Vëzhgim/Analizë

Zjarrfikësja e Pogradecit jep alarmin SOS

10 mars  2019/ Artin Halili/Porta Vendore/ Pogradec

Pas reformës territoriale, Pogradeci u bë bashki më e madhe dhe ka nën juridiksion 7 njësi administrative, por kushtet e zjarrfikëses lënë shumë për të dëshiruar, pasi ka vite që në repartin e MZSH-së, nuk është vënë dorë. Ndërsa buxheti i Bashkisë Pogradec është i papërfillshëm për kërkesat e shumta që kanë heronjtë e zjarrit për operacionet e tyre të vështira, ku shpëtojnë jetë njerëzish dhe mesatarisht çdo muaj ka pasur 9 ndërhyrje të tilla, që nga objektet e banimit, magazinat ushqimore dhe makinat e transportit.

Ndërhyrje të shumta gjatë vitit 2018 ka pasur për zjarret në pyje dhe kullota, konkretisht 23 raste të tilla, duke nxjerrë në pah problematikat dhe mungesat që vuan reparti zjarrfikës i Pogradecit. Në rastet e zjarreve në pyje dhe kullota, rezulton se në 99 % të rasteve ka pasur mungesë rruge dhe është dashur ndërhyrja e fikjes së zjarreve me bombola dhe në këmbë. Por ky repart nuk ka pajisje të tilla dhe për pasojë fikja e zjarreve është bërë me mjete rrethanore, lopata, shkurre të njoma, mbulim me dhe etj, duke rritur shkallën e vështirësisë së fikjes së zjarreve dhe duke lodhur më shumë zjarrfikësit.

Por problemet e tyre nuk janë vetëm kaq. Duke vëzhguar nga afër këtë repart në Pogradec, mund të thuhet lehtësisht se nuk kemi të bëjmë me një repart zjarrfikës, por kemi të bëjmë me një ngrehinë fantazmë, e cila është fat, që qëndron ende në këmbë. Godina është katandisur në këtë derexhe (foto më poshtë) dhe askush nuk është kujtuar të investojë në të, ndërkohë që heronjtë e zjarreve katandisen në një situatë SOS nga ana infrastrukturore, duke u krahasuar lehtësisht edhe me qytetet më të vogla në Shqipëri. Godina është dy kate, por funksional ka vetëm katin e parë. Aty janë të vendosur ngushtë disa shtretër, ndërsa ka mungesë edhe të dollapëve për të vendosur pajimet punonjësit. Pamja që ofrohet nga jashtë është e tmerrshme,duket sikur flakët e zjarrit kanë përfshirë godinën dhe zjarrfikësit nuk kanë pasur mundësi ndërhyrjeje. Suvatime të rëna, lagështirë, mungesë dyersh dhe dritaresh, dhe jashtë një hapësirë me një lavaman ku zjarrfikësit pastrohen pas ndonjë aksioni zjarri.

Godina e zjarrfikëses Pogradec. Foto: Artin Halili

Por zjarrfikësit e Pogradecit nuk i mundon vetëm godina, pasi situata paraqitet emergjente edhe për mjetet e nevojshme për ndërhyrje. “Godina e repartit ka nevojë emergjente për investim, kemi nevojë për veshje bashkëkohore apo edhe shumë mjete elementare si bombola fikse apo mjete prerëse në raste aksidentesh rrugore. Kemi probleme edhe me riparimin e defekteve në automjete, pasi nuk ka një kontratë me servise të caktuara” shprehet për Portën Vendore shefi i repartit Armand Gora. Sipas tij, mungesa e pajisjeve të duhura ka krijuar jo pak probleme në realizimin e ndërhyrjeve dhe minimizimin e dëmeve materiale.“Por fatmirësisht nuk kemi pasur viktima në gjithë këto raste”, pohon shefi i repartit Armand Gora për Portën Vendore, i cili shton se pavarësisht mungesave apo kushteve, ata kanë arritur që të japin maksimumin për të pasur sa më pak dëme dhe asnjë të lënduar. “Në të gjitha rastet kemi dhënë shumë nga vetja”, shprehet ai.

Veglat e punës së zjarrfikësve. Foto: Artin Halili

Një situatë e tillë është prej vitesh, mungesa e investimit i ka vrarë çdo ditë shpresat e atyre që punojnë këtu se diçka do të ndryshojë një ditë. I pyetur nga Porta Vendore Kryebashkiaku Eduard Kapri pranon se situata është tepër problematike.

“Po,është e vërtetë që situata është problematike, godina është jashtë çdo kushti dhe standardi për kryerjen e funksionit që duhet të këtë. Por godina është nën pronësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Bashkia Pogradec nuk mund të ndërhyjë me investim pa kaluar godina në pronësinë e Bashkisë. Për më tepër në e shohim si vend të papërshtatshëm për të investuar për një repart të tillë në këtë zonë” thotë Kapri. Duke parë këtë situatë, Porta Vendore pyeti kryebashkiakun Kapri se kur do të investohet për nevojat emergjente të repartit zjarrfikës, por sipas tij, bashkia ka marrë një premtim nga Kryebashkiaku i Wismarit Tomas Beyer për nevojat emergjente të tyre. “Ne vetë si bashki, nuk kemi mundësi financiare për realizimin e një tenderi për veshje të reja të zjarrfikësve. Bashkia Wismarit në Gjermani në kuadër të binjakëzimit me Bashkinë Pogradec, do të bëjë të mundur vitin e ardhshëm trajnimin e zjarrfikësve tanë nga specialistë gjermanë dhe njëkohësisht do të na pajisë edhe me veshje dhe pajime të tjera të nevojshme për ne dhe që i mungojnë repartit të zjarrfikëses tonë. Deri më sot nevojat më emergjente i kemi mbyllur me grantin e dedikuar që vjen nga Ministria e Brendshme, por edhe ai nuk mjafton për nevojat që kemi” ka pohuar Kapri.

