Investigime

Varreza pa leje e Bulçeshit, tregti me varret

6 mars 2019/ Esmeralda Keta/ Agime Kastrati/ Porta Vendore/ Tiranë

Një varrezë private, e ngritur në fshatin Bulçesh në Tiranë, operon që prej tre vitesh pa asnjë lloj lejeje, pa një regjistër se ku prehet çdo person që ndërron jetë, me çmime që ndryshojnë çdo ditë, me varre të blera nga dhjetëra banorë të zonës dhe ku toka shitet me metra linearë. Ekspertët sugjerojnë se varreza duhet të mbyllet, ndërsa varret e ndërtuara rrezikojnë të jenë “objekt i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit”, siç edhe e paralajmëron pronarin e kësaj varreze, Njësia Administrative e Zall Herrit.

Ditën që i vdiq nëna, Mirie Sheritaj, nuk e kishte menduar se përveç dhimbjes do i duhej të niste kërkimin për të blerë tokën ku do të prehej njeriu i shtrenjtë i zemrës së saj. Në varrezën e Bulçeshit në Bathore, ku edhe i takonte të prehej nënës së Miries, nuk kishte më tokë të lirë, ndaj është mbyllur nga bashkia e Kamzës. “E për këtë, varrezat janë kthyer në një makth të vërtetë dhe më është dashur të blej varr në varrezë private”, nis e tregon historinë e saj Mirie Sheritaj. Ajo vjen e viziton varrin e të ëmës dy herë në muaj.

Në mungesë të vendeve në varrezën shtetërore, ngjitur me të, që prej tre vitesh po lulëzon një varrezë private, ku banorët e zonës blejnë jo vetëm varret për ata që ndërrojnë jetë, por ka raste kur prenotojnë tokën edhe për varret e ardhshme të të gjithë familjes.

“Para dy vitesh, kur më ndërroi jetë nëna e provova se çdo të thotë të blesh dhe varrin. Varreza e shtetit ishte mbyllur dhe morëm vesh se njëri kishte hapur një varrezë private e shiste tokë për varre. U lidhëm me të dhe ramë dakord”, rrëfen Miria, e cila shton se pagoi 20 mijë lekë të reja tokën për varrin e nënës. “Në këtë situatë që ka ardhur, afër varrit të nënës kemi blerë dhe një copë tokë tjetër, ta kemi në rast fatkeqësie”, vijon së treguari 50-vjeçarja.

Familjarë duke u kujdesur për varret e të afërmve në varrezën private. Foto: Esmeralda Keta

Prenotimet dhe çmimet

Në varrezën private të Bulçeshit, ku prehen pranë e pranë myslimanë e katolikë të kësaj zone, varret shiten me metra linearë. Njësoj si ajo shtetërorja, e parrethuar, me pirgje mbeturinash, ajo ka filluar e zgjerohet frikshëm.

Me rrugë të pashtruara, gjithë pluhur e baltë, të parrethuara, ngjitur aq shumë me varrezat publike, të vendosura në një kodër që ka rrezik rrëshqitjeje, myslimanët blejnë varre teke, që kushtojnë 20 mijë lekë, ndërsa katolikët blejnë më së shumti varre të përbashkëta, që variojnë nga 3-6 poste e që kushtojnë deri në 60 mijë lekë të reja. Paradoksalisht, shumica e varreve janë prenotuar për të ardhmen, duke i “hapur varrin të gjithë familjes”, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për prenotim të tokës, por tashmë janë ndërtuar edhe muralet dhe janë gati për ceremonitë.

Pronari i varrezës private

Besnik Çuni, është ai që prezantohet si pronari i varrezës private. Ka nisur të shesë tokën e tij për varre, tre vite më parë. Besniku pretendon se aktiviteti që ushtron është konform ligjit dhe i ka kaluar të gjitha hallkat ligjore. “Jam banor vendali i zonës. Tokën e kam timen dhe ashtu siç e kërkon ligji i kam ndryshuar statusin pranë prefekturës, nga tokë bujqësore në tokë truall. I kam të gjitha letrat në rregull”, përpiqet të na bindë Besniku, i cili shton se “mandat pagesa që jep, pasi ke shlyer detyrimet, është dokumenti që vërteton se ai është konform rregullave”.

