Ngjarje/Personazhe

ECO-MASTERPLAN: NJË PLAN SHPËTIMI PËR LUMENJTË!

11 mars 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Bruksel

Shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor mund të kenë kaluar konflikte të mëdha mes tyre në të shkuarën, por sot kanë një armik të përbashkët: hidrocentralet. Tre mijë projekte për ndërtimin e tyre, nga Sllovenia deri në veri të Greqisë, po kërcënojnë seriozisht ujërat e ëmbla, gjallesat dhe biodiversitetin e gadishullit.

Prej kohësh, shkencëtarë dhe organizata mjedisore kanë ofruar evidenca serioze, duke paralajmëruar një katastrofë të pashmangshme mjedisore në të ardhmen, por udhëheqësit politikë të këtyre vendeve, të cilët e shohin kërkesën energjetike, të lidhur me rritjen ekonomike i kanë injoruar këto alarme.

Sidoqoftë, të enjten e shkuar, datë 7 Mars 2019, shqetësimi mbërriti edhe në Bruksel.

Në një nga sallat e Parlamentit Europian ku në 7 mars u mbajt konferenca “Mbroni lumenjtë e Ballkanit”.

Me iniciativën e eurodeputetit të Grupit të së Majtës së Bashkuar Europiane/Grupit të së Majtës së Gjelbër Nordike (GUE/NGL), z. Stelios Kuloglu, njëkohësisht dhe anëtari Delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, u organizua në një nga sallat e Parlamentit Europian një conference për mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit dhe veçanërisht për mbrojtjen e lumenjve të Shqipërisë, nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Konferenca u moderua nga vetë z. Kuloglu, në praninë e një paneli ekspertësh, aktivistësh dhe gazetarësh investigative nga rajoni dhe Europa, të shquar për kontributin dhe raportimin e çështjeve mjedisore. Pjesëmarrës ishin gjithashtu, përfaqësues të Komisionit Europian dhe përfaqësues të grupeve të tjera europarlamentare, ndërkohë që ambasadorja e Misionit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, znj. Suela Janina, mungoi.

Nga ekipi shqiptar ishte parashikuar prezantimi i dy dokumentarëve të realizuar, i pari nga BIRN Albania, nën regjinë e Elton Baxhakut dhe i dyti nga Elementi i Pestë , nën autorësinë e Artan Ramës dhe mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur  për Shqipërinë, ku dëshmohej vizualisht ndikimi i dhimbshëm social e mjedisor i shkaktuar nga boom-i impianteve hidrike mbi lumenj.

Përfaqësues të mërgatës shqiptare në Bruksel kishin mbushur sallën gjysmë rrethore të konferencës. Pjesëmarrja ishte surprizuese, relativisht, për aq kohë sa takimi zhvillohej në shtabin e politikës së rëndë, ku të ftuarit, kryesisht janë politikanë, por jo ekspertë, apo më pak akoma, aktivistë.

Përfaqësues të grupeve europarlamentare dhe qytetarë nga vende të ndryshme të Ballkanit në sallën e konferencës.

Arben Kola, një guide turistike që u prezanton vizitorëve të huaj peizazhin e mrekullueshëm të vendit të tij kishte udhëtuar nga Shqipëria me shpenzime personale. Ai proteston prej kohësh në mbrojtje të natyrës dhe të rrjedhës së lirë së lumenjve. Ndaj në këtë sallë ai ndihet i motivuar dhe plot shpresë për të marrë pas një premtim për një të ardhme më të qëndrueshme mjedisore.

Konferencën e çeli eurodeputeti Tomas Waitz, përfaqësues i të Gjelbërve (Greens/EFA) në Parlamentin Europian, njëkohësisht një anëtar i disa delegacioneve të PE-së në rajon. Ai komunikoi ngrohtë dhe me një stil jo aq të zakonshëm për tipologjinë e një europarlamentari, duke nxitur te të pranishmit një frymë miqësore dhe besimi. Ai tregoi se vendimmarrja e qeverive ballkanase në favor të ndërtimit, shpesh gëzon mbështetjen e institucioneve financiare.

“Është Banka Europiane e Zhvillimit, Banka Europiane e Investimeve, përfshirë edhe Bankën Botërore, të cilat i financojnë këto projekte. Dhe shtrojmë një pyetje: çfarë bën BE-ja? Ne po shkatërrojmë atë që po mbrojmë, vetëm e vetëm se këto shtete nuk janë ende pjesë e BE-së!”, -përfundoi.