Mjetet e zjarrfikëses Pogradec. Foto: Artin Halili

Por Bashkia e Pogradecit ka edhe një projekt për një repart të ri zjarrfikës, por si gjithmonë paratë mungojnë për të tilla vepra. “Ne kemi hartuar një projekt dhe kemi gjetur edhe vendin se ku do të ndërtojmë një repart të ri zjarrfikës. Kemi menduar që repartin e ri ta ndërtojmë më pranë varrezave publike, por nuk kemi paratë dhe jemi në përpjekje për të siguruar fondin”,tregon kryebashkiaku Kapri. E deri atë ditë sa bashkia të gjejë paratë, reparti zjarrfikës do të qëndrojë në këtë vend fantazmë.

Sa shpenzon Bashkia Pogradec për MZSH-në?

Reparti zjarrfikës ka 13 punonjës dhe 4 automjete në gjendje. Por edhe pse Bashkia Pogradec i di nevojat emergjente që ka ky repart zgjedh që të shpenzojë shumë pak për të, garanton vetëm paga dhe sigurimet shoqërore dhe shumë pak para për blerje mallrash. Nga Programi i Buxhetit Afatmesëm të Bashkisë Pogradec 2019-2021, Porta Vendore konstaton se Bashkia qysh nga vitit 2016 dhe deri në vitin 2021 garanton vetëm pagat dhe blerje të vogla mallrash. Reparti zjarrfikës Pogradec ka 13 punonjës dhe 4 automjete. Bashkia Pogradec ka mundur që të shpenzojë shumë pak, pasi garanton vetëm paga dhe sigurimet shoqërore dhe shumë pak para për blerje mallrash. Nga Programi i Buxhetit Afatmesëm të Bashkisë Pogradec 2019-2021, Porta Vendore konstaton se Bashkia Pogradec qysh nga vitit 2016 dhe deri në vitin 2021 garanton vetëm pagat dhe blerje të vogla mallrash. Nuk rezulton të ketë asnjë investim konkret për godinën apo pajisje konkrete. Gjatë 2018-s, Bashkia shpenzoi nga buxheti rreth 30 milionë lekë të vjetra. Këtu futen blerje pajisjesh për 4 automjetet, të cilat prishen shpesh për shkak të vjetërsisë apo terrenit në të cilin punojnë, pa llogaritur servisin e automjeteve dhe blerjen e te gjitha pajisjeve, të paktën ato emergjente. Ndërkohë, nuk ekziston asnjë kontratë me ndonjë ofiçinë për rregullimin e mjeteve. Ajo që bie në sy është edhe fakti së qysh nga vitit 2016, dhe për të vijuar deri në 2021-in Bashkia nuk ka parashikuar zhvillimin e ndonjë tenderimi për veshjet e zjarrfikësve.

Sa shpenzon Bashkia Pogradec për PMNZSH-në

Reparti zjarrfikës Pogradec ka 13 punonjës dhe 4 automjete. Bashkia Pogradec ka mundur që të shpenzojë shumë pak, pasi garanton vetëm paga dhe sigurimet shoqërore dhe shumë pak para për blerje mallrash. Nga Programi i Buxhetit Afatmesëm të Bashkisë Pogradec 2019-2021, Porta Vendore konstaton se Bashkia Pogradec qysh nga vitit 2016 dhe deri në vitin 2021 garanton vetëm pagat dhe blerje të vogla mallrash. Nuk rezulton të ketë asnjë investim konkret për godinën apo pajisje konkrete. Gjatë 2018-s, Bashkia shpenzoi nga buxheti rreth 30 milionë lekë të vjetra. Këtu futen blerje pajisjesh për 4 automjetet, të cilat prishen shpesh për shkak të vjetërsisë apo terrenit në të cilin punojnë, pa llogaritur servisin e automjeteve dhe blerjen e te gjitha pajisjeve, të paktën ato emergjente. Ndërkohë, nuk ekziston asnjë kontratë me ndonjë ofiçinë për rregullimin e mjeteve. Ajo që bie në sy është edhe fakti së qysh nga vitit 2016, dhe për të vijuar deri në 2021-in Bashkia nuk ka parashikuar zhvillimin e ndonjë tenderimi për veshjet e zjarrfikësve.

Katër zjarrfikëse

Reparti zjarrfikës Pogradec ka në dispozicion 4 automjete. Ato i përkasin viteve të ndryshme duke filluar nga vitet 50’deri në vitin 92’

Automjeti më i vjetër i këtij reparti është një ‘LIAZ’ i viteve 50’ i cili është në gjendje pune, por përdoret shumë rrallë ose për raste të terreneve të vështira. Por që me siguri nuk arrin të japë asnjëherë rezultate të kënaqshme, pasi duhej të kishte shkuar për skrap me kohë.

Automjeti tjetër është një IFA i viteve 60’ i cili është në gjendje të mirë dhe të mirëmbajtur.

Automjeti i 3-të është një IVECO me targa të Durrësit , dikur shërbente si bot qumështi, por në rrethana të paqarta kaloi në përdorim të MZSH Pogradec.

Automjeti i më i ri, është një BENZ i vitit 92’ i ardhur 2 vjet më parë nga Wismari i Gjermanisë, si dhuratë për Bashkinë Pogradec. Automjetet janë në gjendje pune, por në dimër përdoret vetëm mjeti BENZ, pasi mungojnë kapacitetet e parkimit për 3 automjetet e tjera dhe fakti që qëndrojnë jashtë në temperatura dimërore bën që ato të japin edhe defekte në ndezje.

Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.