Besniku, i cili po mbikëqyr disa punime mirëmbajtje që po bëhen në këtë varrezë, na thotë se më të zakonshme janë varret treshe dhe ato gjashtëshe. Nëse varret teke që zgjidhen kryesisht nga myslimanët kushtojnë 20 mijë lekë, e njëjta hapësirë kur përdoret si varr i përbashkët, shkon deri në 60 mijë lekë.

“Ky këtu ka tre poste dhe në total janë 6 metra linearë, të ndërtuara me beton, me hekura me kolona, të llogaritura me tre ndarje, të pajisur me një tub shkarkimi pas dekompozimit, por që edhe të mos mbajë ujë. Ky kushton i gjithi 60 mijë lekë, pasi i takon të jetë me një sipërfaqe 2 me 3”, shpjegon Besniku, duke treguar një variant të mundshëm varri familjar. Varret për gjashtë veta kanë një sipërfaqe prej 16 metrash linearë, ose siç i quan ai “4 me 4”. Konstruksioni ka një portë hekuri nga lart ose në anësore që mbyllet me çelës dhe hapet vetëm në rastet kur do të futet i vdekuri. Çdo post është i ndarë me beton nga posti tjetër dhe pasi futet arkivoli, mbyllet hermetikisht me llaç e me tulla, në mënyrë që gjatë shpërbërjes së trupit të mos ketë rrjedhje që të depërtojnë tek postet e tjera.. Në total kjo kushton 320 mijë lekë të reja”, na thotë Besniku, i cili betohet se mandat pagesa që jep për shërbimin e ofruar është garancia që ai është konform rregullave.

Ndërsa sa i përket regjistrit të personave që prehen në këtë varrezë, Besniku thotë se “i ka të shënuara të gjitha në bllok”.

Varreza private pa leje

Por duket se gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Ndonëse që në 2004-ën, me anë të ligjit Nr .9220, datë 15.4.2004 “PËR SHËRBIMIN PUBLIK TË VARRIMIT” i është hapur rruga edhe ligjërisht ndërtimit të varrezave private, dhe është elaboruar më gjerësisht në VKM nr. 151, datë 4.2.2015 “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NGRITJEN E VARREZAVE PRIVATE”, duket se institucionet nuk janë të qarta për përgjegjësitë dhe mënyrën se si do të monitorohet ky proces aq delikat.

Sipas nenit 3/b të ligjit nr. 80/2014 2 përcaktohet se “Ngritja e varrezave private bëhet me miratim të këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave. Për njësitë bazë të qeverisjes vendore mund të ngrihet vetëm një varrezë private për 100 mijë banorë dhe me sipërfaqe jo më pak se 10 ha”.

Sipas dokumenteve që disponon “Porta Vendore” varreza e Bulçeshit ka një sipërfaqe prej vetëm 3300 m2 dhe ushtron aktivitetin pa asnjë lloj leje dhe ligjshmërie.

“Gjatë vitit 2017, Njësia Administrative Zall-Herr ka konstatuar se në parcelën me nr. 419/3 me sipërfaqe 3300 m (tokë arë), e regjistruar me certifikatë pronësie në emër të Idriz Sheftelia, banor i fshatit Zall-Herr, ka lejuar ndërtimin e varrezave, pa u pajisur me lejen përkatëse”, sqaron në përgjigjen e saj për “Porta Vendore” zyra juridike e Njësisë Administrative Zall- Herr, në të cilën ndodhet edhe varreza private e Bulçeshit.

Mirëpo edhe pas njoftimit, pronari i tokës, Bajram Sheftelia, ka vijuar me shitjen e tokës për varre, pasi ai pretendon se është konform rregullave, ndonëse nuk ka asnjë kontratë me njësinë administrative, siç e parashikon ligji. “Pasi u njoha me problemet e pronës që unë disponoj, mendoj se kam vepruar në bazë të rregullave dhe ligjeve”, këmbëngul Bajram Sheftelia në përgjigjen që i kthen njësisë administrative që mban datën 28 shtator 2017 dhe i vë në dispozicion dokumentacionin, që ai pretendon se i jep të drejtën për të ushtruar këtë aktivitet në pronën e tij, ku bashkëinvestitor rezulton të jetë Afrim Elqeni.

