26 mars 2019/ Porta Vendore/ Mirditë
Si në shumë zona të tjera periferike, edhe Kurbneshi i Mirditës, ka vite pa parë asnjë investim nga pushteti vendor. Infrastruktura rrugore lë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që banorët kërkojnë të kthehen sytë nga qyteti i minatorëve të dikurshëm.
Kurbneshi është vetëm 36 km larg qytetit të Rrëshenit dhe njihet si ish-“qyteti i minatorëve”, pasi aty, në vitet 1954-1995 ushtronte aktivitet miniera dhe fabrika e bakrit, që aso kohe ishte një potencial ekonomik i fuqishëm. Por sot gjërat kanë ndryshuar shumë! Nëse dikur, për shkak të statusit qytet industrial që kishte, mund të gjeje çdo gjë, sot kjo zonë është lënë në harresë, mungojnë investimet dhe për herë të fundit, banorët tregojnë se mbajnë mend si investim, pallatet e ndërtuara gjatë regjimit komunist për punëtorët që vinin nga rrethet.
Janë rreth 20 km rrugë të pashtruara, çka e vështirësojnë shumë transportin dhe vajtjen në Kurbnesh, pasi duhet të kalosh vetëm me fuoristradë. Ka qenë pikërisht kjo arsye që shumë banorë të lënë qytezën e dikurshme të minatorëve, në kërkim të një jete më të mirë.
“Ne sot nuk duhet të ishim duke kërkuar rrugë e shërbime, se është gjynah. Me aq shumë ar sa kemi nxjerrë për shtetin, ne nuk e meritonim këtë rrugë. Ne nuk duhej të na shtronin me asfalt, por me ar të na e shtronin, se kemi dhënë vitet tona të rinisë për këtë komb, ndërsa sot ne jemi lënë në harresë”, tregon për Portën Vendore, Gjovalin Pulaj, banor i Kurbneshit.
Sot në këtë qytet-fshat kanë mbetur 360 banorë, pasi pjesa më e madhe e sidomos të rinjtë janë larguar drejt qyteteve të tjera, pasi ky vend nuk të ofron më asnjë perspektivë.
“Unë në radhë të parë ndjej mungesën më të madhe për fëmijët e Kurbneshit që kanë ikur në emigrim, si gjithë nënat shqiptare”, tha Shkurte Mikeli, e cila është infermiere prej 30 vitesh në qendrën shëndetësore Kurbnesh.
Banorët e mbetur mbahen me ato pak produkte që marrin nga blegtoria e bujqësia, pasi për t’i shitur produktet në Rrëshen as që bëhet fjalë, vështirësia e rrugës i ka izoluar. “Pjesa më e madhe e familjeve të ish minatorëve kanë ikur, sepse këtu nuk kanë me çfarë të jetojnë, nuk ka rrugë, nuk ka punësim, nuk ka asgjë. Nuk krahasohet dot Kurbneshi i dikurshëm me atë tani, se është si nata me ditën, shumë ndryshe. Dikur kishte shumë gjallëri, por sot këtu kudo mbizotëron qetësia”, na rrëfen Kastriot Caka, mësues në shkollën 9-vjeçare të Kurbneshit.
Në Kurbnesh së fundmi po ndërtohet edhe një HEC, për të shfrytëzuar lumin e rrëmbyeshëm të Urakës, i cili ndan zonën mes për mes. Kjo kompani ka ndezur një dritë në sytë e banorëve, për t’u punësuar.
Porta Vendore pyeti pranë njësisë administrative Selitë, por përfaqësues nga kjo njësi, thanë se pavarësisht kërkesave të shumta të dërguara edhe nga komuniteti, për shkak të mungesës së fondeve nga Bashkia Mirditë, rruga nuk mund të realizohet brenda këtij mandati elektoral, duke lënë edhe më në harresë këtë zonë, dikur një nga thesaret e Shqipërisë.