Sipas Bank Watch, një organizatë që monitoron financimin e projekteve hidrike, në vendet e Ballkanit Perëndimor, kriteret për miratimin e hidrocentraleve që deri sot janë dhënë sipas parimit: ‘I pari shpërblehet!’,duhet të ndryshohen.

Igor Vejnoviç, koordinator i kësaj organizate, tha se zgjidhja mund të kërkohet te Komuniteti i Energjisë, një traktat mes vendeve të Unionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Komuniteti i Energjisë, mund të luajë një rol për të përshtatur rregulla të reja, në përputhje me konkurrencën dhe të mos mbështesë subvencionimet shtetërore në mënyrë që të mos nxisë realizimin e projekteve të tilla, pra të sillet njësoj siç veprohet në vendet e BE-së”, – thotë  ai.

“Në Shqipëri, – thotë Cornelia Wieser nga River Watch, – licencimi i hidrocentraleve është rritur gjatë periudhave elektorale, çka dëshmon ekzistencën e korrupsionit në koncesionimin e lumenjve”.

Hidrocentralet e aprovuara nga 2006 deri në 2016 që kulmojnë në vitet elektorale 2009 dhe 2013. Burimi: Eco Albania

Së bashku me kolegen e saj Theresa Schiller nga Euro Naturato prezantuan për herë të parë një Eco-Masterplan për Lumenjtë e Ballkanit  dhe treguan se në çdo dhjetë hidrocentrale të projektuara tetë prej tyre bien brenda zonave ku nuk duhen ndërtuar (‘no go’ zones).

Por, një zbulimi rëndësishëm ishte konkluzioni, se nevoja që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor për energji, do të jetë gjithmonë më e lartë sesa energjia e fituar, edhe sikur të ndërtohen të gjitha hidrocentralet e parashikuara.

“Kjo duhet të nxisë këto shtete që të hartojnë politika të reja për arritjen e objektivave të energjisë”, – tha Theresa Schiller.

Cornelia Wieser dhe Theresa Schieller duke prezantuar “Eco-Masterplan for Ballkan Rivers”

Tre javë më parë, në Podgoricë, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, foli  për zhvillimin e energjisë së pastër në rajon, duke përkrahur zhvillimin e dialogut mes investitorëve të hidrocentraleve dhe komunitetit lokal e shoqërisë civile.

“Siç e dini, – tha ai, – ka një numër të madh planesh për hidrocentrale të reja në rajon. Është e qartë se nuk është e mundur të ndërtohen të gjitha”.

Bankat e zhvillimit kanë premtuar më në fund, të rishikojnë politikat e financimit të projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve. Nëse nuk mund të konsiderohet ende një tërheqje, këto zhvillime përcjellin sidoqoftë optimizëm. Njëkohësisht, ekspertët e Komisionit Europian po hartojnë strategji të reja, duke e vënë theksin te “energjia e pastër” e erës, diellit etj.

Por në ç’mënyrë do të lexohen këto inisiativa nga udhëheqësit e shteteve të vogla ballkanike?

Deri tani politikat e dialogut me komunitetet locale të cilat preken prej këtyre projekteve hidro-energjitike kanë munguar. Në disa sheshe kryeqytetesh ballkanike njerëzit kanë protestuar kundër këtyre projekteve.

Në Tiranë, së fundi,qeveria po rishikon praktikat e miratimit të disa prej hidrocentraleve të vogla të miratuara, por deri tani nuk ka asnjë transparence mbi mënyrën se si po e bën këtë gjë.

Qeveritë mund të jenë sovrane në vendimmarrjen për arritjen e objektivave të strategjisë kombëtare të energjisë, por kjo vendimmarrje duhet të mbështetet në të dhëna shkencore, përmes dialogut dhe një procesi transparent.

Apatia e deritanishme përcjell pesimizëm.

Në mbyllje të konferencës, Arben Kola, guida turistike, u drejtohet organizatorëve:
“Ajo çka i lidh popujt tanë, Ballkanin është natyra dhe turizmi. Shpëtojeni turizmin i cili tetë vite më pare më shpëtoi mua nga emigracioni ilegal në Europë dhe më bëri të kthehem në Shqipëri. Por sot nuk dua më të jetoj në këtë mënyrë!”.

Aktivisti Arben Kola, pjesëmarrës në Konferencë.