Ngjarje/Personazhe

Kompensimi i “familjeve në nevojë”për energjinë, peng i VKM-së

28 mars 2019/ Porta Vendore/ Elbasan

Reforma e energjisë elektrike, e ndërmarrë pesë vite më parë nga qeveria shqiptare, ende sjell pasoja për shumë familje të varfra, të cilat nuk arrijnë të marrin kompensimin e përcaktuar me ligj. Ligji ka përcaktuar qartë se cilat familje duhet të përfitojnë kompensimin, por sipas shoqatave që janë marrë me mbrojtjen e shtresave në nevojë, ato ende kanë probleme, pasi nuk ka dalë një VKM, që do të rregullonte këtë proces.

Një prej familjeve, e cila vuan mungesën e energjisë elektrike për shkak se nuk merr dot kompensim është edhe ajo e Adelina Sulovës, e cila prej disa muajsh nuk arrin të mbledhë të ardhura për të paguar faturat. “Jemi shumë të varfër dhe nuk e paguajmë dot energjinë, kështu që detyrohemi të jetojmë në errësirë. Gatuajmë me gaz”, tregon Adelina. Ajo shprehet edhe pse përfiton ndihmë ekonomike 40 mijë lekë të vjetra, këto para duhet t’i përdorë për ushqim, për sëmundjet e fëmijëve, për energji elektrike, për ujë e për të gjitha shpenzimet e tjera, sepse është e papunë. “Unë nuk e paguaj dot energjinë dhe nuk mund të bëj lidhje të paligjshme të saj, kështu që detyrohem të jetoj në errësirë”, thotë ajo.

Pas reformës së ndërmarrë nga qeveria, shume familje në nevojë filluan të ndiqen penalisht për shkak se donin të rilidhnin energjinë elektrike, pasi nuk mund të jetonin pa të. Një prej tyre është edhe Ilir Berati në Elbasan, i cili tregon se është dënuar për energjinë elektrike, pasi detyrohej të rilidhte energjinë, sepse nuk kishte lekë ta paguante. “Ma kishin ndërprerë disa herë energjinë, por unë e rilidhja. Një ditë erdhi policia dhe më arrestoi. Dola edhe në gjykatë. Më dënuan me kusht. Pas dënimit u detyrova të lidh një kontratë me OSHEE-në që të kem energji elektrike, pasi nuk jetohet pa të. Sot, pavarësisht vështirësive të shumta ekonomike që kam, pasi bashkë me bashkëshorten jemi pa punë dhe përfitojmë vetëm 3 mijë lekë të reja ndihmë ekonomike, nuk e lë pa paguar energjinë elektrike”, tregon Ilir Berati, i cili shton se ato para nuk i dalin, por atij i duhet të shesë fara, të marre borxh, etj, për të paguar dritat.

Por, si këto familje në nevojë, janë shumë të tilla. Shumë prej tyre janë identifikuar edhe nga Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome (LRER) gjatë një projekti që po zbatojnë në zonën e Elbasanit. “Në fakt ne kemi marrë një nismë për pesë qytete të Shqipërisë, Elbasani, Durrësi, Tirana, Fieri dhe Berati, ku ne shkojmë dhe kontaktojmë me familjarët, të cilët kanë këto probleme, që psh nuk furnizohen me energji elektrike, sakrifikojnë shumë nga ushqimi ose të mirat e përditshme, për shkak se duhet të sigurojnë pagesën për energji elektrike dhe nuk duan që të ndiqen penalisht për shkak të lidhjeve të paligjshme. Edhe menjëherë pas informimit nga qytetarët, ne kemi dërguar 150 ankesa te portali Shqipëria që duam”, shprehet Gentian Serjani, koordinator i LRER.

Për shkak të këtyre problemeve, të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje që nga viti 2014 e deri më sot, në vitin 2015, Këshilli i Ministrave ndërmori një ligj për sektorin e energjisë elektrikë që për herë të parë parashikonte rregullimin e kësaj situate me një term që quhet “klienti në nevojë”. Me këtë term kuptohej që familjet në nevojë, të cilat trajtoheshin me ndihmë ekonomike, ose mund të jenë pension invaliditeti ose pensionistët, mund të siguronin energjinë elektrike nëpërmjet buxhetit të shtetit.

“Por, ligji gjithashtu parashikonte që për ta bërë më të prekshme këtë zbatim të ligjit duhej një VKM nga këshilli i ministrave që të tregonte mënyrat kriteret dhe procedurat sesi këto familje do të përfitonin këtë lloj ndihme nga shteti. Edhe pse ligji e parashikonte që në vitin 2016 duhej të kishte ndodhur miratimi dhe nxjerrja e këtij akti, ne sot jemi në 2019 dhe akoma nuk kemi një akt që ta bëjë të zbatueshëm këtë nen të ligjit për sektorin e energjisë elektrike”, shpjegon Seriani.

Për mungesën e VKM, Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome i është drejtuar edhe portalit “Shqipëria që duam”. “Nga të gjitha këto ankesa që janë dërguar te Shqipëria që duam, ne nuk kemi marrë një përgjigje konkrete se çfarë po ndodh dhe si do të reagojë pushteti ekzekutiv për nxjerrjen e këtij akti, por thjesht kemi marrë një konfirmim që është ngritur një grup pune nga Ministria e Financave për të përgatitur këtë VKM. Por afati që ne shohim që duhet që qeveria të marrë dhe të zbatojë këtë VKM duhet të jetë dhe pak më i vogël, duke parë dhe situatën që ne jemi, siç është dimri, ku njerëzit me mungesë të energjisë elektrike e kanë të pamundur që të ngrohen apo të krijojnë ato elementët bazë të jetës së tyre”, shprehet koordinatori Serjani.

Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome ka ngritur dhe një padi për të detyruar qeverinë për nxjerrjen e këtij akti. Kjo padi është rrëzuar nga gjykata e shkallës së parë administrative në Tiranë, duke u shprehur se pushteti gjyqësor nuk mund ta detyrojë pushtetin ekzekutiv për nxjerrjen e këtij akti.

LRER tashmë ka ngritur dhe një proces tjetër gjyqësor individual të një familjari, i cili edhe është dënuar penalisht për shkak të rilidhjes së energjisë elektrike. Gjithashtu kanë takuar ndërkombëtarët, siç është ambasada amerikane, delegacioni i BE në Shqipëri, Këshilli i Europës, për të kërkuar ndihmë për ndërhyrjen e tyre.

Pra, derisa qeveria të nxjerrë VKM-në, familjet në nevojë do të duhet të sorollaten zyrave dhe gjykatave për të përfituar kompensimin e energjisë elektrike, ose të jetojnë në errësirë, pasi nuk i përballojnë dot shpenzimet për dritë, pavarësisht se jemi në vitin 2019.