Elqeni sipas QKR-së rezulton se prej vitit 2008 ka një licencë për të ushtruar aktivitetin e shërbimit funeral. Deri më 2014 kjo agjenci e ka ushtruar aktivitetin në Bathore, por sipas ekstraktit historik që rezulton në QKR, në 2016 e ka ndryshuar adresën duke u zhvendosur në Kashar.

Në foto është shkresa me anë të së cilës njësia administrative njofton pronarin e tokës të ndërpresë punimet

“Me datë 5 tetor 2017 (me Nr. 1874/1 Prot) Z. Bajram Sheftelia është njoftuar nga Njësia Administrative Zall-Herr të ndërpresë menjëherë ndërtimin e varrezave në pronën e tij pa u pajisur më parë me leje nga drejtori përkatës në bashki, pasi dokumentacioni i paraqitur është vetëm fillimi i procedurave për marrjen e Lejes”, sqaron zyra juridike e Zall-Herrit. Por Arben Maloku, administrator i njësisë Zall Herr shpjegon se shkresat e paraqitura nga Sheftelia nuk plotësojnë kriteret. “Ata që ka paraqitur Bajram Sheftelia është një projekt se si ai e mendon, nuk është një aplikim i saktë, ka mungesë në dokumentacion, dhe për më tepër që aplikimi për të tillë projekte nuk bëhet tek ne por në ministri. Ai është totalisht në kundështim të ligjit dhe pa asnjë leje dhe është vënë disa herë në dijeni” – shpjegon Maloku.

“Nga data e njoftimit ju nuk duhet të lejoni ndërtim varresh në këtë parcelë pa u pajisur me leje ndërtimi varresh nga Bashkia Tiranë. Në rast se vazhdoni të kryeni ndërtim varresh pa u pajisur me leje ndërtimi do të përballeni me bllokim të kësaj pasurie nga IMT e Bashkisë Tiranë”, thuhet në shkresën e fillimit tetorit të 2017-ës, që kjo njësi i ka dërguar pronarit të truallit ku është ndërtuar kjo varreze.

Por ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga kjo shkresë, pronari jo vetëm që nuk është pajisur me leje, por ai ka vazhduar ta zgjerojë në paligjshmëri edhe më shumë biznesin e shitjes së varreve. Kjo pasi institucionet nuk e kanë të qartë se kush duhet ta kontrollojë e monitorojë këtë varrezë private. Kjo, pasi pronarët e kësaj varreze private janë favorizuar nga amullia me regjistrimin e pasurive, pas ndarjes së re territoriale më 2015-ën.

Pas morëm shkresën ne iu drejtuam sërish IMT-së, ku e vumë në dijeni për përmbajtjen e shkresës së njësisë administrative Zall Herr por IMT këmbëngul që kjo zonë nuk është e Tiranës. Drejtori i IMT na tha shprehemisht “deklaroi me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është nën juridiksionin tonë”

Ndërkohë që ne iu drejtuam me kërkesë zyrtare bashkisë së Tiranës, dhe ajo e delegoi tek drejtoria e e Shërbimit funeral, që mbulon varrezat në bashkinë e Tiranës. Në shkresën e ardhur (dorazi) nga kjo drejtori thuhet se ” Referuar formularëve të inventarizimit të pasurive të palujtshme shtetërore dhe fshati Bulçesh dhe varrezat e këtij fshati nuk përfshihen”.

Variante varrezash private në Bulçesh. Foto: Esmeralda Keta

Amullia me regjistrimin e pronës

Fshati Bulçesh, që ndodhet në Njësinë Administrative Zall- Herr i ka kaluar Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, pas ndarjes së re administrative. Duke qenë se ndodhet mbi repartin ushtarak në Bathore, dhe varreza shtetërore që është pronë kufitare me atë private administrohet nga Bashkia e Kamzës, “Porta Vendore” iu drejtua fillimisht me një shkresë zyrtare kësaj bashkie në lidhje me procedurën e ndjekur dhe lejet e dhëna për këtë varrezë.

