22 mars 2019/ Emiriola Veliu/ Kukës
Gjatë 28 viteve të fundit, Shqipëria ka qenë një vend në tranzicion; nga një shoqëri e izoluar monopartiake drejt një shoqërie të lirë e të hapur, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Një seri reformash janë ndërmarrë, për të përafruar legjislacionin kombëtar me atë europian. Në këtë kuadër është përafruar edhe qasja për të regjionalizuar dhe decentralizuar qeverisjen, në mënyrë që të jetë sa më pranë qytetarëve.
Në këtë kuadër, u miratuan Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020, që u shoqërua me Reformën Administrative-Territoriale, e cila mori jetë me miratimin e Ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Ligjit 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. E gjithë reforma kishte si qëllim, përmirësimin e politikave dhe mirëqeverisjen e qeverisjes vendore, në kuadër të decentralizimit, si pjesë e kushteve të paraintegrimit në BE.
Por, kur nisi zbatimi i RAT, një nga pikëpyetjet kryesore që kishin shumë specialistë të qeverisjes vendore ishte se, nëse në nivel kombëtar kjo reformë sillte decentralizim – në kuadrin lokal, pushteti po centralizohej drejt zonave funksionale me qendër njësinë administrative më të zhvilluar. Ky centralizim, do të bënte që edhe të punësuarit në bashki të ishin banorë të njësisë qendër dhe qeverisja e gjithë zonës do të kërkonte lëvizje të vazhdueshme të stafit për t’u njohur me nevojat e njësive larg qendrës. Kjo pastaj, në rastet e bashkive me territor të gjerë, malor dhe me infrastrukturë të dobët, do të kthehej në mbytëse për njësitë larg qendrës së bashkisë.
Qarku verilindor i Kukësit karakterizohet nga një terren malor, kryesisht i vështirë, ku lartësia mesatare e qarkut është 680 metra mbi nivelin e detit. 41% e popullsisë jeton në zonat e më të ulëta (mes 301 dhe 500 metra) dhe pjesa tjetër në zonat malore dhe ato me lartësi mesatare (501-800m).
Qarku verilindor i Kukësit karakterizohet nga një terren malor, kryesisht i vështirë, ku lartësia mesatare e qarkut është 680 metra mbi nivelin e detit. 41% e popullsisë jeton në zonat e më të ulëta (mes 301 dhe 500 metra) dhe pjesa tjetër në zonat malore dhe ato me lartësi mesatare (501-800m). I gjithë qarku ka një pasuri të theksuar të burimeve natyrore, qoftë në burimet ujore, ashtu dhe në ato minerale dhe pyjore. Pas ndërtimit të pjesshëm të autostradës A1, ky qark ka shkurtuar shumë distancat për lidhjen me pjesën tjetër të vendit, por ndërkohë ekzistojnë ende shumë pengesa në lidhjen e banorëve të NJ/A me qendrat e bashkive dhe me qendrën e qarkut. Ende janë rreth 10 qendra të Nj/A që nuk janë të lidhur me rrugë të asfaltuar, ndërsa fshtrat janë jashtëzakonisht të lënë pas dore.
Në këtë zonë kalon autostrada Durrës – Morinë, e cila është pjesë e aksit rrugor kombëtar që lidh Shqipërinë me Kosovën. Akset kryesore që lidhin qendrën e kësaj zone, qytetin e Kukësit me zonat e tjera janë: aksi Kukës – Durrës (1.5 orë), aksi Kukës – Peshkopi (1.5-2 orë), aksi Kukës – Has (30-40 min), aksi Kukës – Shishtavec (30 min) dhe aksi Krumë – B. Curri (1 orë e 45 min). Në këtë zonë ndodhet pika kufitare më e rëndësishme që lidh Shqipërinë më Kosovën, Morinë/Kukës dhe 5 pika kufitare të tjera (Shishtavec/Kukës, Orgjost/Kukës, Borje/Kukës për këmbësorët dhe, Qafë Prush/Has dhe Qafë Morinë/Tropojë për ngarkesa dhe mjete). Megjithëse hapja e autostradës Durrës – Kukës -Morinë ka krijuar një lirshmëri mjaft të madhe të aksesit të ZF nga brenda vendit e krijimit të urave lidhëse me vendet e tjera. Megjithëse, infrastruktura e brendshme midis komunave e bashkisë, ende ka punë, për shkak edhe të terrenit mjaft të vështirë e kushteve të pafavorshme klimaterike.
