Ngjarje/Personazhe

Elbasan, 100 familje të harruara për pikën e ujit

14 mars 2019/ Ervin Koçi/ Porta Vendore/ Elbasan

Rreth 100 familje elbasanase, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, janë të dënuara që përveç varfërisë dhe papunësisë, të thahen edhe për pikën e ujit. Kjo situatë ndodh pikërisht në zonën e njohur si “Dyli i Haxhiresë” në Elbasan. Ata janë lënë pa ujë të pijshëm prej disa vitesh në një lagje në periferi të qytetit të Elbasanit, ku furnizimi i rregullt me ujë si në pjesën tjetër të qytetit, nuk njihet.

Prej shumë vitesh, banorët e kësaj lagjeje e sigurojnë ujin e pijshëm njësoj si një mall me vlerë dhe me shumë kosto. Ata detyrohen të mbushin rreth 2 km larg shtëpive, me krahë ose me mjete të sajuara nga vetë ata. Sipas tyre, uji mungon prej tre vitesh dhe furnizimi me ujë është i mundur vetëm për disa familje në fillim të rrugës “Ilir Shehu”, ku nis edhe lagjja në fjalë. Por, ata shpjegojnë se veç faktit se nuk kanë ujë, çdo muaj ata përballen me fatura aforfe. Pra, ujë nuk kanë dhe fatura duhet të paguajnë. Për këtë arsye, ata kanë ndërprerë marrëdhëniet me ujësjellësin Elbasan. Banorët shpjegojnë se nuk mund të paguajnë fatura për një shërbim që nuk e marrin. Ata janë dakord që nëse uji u vjen në shtëpi të paguajnë sipas sahatëve të vendosur prej disa vitesh, por  që nuk janë vënë asnjëherë në punë. “Mua s’më vjen uji. S’më vjen uji fare. Unë kam gati dy vjet që nuk më vjen uji fare. Faturat na vijnë nga 5 mijë lekë çdo muaj e bëhen 300 mijë lekë, por ky i gjejnë këto fatura kur ujë nuk kemi fare”, thotë një nga banorët e zonës. Por ka edhe nga ata që faturat u vijnë nga 12 mijë lekë, apo edhe më shtrenjtë, ndërkohë që ujin nuk e kanë parë prej tre vitesh. “Kontratën e kam bërë që në vitin 2011, por në fillim uji vinte nga dy orë në ditë. Tani ka 3 vite që nuk vjen më. Si mund të ta paguaj fatura aforfe?!”, thotë një tjetër kryefamiljar.

Pas ankesës së banorëve, Porta Vendore pyeti edhe pranë Bashkisë Elbasan, sesi është e mundur që kjo lagje është lënë krejtësisht në harresë. Drejtori i Ujësjellësit në Elbasan, Luan Dervishi, deklaroi se është në dijeni të këtij fakti, duke shpjeguar se problemi është shkaktuar prej disa vitesh dhe duhet investim për të rikthyer këtë lagje në normalitet. “Tani zona është debitore dhe secili duhet të paraqitet pranë Ujësjellësit për të bërë kontrata”, pretendon Dervishi. Por, banorët shprehen sesi mund të paguajnë faturat për të cilat janë debitorë, kur ato kanë ardhur aforfe dhe uji nuk ka ardhur kurrë në shtëpitë e tyre. Në lidhje me këtë, drejtori i ujësjellësit deklaroi se rastet do të verifikohen njëri pas tjetrit, pasi sipas tij, faturat u shkojnë vetëm abonentëve që u shkon ujë.

Megjithatë, Porta Vendore verifikoi në terren se faturat u shkojnë edhe banorëve, të cilëve nuk u shkon kurrë uji. Për problemin që u ka rënë, banorët janë ankuar edhe te Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome (LRER), duke kërkuar ndihmën e tyre.

Pas kësaj ankese, përfaqësuesit e LRER shkuan në terren për verifikuar situatën. Ata konstatuan se furnizimi me ujë është i mundur vetëm për disa banorë në fillim të rrugës, pjesa tjetër nuk arrin të furnizohet me ujë prej tre vitesh. Sipas banorëve, arsyeja pse uji nuk arrin në shtëpitë e tyre, është mungesa e presionit dhe vendosja e pompave nga familjet në fillim të rrugës, e cila dobëson forcën ekzistuese. Disa prej banorëve shprehen se kanë shkëputur marrëdhëniet kontraktore me shoqërinë Ujësjellës Kanalizime për shkak të mungesës së ujit. Këto familje furnizohen me ujë, duke mbushur në disa dalje të tubit të ujësjellësit në fillim të rrugës. Në këto kushte, nëpërmjet LRER, ata i kanë drejtuar një peticion Bashkisë Elbasan. Në këtë peticion banorët shprehin shqetësimin e tyre për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme. Por deri më sot askush nuk u ka dhënë zgjidhje.

Për këtë arsye, gazetarët e Portës Vendore pyetën edhe drejtorin e Ujësjellësit Elbasan, Luan Dervishi, i cili premtoi se këtë vit është planifikuar një investim në këtë zonë. “Kjo zgjidhet vetëm me një investim, që ne e kemi planifikuar për këtë zonë. Aktualisht jemi në procedurat e prokurimeve dhe mendojmë se shumë shpejt do të fillojë investimi”, tha Dervishi, i cili theksoi dhe një herë se banorët sërish duhet të bëjnë kontratat me ujësjellësin me qëllim që zgjidhja të jetë përfundimtare.

Rreth autorit:
Ervin Koçi është gazetar i çështjeve të aktualitetit në Tiranë.