“Varreza e Bulçeshit, që ndodhet pranë repartit ushtarak, nuk ka më vende për të kryer ceremoni varrimi, ndaj është thuajse e mbyllur. Sa i përket biznesit privat, që ka tokën ngjitur me varrezën publike dhe që e përdor si varrezë private drejtohuni Bashkisë së Tiranës, pasi ajo pjesë territori administrohet nga kjo bashki”, na sqaron Bashkia e Kamzës.

Por pikërisht këtu fillon ngërçi i krijuar me këtë pronë, pasi Bashkia e Tiranës mohon që ajo të jetë në inventarin e saj, edhe pse zyra juridike e Njësisë Administrative te Bashkisë Tirane, Zall Herr, pranon përgjegjësinë për kontrollin e territorit qe zë varreza private, duke e shtuar amullinë rreth statusit të kësaj varreze.

Agjencia e Shërbimit të Funeralit në Tiranë, së cilës na rekomandoi Bashkia e Tiranës t’i drejtohemi, pasi ka nën administrim të gjitha varrezat publike të bashkisë së kryeqytetit, nuk është në dijeni për atë që po ndodh në këtë cep të Bathores.

“Referuar informacioneve që disponojmë, si formularët e inventarizimit të pasurive të paluajtshme shtetërore dhe dokumentacioni i ardhur nga njësia administrative Zall-Herr për procesin e konfirmimit të statusit juridik, fshati Bulçesh dhe varrezat publike të këtij fshati nuk përfshihen në këto dokumente”, na shpjegon kjo Agjenci, e cila dërgon bashkangjitur edhe tabelën e pasurive të paluajtshme të varrezave të konfirmuara nga ZVRPP Tiranë, sipas formularëve të inventarizimit dhe dokumenteve të Njësisë Administrative Zall-Herr.

Agjencia e Shërbimit Funeral të Tiranës, shpjegoi se ndonëse është përgjegjëse vetëm për varrezat publike, pas vënies në dijeni nga “Porta Vendore”, ka nisur verifikimet edhe për këtë varrezë private.

“Agjencia e Shërbimeve Funerale ka kompetencë për të vepruar vetëm në varrezat publike, megjithatë me datë 02.11.2018, ka bërë verifikimin në terren në varrezën e përmendur në kërkesën tuaj. Nga verifikimi rezulton se janë dy varreza, njëra publike dhe administrohet nga Bashkia Kamëz dhe tjetra është varrezë private dhe administrohet nga pronari i tokës Bajram Idriz Sheftelia”, thuhet në përgjigjen zyrtare të kësaj Agjencie.

Rreshti sipër rrugës dhe varret poshtë rrugës janë private, ndërsa të tjerat janë varreza publike. Foto: Esmeralda Keta

“Agjencia e Shërbimeve Funerale nuk ka tagër për të licencuar subjekte private për ngritjen apo ushtrimin e aktivitetit për varrezë private. Gjithashtu konfirmojmë se në institucionin tonë nuk është paraqitur një kërkesë e tillë, nga ndonjë subjekt privat për ndërtimin e një varreze private”, – i shpjegoi në një përgjigje me shkrim “Portës Vendore”, drejtoria e shërbimit funeral në Bashkinë e Tiranës.

E njëjta situatë e paqartë konfirmohet edhe nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës. “Pasi u njoha me shqetësimin tuaj, dërgova menjëherë inspektorët në terren për verifikim. Nga verifikimet e kryera rezulton se varrezat për të cilat ju kërkoni informacion ndodhen në territorin e bashkisë së Kamzës”, sqaron Maringlen Qato, kreu i IMT-së së kryeqytetit, që dërgon edhe disa foto të hartës. Të gjendur në mes të kësaj amullie të krijuar, ku bashkia e Tiranës dhe ajo e Kamzës, këmbëngulin se nuk e kanë në administrim këtë zonë ‘Porta Vendore” iu drejtua zyrës së Hipotekës për të kuptuar se në cilën bashki ndodhet kjo pronë. “Nga verifikimet tona prona me nr 419/3 ndodhet në zonën kadastrale 3878, në njësinë adminitrative Zall-Herr, bashkia Tiranë”, – sqaron zyra qendrore e Hipotekës.

