16 mars 2019/ Jonida Qirko/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Fenomeni i mbarështimit të kafshëve të imta në zona të populluara po përhapet me shpejtësi në Gjirokastër, duke u kthyer në një shqetësim serioz për banorët. Prej afro dy vitesh, këto kafshë janë vendosur në lagjet e qytetit të gurtë dhe pavarësisht se banorët janë ankuar vazhdimisht pranë bashkisë së qytetit dhe inspektoriatit të mjedisit siç dhe vetë pohojnë, zgjidhja është ende shumë larg.
Banorët thonë se familje të ndryshme kanë krijuar ferma nëpër shtëpi. Mbi 50 familje numërohen në qytet që posedojnë secila mbi 30 krerë të imta. Kjo dukuri ka pushtuar disa lagje të rëndësishme të qytetit si lagjja Dunavat, Katror, lagjja Kodra e Shtufit apo Gërhot. Por ndonëse ky fenomen shtrihet gjithandej, më i theksuar është në lagjen Kodra e Shtufit, vetëm 10 minuta larg qendrës së qytetit të gurtë, kjo për shkak të hapësirës më të madhe të gjelbërimit që gjendet në këtë zonë.

Banorët e kësaj lagjeje që po vuajnë dita ditës këtë fenomen i janë drejtuar disa herë instancave përkatëse por deri më tani, asnjë nga institucionet nuk ka mundur të ndjekë nga afër këtë problematikë, teksa çdo ditë kjo situatë po bëhet alarmante. Enver Llaka është një banor i hershëm në këtë lagje, tashmë i dalë në pension. Ai tregon për Portën Vendore se si i duhet të përballet ai dhe familja e tij çdo ditë aromën e pakëndshme. “Çështja e bagëtive është e papranueshme në qytet, pasi bagëtia ka lloj-lloj sëmundjesh. E gjithë kjo varet nga ata që kanë përgjegjësi aty lart në bashki. Unë e quaj të padrejtë, nuk lejohej dikur, madje dënohej me ligj nëse mbaje kafshë të tilla, sot nuk thotë njeri çfarë janë këto kafshë në mes të qytetit. Unë jam konfliktuar disa herë me këta zotërinj që i mbajnë këto kafshë për këtë arsye bashkë me disa shokë, komshinj të mi e i jemi drejtuar disa herë bashkisë, përgjegjësit kryesor për bujqësinë por jemi përcjellë me argumentin se kjo situatë është gjithandej në qytet dhe nuk kanë çfarë ti bëjnë”, tha Enveri.

Ndërsa Avni Kola, një tjetër banor i lagjes Kodra e Shtufit, është në merak për të mbjellat në kopshtin e tij, që konsumohen në mënyrë masive nga bagëtitë e komshinjve. “Ato nuk të lënë asnjë pemë, asnjë gjë. Hedhja e lëkurëve ndër të tjera është një problem shumë i madh dhe fëmijët e lagjes shpesh i kapin me dorë, pasi hidhen në terren të hapur dhe në mënyrë krejt të pakontrolluar, duke u rrezikuar kështu të gjithë nga ndonjë sëmundje a epidemi e mundshme”, tha Avniu për Portën Vendore.

Por çfarë rreziku i kanoset njerëzve që i kanë pranë shtëpive të tyre këto kafshë?! Për mjekun veteriner Jorgaq Gumi, i cili ka mbi 20 vite eksperiencë, mbajtja e këtyre kafshëve në ambiente të populluara është e rrezikshme, pasi sipas tij kafshët, sidomos delja apo dhia mbartin në vetvete sëmundje që mund të përhapen lehtësisht te njerëzit nëpërmjet kontaktit apo kushteve mjedisore, e tillë siç është sëmundja e plasjes. “Gjithashtu hedhja e lëkurëve vend e pa vend është shpërdorim me vullnet i njeriut. Çdo kafshë që ngordh duhet të groposet duke lajmëruar veterinerin për të dezinfektuar vendin si dhe në përshtatje kjo me ligjet që ka vendi ynë. Bashkia ka rregullat e veta dhe duhet të ndërhyjë në bazë të ligjeve për të mbrojtur popullatën”,shprehet mjeku veteriner.

Por i pyetur nga Porta Vendore për këtë çështje, Drejtori i Shërbimit Veterinar pranë Bashkisë Gjirokastër z.Adnand Matushi është shprehur i rezervuar për sa i përket informacionit që posedon. “Ne si drejtori nuk kemi informacion, kemi qenë në dijeni për therjen e kafshëve në kushte jo të përshtatshme, por për këtë gjetëm zgjidhje hapjen e dy thertoreve që tashmë kanë më shumë cilësi se ato më parë. Për sa i përket mbajtjes së kafshëve në këto zona do të njihemi më shumë në ditët në vijim,” përfundon ai.
Por të njëjtën gjë pohuan për Portën Vendore edhe nga Inspektorati i Mjedisit Gjirokastër.
“Nuk kemi informacion, madje as ankesa nga qytetarët por sigurisht që do të merren masa gjatë ditëve në vijim!”, u shpreh Drejtori i Inspektoratit të Mjedisit në Gjirokastër, Dino Selimi.
E ndërsa institucionet deklarojnë se nuk janë në dijeni të këtij problemi, përhapja e ndonjë epidemie mbetet një rrezik i vazhdueshëm për banorët e kësaj lagjeje të qytetit të Gjirokastrës.
Rreth autorit:
Jonida Qirko është gazetarë në Gjirokastër.