Vëzhgim/Analizë

Bashkia e Elbasanit shkel ligjin e taksave, lë jashtë skemës 6 mijë familje

20 mars 2019/Ornela Manjani/ Nikoleta Kovaçaj/ Elbasan

Bashkia e Elbasanit ka lënë jashtë skemës së taksimit mbi pronën dhe shërbimet rreth 6000 familje për tre vite radhazi. Detyrimi i akumuluar në tre vjet arrin në vlerën rreth 43 milionë lekë të reja. Bashkia duhet që brenda muajt mars të këtij viti të vjelë gjithë detyrimet që kanë familjet, të cilat nuk janë njohur asnjëherë me detyrimin ligjor që kanë për të paguar taksat mbi pronën dhe tarifën e shërbimit, ndërkohë që aktualisht kanë mbetur vetëm pak ditë nga ky afat, që mund të sjellë pasoja të rënda sociale. Por, kjo nuk është e vetmja shkelje e konstatuar në Elbasan me pasoja të rënda, pasi rezulton se edhe pse kanë qenë brenda skemës, Bashkia Elbasan nuk ka mbledhur taksat edhe për 10 mijë familje të tjera, ndërkohë që ka favorizuar banorët e pasur.

Auditi i KLSH

Shkeljet e kryera nga Bashkia e Elbasanit janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimit që ka ushtuar në bashki për periudhën 2016-2018. Sipas të dhënave, për të mbledhur taksën e ndërtesës dhe tarifat e shërbimit, Bashkia Elbasan i ka faturuar banorët nëpërmjet faturës së ujit, duke e bazuar këtë veprim në një akt-marrëveshje mes bashkisë dhe ujësjellës kanalizimeve. Por duke krahasuar shifrat e gjendjes civile me ato të UK Elbasan, rezulton se rreth 6 mijë familje nuk kanë kontrata për ujin. Respektivisht këta banorë kanë mbetur jashtë skemës së pagesës së taksës së ndërtesës dhe tarifave të shërbimit, siç janë pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi. Madje, situata ka vijuar për tre vite radhazi, derisa është konstatuar nga KLSH. “Për periudhën 2016–2018, janë jashtë skemës së pagesës së taksës së ndërtesës, tarifës së pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit, 18000 (6000 për 3 vjet) familje të lagjeve të qytetit Elbasan, të cilët nuk janë faturuar dhe arkëtuar detyrime sipas akt-marrëveshjes për vlerën 43,200,000 lekë, të ardhura të munguara për buxhetin e Bashkisë. Për këto familje nuk ka regjistër të familjeve, me të dhënat sa është numri i familjeve gjithsej; për sipërfaqet e banimit që ka secila familje; kujt viteve i përket banesa para apo pas vitit 1993; sa kanë paguar, sa nuk paguajnë dhe sa familje janë të përjashtuar nga pagesa e këtyre taksave”, deklarohet në raportin e KLSH-së. Madje, në raport thuhet se nuk plotësohet as njoftim detyrimi për familjet sipas ligjit për taksat vendore. Në këto kushte, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Elbasan që nga titullari i njësisë vendore të analizohet situata e mësipërme dhe të dalin përgjegjësitë. “Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit të të Ardhurave e Aseteve, Buxhetit dhe Financës, Drejtoria e Koordinimit të Njësive Administrative dhe Lagjeve, të marrë masa, të ngrejë grup punë me specialistë të fushës për evidentimin e abonentëve familjarë, për lagjet e qytetit ndaj të cilëve nuk janë aplikuar detyrimet për taksat e tarifat vendore, të hartohet regjistri përkatës me të dhënat e evidentuara në terren dhe të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative në të gjitha shkallët për arkëtimin e vlerës 43,200,000 lekë”, kërkon Kontrolli i Lartë i Shtetit. Madje për realizimin e këtij rekomandimi, KLSH ka lënë afat deri në fund të muajit mars 2019.

Por kjo ka shtangur banorët, të cilët shprehen se nuk kanë qenë në dijeni të këtyre taksave dhe tashmë u duhet të paguajnë tre vite radhazi bashkë, ndryshe nuk mund të marrin asnjë shërbim nga njësia bashkiake përkatëse për shkak se borxheve.

