12 mars 2019/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Muhedin Makriu ka nisur të gdhendë figura të ndryshme në gur që në moshëtë vogël, e tashmë numëron mbi 50 vite që është pjesë e këtij zanati që i pëlqen aq shumë, sikurse të ishte në ditën e parë.
Këtë zanat ai e ka trashëguar nga gjyshi e i ati dhe aftësitë e tij artistike, shumë shpejt e kthyen atë në mjeshtër të gdhendjes së gurit.
Megjithëse 70 vjeç, ai ka shumë vullnet e dëshirë të punojë mbi gur dhe e adhuron qytetin e tij, Gjirokastrën.
I heshtur dhe fjalëpakë, Makriu tregon për Portën Vendore se ka 30 vite që është pozicionuar në një dyqan të vogël në Pazar.
“Jam i kënaqur sepse megjithëse plak, fuqitë nuk më kanë lënë dhe puna ka ecur goxha mirë. Njerëzit vijnë e shfaqen kuriozë të dinë më shumë mbi punët që unë bëj duke gdhendur gurin. Punët e mia kryesisht janë figura që kanë karakter historik, ose lagje të Gjirokastrës, që gjithsecilit do i pëlqente t’i kishte si suvenir në mure”, tregon Makriu, artizani i Gjirokastrës.

Por Makriu nuk është mjaftuar vetëm me punën e tij, por këtë zanat ia ka trashëguar edhe 3 djemve, të cilët janë të shpërndarë nëpër pika kyçe të Gjirokastrës, si kalaja, ose muzeu etnografik.
Të tre ata, përveçse ia dalin për të fituar disa të ardhura më tepër, kanë unifikuar forcat dhe talentin për të trashëguar një zanat të tillë siç është edhe gurgdhendja.
“Fëmijëve ia kam trashëguar jo vetëm prej dëshirës sime që ata ta ruanin këtë traditë, pasi unë të mos jem, por edhe sepse pashë një lloj dëshire tek ata, për të vijuar në këtë rrugë që unë i kam kushtuar jetën”, tha gurgdhendësi Makriu, i cili është një personazh i njohur në pazar.

Për të, të qenit gurgdhendës të ndihmon të nxisësh imagjinatën dhe të eksplorosh shtigje të reja të talentit prej piktori. Sipas tij, një gur mesatar për tu gdhendur e transformuar në një vepër, do mesatarisht një ditë kohë. Ndaj Muhedin Makriun e gjen gjithnjë në pazar, në buzë të dyqanit të tij, pa pyetur nëse është shi, diell a dëborë, ai është gjithnjë aty, i gatshëm për të pritur turistët e radhës që i gjen me shumicë në qytetin e gurtë në çdo stinë, dhe për të marrë daltën e gdhendur gurin e radhës.