaçit. Të pranishmit në klasë, fshatarë e fermerë bashkë, do të jenë të parët që tokat e tyre do të përmbyten, nëse ky hidrocentral do të ndërtohet. Ndaj me shqetësimin për shkatërrimin e mundshëm të qindra hektarëve tokë dhe të shtëpive të banimit ata i janë përgjigjur një njoftimi të studios këshilluese, të publikuar disa ditë me parë, me titull: “Si të mësojmë më shumë rreth HEC-it të Kalivaçit”.
Në pritje të informimit, tensioni në klasë është i dukshëm. Shkak bëhet edhe mungesa e dritave, pasi në fshat është djegur transformatori elektrik, ende i parregulluar qysh prej dy ditësh.
Dikush na drejtohet ne, gazetarëve dhe na quan mashtrues. Kolegun tim të Radios Publike të Zvicrës, gabimisht e marrin për austriak, ndërsa mua, si të shitur te partitë politike. Një tjetër, i sapoardhur, shpërthen kundër medias duke akuzuar gazetarët dhe analistët që e kanë shkatërruar këtë popull. Përfaqësuesi i “Abkons” kërkon ndjesë dhe pohon se ai nuk ka ftuar asnjë media, por disa nga pranishmit kërkojnë që ai të fillojë prezantimin dhe të mos merret me median, pasi janë vetë ata (banorët) që i kanë ftuar këta gazetarë.
Bledar Shehu, prezantohet si i dërguar i “Abkons”, së bashku me Suela Spahiun. Nga laptopi, shkurtimisht përmes slajdeve, ai paraqet të dhëna grafike, shifra dhe flet për standarde korporatash financiare ndërkombëtare. Prezantimi nuk i kalon të dhjetë minutat, përpara se fjala t’i lihet diskutimit. Duke zbritur minutat e shpenzuara për të promovuar punëdhënësin e tij, përfaqësuesi i studios konsulente kujdeset deri në detaj edhe për atë sasi të pakët informacioni që po ofron (termi ‘përmbytje’ nuk u përmend asnjëherë), ndonëse pjesa më e madhe e informacionit njihet prej banorëve.
Sidoqoftë, ekrani i vogël dhe gjuha teknike e komunikimit nuk përcjell informacionin e dëshiruar, çka reflektohet në numrin e lartë të pyetjeve dhe të diskutimeve që pasojnë…
Banori Syrja Shehu kërkon që të dijë “nëse ndodhet aty dikush nga shteti”. Përfaqësuesi i Abkons shprehet se nuk po e kupton qëllimin e pyetjes. Por Syrja Shehu e pyet drejtpërdrejt se më çfarë çmimi do tua marrë tokën apo shtëpinë fshatarëve kompania. Një tjetër banor, Petrit Lumani, pyet se me çfarë do të jetojë fshatari, nëse këto ua merr investitori. “Kompania jonë Abkons”, – përgjigjet Bledari, – është kontraktuar nga bashkimi i operatorëve (“Ayen Alb”) për të hartuar studimin mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor e social sipas standardeve ndërkombëtare, por ky vlerësim nuk përfshin çmimin e tokës apo sipërfaqen që do t’ju merret fshatarëve”. Ai rekomandon që të pyesin përfaqësuesin e investitorit për të shpjeguar sesi do të funksionojë procesi i marrjes së tokës. Por përfaqësuesi i investitorit përgjigjet me pak fjalë: “Sot kemi ardhur për vlerësimin mjedisor. Nesër do t’ju themi sesa lekë ju bën toka”. Pastaj Bledar Shehu, përfaqësuesi i Abkons, shpjegon: “Kjo është faza paraprake dhe ende nuk kemi një studim. Jemi këtu vetëm për të shpjeguar hapat”. Por Baftjar Shehu (shumica e pjesëmarrësve rastis të ketë mbiemrin ‘Shehu’) një avokat që ka investuar në mbjelljen e disa hektarëve me pemë frutore në fushat aty, pranë brigjeve të Vjosës, i pyet përfaqësuesit e kompanisë, se si është e mundur të miratohet kontrata përpara kryerjes së studimit mjedisor e social.

Fshatari i vetëm pro digës u deklarua kryeplaku i fshatit, Mitat Shehu. Fillimisht një kundërshtar i saj në kohën kur investitori ishte italiani Francesco Bechetti, sot ai mbështet investitorin turk dhe kritikon shqiptarët, që sipas tij, kundërshtojnë zhvillimin e infrastrukturës. “Jo vetëm një hidrocentral në Vjosë, por le të bëhen të tëra hidrocentralet në Vjosë!”, deklaron ai. Përgjatë viteve të rezistencës ai ka ndryshuar qëndrimin për ndryshimin e ujërave të Vjosës dhe tani po sheh sesi mund të përfitojë prej saj, qoftë dhe me një çmim të lartë: dhënien e tokës.