Por pavarësisht këtij konfuzioni mes institucioneve, Njësia Administrative e Zall Herrit që ka nën administrim këtë zonë, është një nga njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës. Në një listë të fshatrave dhe qyteteve që përfshin Bashkia Tiranë, pas ndarjes së re administrative, fshati Bulçesh figuron të jetë nën ombrellën e Bashkisë së Tiranës.

Tregtia me varret

Ndonëse ligji e detyron subjektin që të afishojë çmimet për shërbimet që ofron, gjë që nuk ndodh në këtë varrezë, nën zë të gjithë banorët e kësaj rrëfejnë histori të pazakonta me atë që ndodh në këtë varrezë.

“Në fillim 2 metër tokë për varr kushtonte 50 mijë lekë, ndërkohë që prej dy vitesh është 20 mijë lekë, por nuk është se ka një çmim fiks. I ndërrojnë herë pas here”, na tregon Miria, e cila është e pakënaqur edhe për mënyrën se si mirëmbahet kjo varrezë. “Unë e kam të vështirë të shkoj tek varret e familjes, pa shkelur tek varret e të tjerëve”, na tregon ajo.

Përkundër kësaj situate në varrezën private, në atë publike procedurat dhe tarifat janë të përcaktuara qartë. Në një përgjigje zyrtare dërguar “Porta Vendore” për të drejtën e informimit, Bashkia e Kamzë vë në dijeni se ndonëse deri më tani në varrezat publike nuk kanë pasur kërkesa për varre të përbashkëta “por me vendim të këshillit bashkiak, tarifa për ta është 25 mijë lekë të reja dhe mund të varrosen deri në 6 persona”. Ndërkohë që tarifat për varret normale janë 14 000 lekë të reja shërbim varrimi, dhe 1500 lekë të reja rregullim varri.

Agjencia e shërbimit funeral të Tiranës, në njësinë administrative të Zall Herrit, një varrim për të rritur kushton vetëm 12 mijë lekë të reja dhe varret një mbi një kushtojnë 13.500 lekë.

Tarifat që aplikon kjo agjenci, janë shumë larg asaj që i duhen të paguajë një qytetari varrezën private të Bulçeshit.

Rruga mes varreve private. Foto: Esmeralda Keta

“Mos pyt për ne, sepse edhe me vdek nuk kemi as varr ku t’na varrosin. Këtu u bë nami duke ba tregti dhe me varret”, na thotë Arife Billa, një e moshuar e ardhur 24 vite më parë nga një fshat i Kukësit.

Arifen e takojmë në afërsi të varrezave, ku ka edhe shtëpinë. Ndonëse ka kohë që i ka lënë të 70-at, ajo nuk lë rast pa ndihmuar të birin në punë të ndryshme. “Dal e ndihmoj shpesh djalin me ndonjë punë që ka për të bërë sepse kur mendoj se edhe varrin do ma blejë me pare, më ikën mendja. Mezi ia dalim me jetu, e jo më të mendojmë edhe për tokën ku do na fusin kur të vdesim”, – na thotë e trishtuar Arife Billa.