Megjithatë, nga auditimi ka rezultuar se nuk janë vetëm këta familjarë jashtë skemës, të cilët nuk kanë paguar detyrimet në bashki, por janë edhe rreth 10 mijë familje të tjera, të cilat kanë qenë në skemë, por që nuk kanë paguar taksat. Madje, dëmi i shkaktuar nga këto familje është edhe më i lartë, pikërisht rreth 75 milionë lekë të reja. “Në lidhje me debitorët familjarë, nga auditimi u konstatua se në fund të datës 31.12.2017, janë gjithsej 10596 familje debitorë për vlerën e detyrimit prej 75,657,958 lekë. Konkretisht, për taksë toke në vlerën 46,160,528 lekë;  për taksë ndërtese në vlerën 16,270,955 lekë; për taksë trualli në vlerën 1,887,551 lekë; dhe tarifë shërbimi në vlerën 11,338,924 lekë”, deklarohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Edhe për këto detyrime, KLSH ka rekomanduar që brenda muajit mars 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit të të Ardhurave e Aseteve, Buxhetit dhe Financës, Drejtoria e Koordinimit të Njësive Administrative dhe Lagjeve të marrin masa dhe të kërkojnë arkëtimin e kësaj vlere. Pra, brenda një muaji Bashkisë Elbasan i duhet të mbledhë 118 milionë lekë te reja (rreth 1 milion dollarë) të prapambetura nga familjet debitore, ku 1/3 e tyre nuk kanë qenë brenda skemës së taksave.

Bashkia mbron debitorët

Porta Vendore kërkoi një informacion zyrtar nga Bashkia Elbasan në lidhje me këtë raport dhe shifrat konkrete që kishin dalë nga inspektimet. Konkretisht u kërkua të dihej se a janë të vërteta statistikat në këtë raport dhe si do të operojë bashkia që të kryejë “porosinë” e lënë nga KLSH që kërkon që këto taksa duhet të mblidhen brenda muajit mars 2019. Por, Bashkia Elbasan la të kuptojë se këto familje nuk janë debitore. “Nga taksa e ndërtesës dhe taksat e tjera janë të përjashtuara familjet me ndihmë ekonomike, në asistencë etj. Po ashtu, si debitore janë përfshirë familjet që janë në emigracion, të cilat e paguajnë këtë taksë vetëm kur munden të vijnë këtu”, thuhet në reagimin e Bashkisë Elbasan. Megjithatë, ky pretendim është rrëzuar nga KLSH. “Në raport janë evidentuar rastet që e kanë detyrim ligjor pagesën e taksës, por që nuk e kanë paguar atë. Në shifrat e konstatuara nuk janë përfshirë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, të cilat nuk e kanë detyrim ligjor pagesën e taksës mbi pronën”, deklarohet nga KLSH.

Llogaritja e gabuar

Po ashtu një tjetër shkelje, sipas KLSH-së, është edhe llogaritja e gabuar e taksave të prapambetura. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, taksa e pasurisë së paluajtshme për ndërtesat për qytetin ku përfshihen rrugët nacionale dhe zona industriale ish-Kombinati Metalurgjik është 9 lekë/m2/vit për ndërtimet para vitit 1993 dhe 24 lekë/m2/vit për shtëpitë e ndërtuara pas këtij. Por ky vendim, sipas KLSH-së, nuk është zbatuar nga Bashkia Elbasan. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon faktin se për taksën e ndërtesës të taksapaguesve të kategorisë familjare, konstatohet parregullsi, pasi ky detyrim nuk është llogaritur sipas sipërfaqes në m2, por është konsideruar si tarifë sipas numrit të banesave. “Nuk është pasur parasysh se për personat të cilët kanë në pronësi më shumë se një banesë, niveli i taksës së ndërtesave të banimit është dyfishi i nivelit të taksës për kategorinë e cila ka vetëm një banesë. Sa më sipër edhe pse është miratuar me VKB (Vendimi i Këshillit Bashkiak) është në kundërshtim me ligjin për sistemin e taksave vendore”, thuhet në raportin e Kontrollit e të Lartë të Shtetit.

Akt-Marrëveshja me UK-në

Gjithashtu KLSH ka audituar edhe kushtet e Akt-Marrëveshjes mes Bashkisë Elbasan dhe UK Elbasan, ku konstaton se ajo është në kundërshtim me ligjin për taksat vendore, pavarësisht faktit se eshte hartuar me vendim të Këshillit Bashkiak, por vendimi është miratuar e pambështetur nga ana ligjore apo nënligjore, dhe me qëllimin e vetëm për të legjitimuar tjetërsimin e kësaj takse, nga taksë banese e cila duhet të vilej në bazë vjetore për metër katror të sipërfaqes së banimit, në tarifë banese, e cila vilet në numër banesash për çdo muaj.