Ndjeshmëria dhe zemërimi ka pushtuar dukshëm fytyrat e fshatarëve. Ndonëse emotivë e me një vetëkontroll të brishtë për shkak se shqetësimet mbi humbjen e tokës nuk po marrin një përgjigje, ata po ruajnë sidoqoftë një qëndrim të përbashkët: Nuk e duam këtë hidrocentral! Diskutimit i erdhi fundi.
Përmbi Luginë duket sikur ka rënë një tis i lehtë floriri. Dielli po ngjitet lart, drejt majave me borë, me ngadalë dhe për herë të fundit po ndriçon si asnjëherë më parë gjatë ditës, derisa të shuhet fare…

Nën ujë , nën vlerë!
Qeveria shqiptare e nënshkroi kontratën e Kalivaçit në 8 qershor 2018. Investitori kryesor është kompania turke “Ayen Enerji” që zotëron pjesën kryesore të aksioneve, me 92%, ndërsa mbetja prej 8%, i takon kompanisë shqiptare “Fusha”. Të dyja kompanitë kanë themeluar dhe përfaqësohen nga një kompani e përbashkët: “Ayen Alb”.
Me një fuqi prej 111 MW, hidrocentrali i Kalivaçit konsiderohet, teknikisht, i llojit të madh dhe me gjasë, një nga hidrocentralet e fundit me digë që parashikohet të ndërtohet në Shqipëri. Diga prej 43 metrash do të krijojë një liqen me sipërfaqe 16 km2 që do të përmbytë me qindra hektarë toke bujqësore, kullota, pyje e truaj.
Ende nuk ka një shifër të shpallur sesa hektarë do të përmbyten, sesa shtëpi banimi apo sa fshatarë e bagëti do të preken nga uji. Sipas banorëve bëhet fjalë për rreth 2800 ha tokë bujqësore e truall, që shtrihen përgjatë Luginës, prej Kalivaçit e deri pranë qytetit të Memaliajt. Vetëm numri i ullinjve në këtë hapësire nuk është më i vogël se 15,000 rrënjë.
Ndonëse shqetësimi kryesor i banorëve ishin shpronësimet, përfaqësuesit e “Abkons” iu shmangën shpjegimeve me justifikimin se nuk ka ende një vlerësim për këtë.

Por procedurat e shpronësimeve janë parashikuar imtësisht në kontratën koncesionare; mënyra e shpronësimit dhe se kujt i takon kjo përgjegjësi.
Kështu, në Kreun II të kontratës, qeveria ia kalon të drejtën e negocimit për shpronësim koncesionarit, madje edhe kostot e shpronësimeve. Dhe është vetë koncesionari që do të merret vesh me fshatarët. Por sipas kontratës, në rast se banorët nuk bien dakord me koncesionarin, atëherë ky i fundit ka të drejtë të kërkojë shpronësimin e tyre për interes publik.
“Ligjërisht ata nuk mund ta kundërshtojnë shpronësimin”, – thotë Irena Dule, një eksperte ligjore, – “por nëse negociatat me koncesionarin dështojnë, atëherë shteti bën shpronësimin e tokës, por me një çmim më të ulët, krahasuar me vlerën e tregut”, përfundon ajo.
Madje, sipas ekspertes, fshatarët rezervojnë edhe të drejtën e dhënies së tokës në përdorim kundrejt qerasë.
Por a është ky një shkëmbim i ndershëm? A reflekton shpronësimi një balancë të drejtë midis interesit publik dhe interesit të personave të prekur nga përmbytja që do të shkaktojë hidrocentrali i Kalivaçit?
“Teorikisht legjislacioni mbi shpronësimet, edhe në rastin e kontratave të hidrocentraleve, e siguron një balancë të tillë”, – thotë juristja Irena Dule. “Në rastin konkret, interesi publik duhet të tregojë se kush përfiton realisht, apo sa plotësohen interesat e publikut nga kjo vepër inxhinerike. Këto përgjigje gjenden në projektet e fizibilitetit, si dhe në dokumente të tjera, që nxisin apo shoqërojnë këto procedura koncensionare”, – shpjegon ajo.
Por kontrata e nënshkruar mes qeverisë dhe koncesionarit, u jep pak mundësi fshatarëve për të reaguar. Atyre s’u mbetet veçse të negociojnë, të detyruar, me një kompani biznesi, një çmim sa më afër vlerës së tregut.
Përndryshe… 123 lekë/m2 është vlera e pasurisë të llojit tokë bujqësore që u njihet nga ligji deri tani.
Me kujtime në zemër e një tufë parash në duar ata duhet të largohen përgjithmonë, për të ndërtuar diku tjetër një jetë të re…
Një konsulencë pa konsulentë!
