1 prill 2019/ Ervin Koçi/ Porta Vendore/ Tiranë
Tre terrene të reja sportive janë ndërtuar në dy shkolla, konkretisht “Katund i Ri” dhe “Sadik Stavileci” në Kashar të Tiranës dhe ato u do t’u shërbejnë rreth 1300 nxënësve të këtyre dy shkollave. Financimi është një donacion nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë që synon rehabilitimin e këtyre fushave sportive, si dhe përmirësimin për kryerjen e të gjitha aktiviteteve sportive të sigurta dhe me standard për nxënësit dhe të rinjtë e zonës së Kasharit.
Investimi është një bashkë-financim prej 62 mijë eurosh, nga të cilat 43 mijë euro nga qeveria zvicerane, 16 mijë nga qeveria austriake, dhe 2400 euro nga Bashkia e Tiranës. Projekti është pjesë e skemës së granteve nga “Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri”, një investim që përfshiu rinovimin e plotë të rreth 1235 m² të fushave sportive, së bashku me pajisjet përkatëse.
Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të financuara nga Skema Pilot e Granteve Rajonale, lancuar nga Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri, që synon të përmirësojë kushtet social-ekonomike të komuniteteve në rajonet e Shqipërisë.
Fushat e rikonstruktuara sportive do të përdoren jo vetëm nga nxënësit dhe të rinjtë e këtyre shkollave, por edhe nga i gjithë komuniteti, përmes promovimit të sporteve çlodhëse dhe aktiviteteve kulturore.
Të pranishëm gjatë ceremonisë së përurimit të terreneve sportive ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ambasadori zviceran Adrian Maître, përfaqësues vendorë, mësues, nxënës dhe prindër nga kjo zonë.
Këto projekte adresojnë nevoja themelore të komuniteteve vendore përmes investimeve të vogla në arsim, turizëm, sport, kulturë dhe infrastrukturë komunitare dhe si pasojë përmirësojnë cilësinë e jetës.
Skema e granteve kontribuon gjithashtu për forcimin e kapaciteteve rajonale dhe vendore për menaxhimin e projekteve zhvillimore, duke u përgatitur kështu për financime të ardhshme nga donatorët, sidomos në kuadrin e projekteve të BE-së.
“Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri” (RDPA III), është një përpjekje për të mbështetur reformën e zhvillimit rajonal në vend, bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe zbatuar në partneritet me Qeverinë Shqiptare. Programi synon të ulë pabarazitë në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të varfra, në mënyrë që ato të përparojnë dhe të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për banorët.