Qyteti i Kukësit shërben si pikë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Gjithashtu, aeroporti i Kukësit, ndërtuar në 2004, është një favor me perspektivë për këtë zone, duke qenë aeroporti i dytë me madh në Shqipëri. Në akset kryesore kombëtare koha e lëvizjes nga njësitë e largëta drejt qendrave është shkurtuar shumë, edhe pse mbetet ende shumë punë për të arritur në nivele të pranueshme për marrjen e shërbimeve.
Për të mësuar diçka më tepër në lidhje me ndarjen e re territoriale, si dhe funksionimin e saj në Kukës, por edhe në disa zona rreth saj, kemi intervistuar disa qytetarë, të cilët në përditshmërin e tyre janë përfaqësues të qeverisë vendore dhe lokale, banorë të cilët jetojnë në disa njësi administrative të bashkisë Kukës, si dhe administratorë të njësive. Pyetjet e shtruara kanë për qëllim për të parë së sa efikase është kjo ndarje, si dhe çfarë shërbimi marrin banorët, si ata që jetojnë brenda bashkisë, ashtu dhe ata që janë pjesë e njësive administrative, pasi ndarja e re territoriale sjell shërbimin e barabartë, si në qytet, ashtu edhe në fshat.
Të pyetur nëse i duhej Shqipërisë kjo reforme, ata shprehen se, Shqipëria është shumë e vonuar në kryerjen e kësaj reforme dhe nuk duheshin 28 vite për të provuar se si organizohet qeverisja vendore, apo se çfarë i duhej për të qenë më afër komunitetit me shërbime publike, shëndetësore, arsimore, bujqësore etj. Nëpërmjet reformës, buxhetit të shtetit iu kursyen miliona dollarë dhe shërbimet publike dhe komunitare janë më afër qytetarit.
Të pyetur në lidhje me reformën në bashkinë Kukës, ata shprehen se, fillimet e reformës do ta kenë pak të vështirë suksesin, por në krahasim me sistemin e mëparshëm është shumë më I mirë bashkimi i njësive vendore (komunat) dhe përqendrimi i shërbimeve publike në njësi, siç janë bashkitë e mëdha, duke përfshirë dhe Kukësin.
Pyetja tjetër që ne bëmë për qytetarët ishte, nëse shërbimet e ofruara pas ndarjes territoriale ishin më mirë se më pare. Ata u shprehën që shërbimet, pas reformës rezultojnë shumë herë më të mira, shumë herë më cilësore dhe më afër qytetarit, pavarësisht kapaciteteve dhe shërbimeve që ka bashkia Kukës. Njëri prej tyre na tregoi një shembull: “Ujësjellësi i qytetit me parë përshkonte tri njësi administrative (komuna) për të furnizuar qytetarët e Kukësit dhe u dashke vendimmarrja e tri këshillave të komunave, e tri kryetarëve të komunave, për të bërë një rikonstruksion ose një ujësjellës të ri dhe natyrisht e vendimmarrjes ishte shumë e ulët”.
Ndërsa, të pyetur në lidhje se si e shihnin reformën në perspektivë, ata na u përgjigjën se, kjo reformë do t’i japë frytet e veta, pasi çdo fillim i ri i një reforme të caktuar apo zbatimi i një ligji nuk e ka efikasitetin real të asaj se çfarë mundëson vetë reforma. Pasi të kuptohen të gjitha anët negative dhe pozitive në zbatimin e shërbimeve në terren, atëherë do të shihen anët e mira të kësaj ndarjeje. Ata shtuan se, edhe planifikimi i buxhetit bëhet më i detajuar, më i prekshëm, pasi, vit pas viti, do të dalin problematikat që ka secila zonë. Natyrisht, edhe cilësia e vendimmarrjeve të miratimeve të buxheteve është shumë herë më e lartë dhe më cilësore sesa vendimmarrja e këshillave dhe komunave.
Shënim:
* Ky shkrim është bërë posaçërisht për projektin “MOB KIT PËR TRANSPARENCË – Monitorimi i performancës së Bashkive dhe Këshillave në qarkun Kukës si instrument për rritjen e aksesit, mbulimit dhe impaktit të shërbimeve në NJ/A periferike dhe rurale” qe zbatohet nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim (CDI) dhe mbështetet nga Lëviz Albania.