Ndërkohë që në Luginë fshatarët po jetojnë me ankthin dhe pasigurinë për të nesërmen, në Tiranë, “Ayen Enerji” duket se nuk ka ndonjë nxitim.
Po mbushet një vit qëkur kompania ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e hidrocentralit por ende nuk ka nisur puna për vlerësimin mjedisor, pa të cilin nuk mund të nisë as puna në kantier.
Vetëm në fillim të shkurtit koncesionari iu drejtua Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të mundësuar një takim mes palëve. Ndonëse kanë kaluar dy muaj, nuk ka ende një procedurë të nisur zyrtare për hartimin e VNM-së.
Përgjegjësinë për hartimin e saj, koncesionari ia ka kaluar Abkons-it.
Por bashkëpunimi i tyre ka dhe një tjetër histori që lidhet më një tjetër hidrocentral në Vjosë: Poçemin. Kjo kontratë e anuluar në maj 2017 (çështja pret Apelin), ishte fituar nga një tjetër kompani turke, por me dy aksionarë, ku “Ayen Enerji” ishte një prej tyre.
“Abkons”, një prej konsulentëve të firmave turke (“Çinar San” dhe “Ayen Enerji”), ishte në atë kohë pjesë e hartimit të projektit teknik propozues të hidrocentralit. Ky projekt iu paraqit Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (asokohe MEI-t) në marsin e vitit 2015.
Por, në 69 faqet e këtij raporti, thellësisht teknik, nuk kishte asnjë emër eksperti.
Dy vjet më pas, kontrata koncesionare që rezultoi nga ai projekt, u shpall e pavlefshme me vendim gjykate.
Sot, “Abkons” ka marrë përgjegjësinë për hartimin e një tjetër raporti (VNM) që lidhet me të nëjtën kompani, për një tjetër hidrocentral, mbi të njëjtin lumë. Por përsëri, emrat ekspertëve që do të hartojnë këtë raport, deri tani, mungojnë. Përfaqësuesit e Abkons refuzuan të raportonin emrat e këtyre ekspertëve.
Në ato pak dokumente të publikuara online, vetëm në gjuhën angleze, shohim vetëm logo, kudo!
“Me logon abuzohet shumë, – thotë Profesori i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Aleko Miho”. Cilado qoftë studio konsulente, ajo duhet të tregojë autorësinë e secilit anëtar të grupit në çdo ekspertizë, për të rritur shkallën e besimit”, – përfundon ai.
“Ayen Enerji” fiton një kontratë koncesionare në Vjosë, e ndihmuar nga ekspertiza e Abkons. “Ayen Enerji” fiton një tjetër kontratë në Vjosë dhe ia beson ekspertizën, një pjesë të saj, të njëjtës kompani konsulente, e cila, në të dyja ekspertizat nuk publikon asnjë emër konsulenti!
Nga i buron Ayen-it ky besim për konsulencën pa konsulentë të “Abkons?!”. Kur i pyetëm ata: përse “Abkons”, nuk u përgjigjën.

Fshehja, heshtja dhe e njëjta pasojë…
Abkons sapo ka njoftuar mbajtjen e një takimi me organizatat mjedisore dhe me një pjesë të autoritetit zyrtar të fushës. Padyshim, pika fokale do të jetë diga e Kalivaçit mbi Vjosë.
Me interes do të pritet qëndrimi dhe niveli i përfaqësimi të zyrtarëve të ftuar të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, nëse do të vijnë.
Deri tani, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka zgjedhur të heshtë.
Dhjetorin e shkuar Parlamenti Europian dhe Konventa e Bernës bashkërenduan shqetësimin e komunitetit europian ndaj qeverisë shqiptare për hidrocentralet mbi Vjosë, por ministria heshti!
Në janar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se do të rishikonte të gjitha kontratat jo-operacionale për ndërtime HEC-esh për të parë, ndër të tjera, se si po respektohen standardet mjedisore. Dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, i vetmi autoritet mjedisor në vend, heshti përsëri!
Por, a është kjo heshtje, ky “neutralitet” një mënyrë që nëpunësit publikë të fshehin përgjegjësitë publike, në kushtet e një presioni, për më tepër edhe ndërkombëtar, mbi qëndrueshmërinë sociale dhe mjedisore?
“Nuk është hera e parë që autoritetet qëndrojnë shpërfillëse ndaj këtij presioni”, – shprehet Profesor Miho. “Në mënyrë krejt absurde, qeveritë tona bëjnë ‘pronarin’ kokëfortë për pasuritë publike, përfshirë edhe Vjosën që është streha e fundit e biodiversitetit të mirëfilltë lumor në Europë”, – përfundon ai.
Historia ka treguar se boshllëku që le mungesa e informacionit mbushet lehtësisht prej propagandës, ose akoma më keq, prej disinformimit.
Shpesh, “neutraliteti” nuk i shërben të mirës publike.