Vëzhgim/Analizë

Shkollat e reja të Durrësit, pa kushte sigurie

18 mars 2019/ Vali Qyrfyçi/ Porta Vendore/ Durrës

Një shkollë e re në Bashkinë Durrës që pritet të çelë së shpejti dyert për nxënësit e saj, ka nxitur debatin qytetar mbi masat e sigurisë dhe rreziqet që u kanosen fëmijëve në shkollat e ndërtuara në vitet e fundit në qytetin bregdetar, që sipas Bashkisë janë në bazë të modeleve të Bashkimit Europian.

Shkolla “Marie Kaçulini, u ndërtua nga e para me financim të qeverisë dhe Bashkisë Durrës, por që nuk është e vetmja. Nxënësit e saj u larguan nga godina e vjetër në janar të vitit 2017, pak muaj pas fillimit të vitit shkollor 2016-2017, me premtimin se fillimi i vitit pasardhës shkollor do t’i gjente në shkollën e re. Po muajt e viti kaluan, edhe afati i çeljes së shkollës së re, që ishte më 4 shkurt 2019, kaloi!  Por nxënësit e një prej shkollave më të mëdha dhe më të njohura në qytetin bregdetar të Durrësit ende vijojnë procesin mësimor me orar të reduktuar pasditeve në godinat e shkollave të mesme “Leonik Tomeo“ dhe “Benardina Qeraxhia”. Shkolla vijon të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa prindërve u është kërkuar që të kontribuojnë vullnetarisht, si zakonisht në çdo fillim viti të ri shkollor, me 1000 lekë për të plotësuar edhe kërkesat e shkollës së re.

Siguria dhe ndotja

Megjithatë, ky nuk është problemi kryesor i prindërve. Problemi i tyre është më thelbësor. Vetëm dy metra e ndajnë hyrjen e shkollës së re “Marie Kaçulini” nga stacioni i autobusit dhe nga një prej kryqëzimeve më të ngarkuara në lëvizje, ndërkohë që nuk ka asnjë rrethim të këtij institucioni. “Godina duket e bukur, krejtësisht e re, por nuk duhet harruar se nxënësit e klasave më të larta tentonin të largoheshin nga orët e mësimit kur ishte me rrethim dhe kontroll të vazhdueshëm dhe imagjino tani pa rrethim. Po për shpërndarësit e hashashit nëpër shkolla a është menduar? Do ta kenë më të lehtë të hyjnë në shkollë apo të takojnë nxënësit dhe askush nuk do t’i pikasë në një turmë njerëzish që presin urbanin fare pranë shkollës. Kambanat e alarmit duhet të bien dhe duhet vlerësuar dhe njëherë kjo situatë para se të ndodhë gjëma”, shprehet e shqetësuar nëna e një nxënësi të klasës së gjashtë të kësaj shkolle.

Sipas prindërve, gëzimi i shkollës së re shoqërohet me rreziqet që këto rrethana sjellin. Madje, sikur të mos mjaftonte rrethimi i shkollës, siguria e nxënësve konsiderohet e kërcënuar edhe nga mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale në një kryqëzim të ngarkuar me lëvizje automjetesh e këmbësorësh. “Shkolla është vendi ku nxënësit nga 6 deri në 15 vjeç kalojnë pjesën më të mirë të ditës dhe të bashkëjetosh i ekspozuar ndaj rreziqeve në rrugë dhe përreth shkollës kthehet në një shqetësim për të gjithë”, thotë një tjetër prind. Gjithashtu, sipas tyre, ndotja e ajrit paraqet një sërë çështjesh në mjedisin e shkollës, që pritet të nisë së shpejti nga funksionimi, duke përfshirë ekspozimin e fëmijëve në shkarkimin e naftës nga autobusët e makinat më të vjetra dhe rreziqet potenciale për nxënësit që do të zhvillojnë edukimin fizik apo luajnë jashtë të ekspozuar ndaj emetimeve nga trafiku aty pranë. “Bashkia Durrës si administrator e shkollave dhe krejt zhvillimeve në qytet duhet të marrë parasysh këto faktorë të rëndësishëm për të mbrojtur fëmijët, përmes rritjes së sigurisë dhe adresimit të ndotjes”, kërkojnë prindërit që së shpejti do të çojnë fëmijët në këtë shkollë.