Një tjetër shkelje e kryer nga bashkia për zbatimin e ligjit për mbledhjen e taksës së pronës është edhe fakti se ajo nuk takson sipas ligjit personat që kanë më shumë se një shtëpi. “Nuk është pasur parasysh se për personat të cilët kanë në pronësi më shumë se një banesë, niveli i taksës së ndërtesave të banimit është dyfishi i nivelit të taksës për kategorinë e cila ka vetëm një banesë, kjo mënyrë e re taksimi rëndon buxhetin e familjarëve të zakonshëm dhe lehtëson taksapaguesit e pasur, me shumë prona, të cilët ligjvënësi jo më kot i ka ndarë në kategori të veçanta. Kjo mënyrë e përmbledhjes së banesave në një kategori të vetme, sjell pasoja edhe në vjeljen e taksave të tjera, pasi është tepër e qartë se personat të cilët posedojnë apo kanë në pronësi më shumë se një banesë, i përdorin ato për biznes dhe rrjedhimisht, duhet të tatohen me tarifa të tjera, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për tatimet ndaj bizneseve, veprime të cilat ndikojnë dhe në nivelin e të ardhurave për Bashkinë Elbasan”, thuhet në raport.

Zgjidhja sipas ekspertit

Në një intervistë për Portën Vendore eksperti i ekonomisë Fatlum Nurja pohon se administrimi i mbledhjes së taksës së pronës ka paraqitur një sërë vështirësish në vite dhe paqëndrueshmëri ligjore dhe nënligjore dhe jo vetëm. “Sa i përket mbledhjes së saj në nivele tepër të ulëta në Elbasan mund të them se e tillë është edhe në shumicën e qyteteve (mbase Korça bën përjashtim). Arsyeja është sepse Elbasani ka si agjent tatimor (ashtu si dhe shumica e Bashkive) ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. Pra, në të shkojnë dhe paraqiten familjet që kanë kontratë me ujësjellësin (ato që e paguajnë). Numri i këtyre familjeve është më i vogël shumë se numri total i familjeve të Bashkisë. Pra jashtë janë shumë familje të tjera që natyrisht bashkia tenton t`i arrijë nëpërmjet zyrës së taksave që ka, por ky është proces i vështirë dhe bashkia mendon se më shumë do të harxhojë energji se do të marrë taksa” – thotë Nurja.

Eksperti propozon edhe rrugët e zgjidhjes për mbledhjen e taksës jo vetëm për rastin e Elbasanit, por në tërësi, në të gjitha qeveritë vendore.  “Duhen gjetur rrugë e mjete. Qeveria vitin e shkuar vuri në dispozicion OSHEE –në, por kjo duhet të bëhej me vendim të Këshillit Bashkiak, pasi është i vetmi organ që vendos për agjentin tatimor. Mbase në vazhdim, Elbasani dhe bashkitë e tjera, mund ta përqafojnë këtë skemë që sa i përket numrit të abonentëve janë më shumë se Ujësjellësi (pasi ka kontratë energjie edhe ku nuk ka ujësjellës fare), por përgjegjshmëria e OSHEE-së nuk është si ujësjellësi që është në varësi të Bashkisë. Por duhet më shumë aftësi menaxhuese nga ana e bashkisë në fund të ditës”, argumenton Nurja. Sipas tij, e vetmja zgjidhje që ka bashkia për të mbledhur detyrimet është të vendosë që të mbajë regjistrin e debitorëve, domethënë të bëjë me dije qytetarët se ato që nuk paguajnë detyrimet vendore (edhe taksën e pronës) nuk do të kenë shërbime nga institucioni apo do të kenë shërbime të limituara.

Megjithatë, kjo zgjidhje duket se nuk është shumë e pranueshme për banorët, të cilët thonë se nuk kanë qenë në dijeni se duhet të paguajnë këto taksa. Nga ana tjetër, Bashkia Elbasan nuk pranon se vlera e parave të pa mbledhura është kaq e lartë, duke u justifikuar me faktin se shumë familje janë me ndihmë ekonomike ose ndodhen në emigrim.

Rreth autorit:
Ornela Manjani është gazetare e çështjeve ekonomike.
Nikoleta Kovaçi është gazetare e çështjeve të aktualitetit.