Bashkia: Shkollat si në BE

Për këtë arsye, Porta Vendore pyeti edhe pranë Bashkisë së Durrësit në lidhje me këtë shqetësim të banorëve. “Rrethimi i godinës shkollore nuk është i detyrueshëm me legjislacion. Në projektimin e godinave të reja arsimore, Bashkia Durrës i referohet modeleve të BE-së”, deklaroi zyrtarisht Bashkia Durrës, duke mos dhënë një zgjidhje për shqetësimin e banorëve. Sipas saj, hapja e shkollave ndaj komunitetit është kthyer në vizion të pushtetit vendor në Durrës, duke iu referuar ligjit dhe modeleve të Bashkimit Europian ku aspirojmë të integrohemi.

Por a është shoqëria jonë kaq e gatshme për një hapje të tillë? A janë rreziqet që kanosen më të larta se përfitimet nga ndërtimi i një shkolle pa rrethim dhe ngjitur me stacionin e autobusit urban të Unazës së qytetit, me grumbullime të tepruara njerëzish? Këtyre pyetjeve Bashkia Durrës u përgjigjet me faktin se projekti respekton normat e Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e godinave arsimore. “Gjithashtu edhe norma Neufert, për rastet specifike që nuk parashikohen në këto normativa”, thekson kabineti i Kryetarit të Bashkisë Durrës, në një përgjigje për shqetësimin tonë.

Abuzimet e mundshme

Megjithatë, këto pikëpyetje shqetësojnë jo vetëm komunitetin e prindërve të shkollës, po dhe mësues, psikologë dhe qytetarë durrsakë. “Risku nga faktorët e jashtëm është i lartë. Ulja e përqendrimit, tërheqja e vëmendjes së nxënësve për shkak të pamjes drejt e në rrugë të klasave është shumë e lartë”, shprehet një psikologe shkollore që nuk pëlqen të identifikohet për shkak të qenit pjesë e sistemit.

Ndërsa psikologja Armela Bejko thotë se shkollat e parrethuara rritin mundësinë për abuzime. “Shkollat në anë të rrugëve me qarkullim të lartë të mjeteve, i ekspozojnë nxënësit që i frekuentojnë, ndaj një varg risqesh që lidhen me aspekte të sigurisë së jetës, cenimit të shëndetit. Duke iu referuar edhe kontekstit të këtyre ditëve me vëmendjen e shtuar drejt sjelljeve abuzive me fëmijët, një mjedis i parrethuar i ekspozon më shumë nxënësit e çdo grupmoshe ndaj individëve me tendenca për ngacmime seksuale dhe shton mundësinë për komunikim, kontakt të tyre me fëmijët”, thotë Bejko. Sipas saj, në shoqërinë tonë mungon disiplina e qarkullimit rrugor, sikurse mungon edhe kultura e pritjes në radhë të prindërve e fëmijëve, kur këta të fundit dalin nga shkolla. Një mjedis i parrethuar e rrit lirshmërinë e fëmijëve për të lëvizur nxitimthi drejt prindërve, apo edhe duke ndërvepruar me shokët në lojëra që përgjithësisht lidhen me të vrapuarit. “Impulsiviteti dhe euforia e fëmijëve në të tilla rrethana, nuk u jep shumë kohë atyre të vlerësojnë riskun e dalin në rrugën me një qarkullim të shpeshtë të makinave dhe kryqëzimin përbri. Po ashtu, ekzistenca e një stacioni autobuzi fare pranë shkollës, ka ndikimin e vet në krijimin e turmës heterogjene”, deklaron psikologja.

Kushtet e prindërve

Kjo situatë duket se i ka lënë shumë të pakënaqur prindërit e fëmijëve që do të hyjnë në këtë shkollë, pavarësisht kushteve të brendshme të saj. Vendosja e rrethimit dhe jo e një bordure të ulët kufizuese, që është dëmtuar ende pa u dorëzuar objekti, dhe zhvendosja e stacionit të autobusit nga vendndodhja aktuale janë kërkesat bazë të komunitetit prindër-nxënës-mësues, ndërsa shkolla pritet të çelë dyert së afërmi. Shkolla “Marie Kaçulini” hapi dyert për herë të parë në shtator të vitit 1960, atëherë me emrin “Nako Spiru”, dhe u kthye në djep të arsimimit në qytetin bregdetar duke nxjerrë prej bankave të saj shumë breza intelektualësh e qytetarësh të denjë. Me vitet shkolla u rrënua, ndaj ndërtimi i saj nga e para ishte një domosdoshmëri. Me rihapjen e saj, prindërit shpresojnë që ajo mos të kthehet në një mundësi abuzimi për fëmijët e tyre, por bashkia të reflektojë dhe të marrë parasysh kërkesat e tyre.

Rreth autorit:
Vali Qyrfyçi është korrespondente e TCH për Durrësin.