Tarifat për shërbimet e varrimit të bashkisë Tiranë

Ekspertja: Ligji lejon abuzimin

Erinda Skëndaj, Drejtore e Komiteti Shqiptar të Helsinkit shprehet se ligji është shumë i paqartë dhe hap shtigje për abuzime me tarifat, ndërsa shikon si problem edhe çështjen se kush mund të përcillet në banesën e fundit në varrezat private. “P.sh. a mund të përcillet një person që i përket një familje me të ardhura mesatare ose të pamjaftueshme që të përballojë koston e shërbimit të varrimit? Nëse varret publike nuk kanë hapësirë, çfarë duhet të bëjnë familjarët e të ndjerit? A duhet detyrimisht t’i drejtohen privatit dhe a ka ky i fundit tarifat më të shtrenjta se publiku? A mos ndoshta, njësitë bazë të qeverisjes vendore që administrojnë varrezat kanë diskrecion të gjerë për të miratuar tarifat e shërbimit dhe që mund të çojë një aplikimin e standardeve të ndryshme sa i takon tarifave të shërbimit të varrezave? Dhe këtu mund të gjenerojë abuzivizmi karshi qytetarëve”, shpjegon Skëndaj. Po ashtu, ajo thotë se është e paqartë se cilat janë mekanizmat që do ta monitorojnë këtë lloj veprimtarie. “Ligji thotë se kontrolli për mënyrën e administrimit dhe funksionimit të varrezave publike, fetare dhe private, bëhet nga njësitë e qeverisjes vendore. Po cilat janë mekanizmat që ka krijuar njësia e qeverisjes vendore për këtë kontroll dhe a siguron ky kontroll paanshmëri, përgjegjshmëri dhe të mundësojë sanksione në rast të abuzivitetit?”, ngre pikëpyetjet Skëndaj.

Ndonëse zhvillon një veprimtari tejet delikate dhe në kundërshtim me ligjin, kjo nuk e pengon Besnik Çunin, të na flasë për projektin imagjinar, pasi gjendja në realitet është shumë kaotike në këtë varrezë. Ndryshe nga mjerimi i varrezës publike ngjitur me të, Besniku premton se shumë shpejt kjo pamje do të ndryshojë. “Këtu kam parashikuar rrugën”, na tregon Besniku, duke ecur përmes dy parcelave të prenotuara tashmë për varre në të ardhmen. “Do t’i sistemojmë, kemi parashikuar sisteme kullimi të ujërave, do të gjelbërohen dhe këtu ne përgjigjemi edhe për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre nga dëmtimet”, shpjegon Besniku.

Zgjidhja e vështirë

Avokat Juxhin Vrenozi nuk ka dyshime për situatën e paligjshmërisë së këtij subjekti. Ajo që për të është e pakuptueshme është fakti se përse institucionet kanë mbyllur sytë përpara kësaj situate kaq delikate. Sipas tij, zgjidhja, edhe pse drastike, gjendet në kuadrin ligjor.

“Ky subjekt vepron krejtësisht jashtë ligjit dhe duhet të ndërhyjnë institucionet përkatëse, duke filluar që nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, i cili vjen e të bllokon për çdo mur që shemb edhe brenda shtëpisë dhe është e mefshtë kur vjen puna për një rast të tillë aq delikat, Policia bashkiake, Agjencia e Shërbimit Funeral. Kur them të ndërhyjë e kam fjalën të ndërhyjnë sipas rregullave, me procesverbale, me masa konkrete dhe jo të shkëmbejnë “letra dashurie” siç ka bërë njësia administrative deri më tani”, shpjegon avokat Vrenozi. Sipas tij “varreza duhet të mbyllet, të prishet, dhe agjencia e shërbimit funeral të Tiranës duhet të marrë përsipër e të gjejë një zgjidhje se ku të prehen përfundimisht këta njerëz”, na thotë Vrenozi.

“Është situatë absurde, as të vdekurit nuk e dinë se ku i kanë?”, shton ai.

Ligji parashikon që “subjekti privat ushtron veprimtarinë e tij në bazë të marrëveshjes së lidhur, sipas rastit, me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore ose ministrin përgjegjës për çështjet e planifikimit urban, në përputhje me rregullat për funksionimin dhe administrimin e varrezave”. Për ketë duhet që të ketë një kontratë të detajuar me subjektin privat ku të përcaktohen të gjitha shërbimet që ai merr përsipër, kohën e shfrytëzimit të varrezës, çfarë do të ndodhë me varret pas mbarimit të kontratës si dhe llojet e varrimeve që do të lejohet që të kryejë. Por duket se asnjë nga këto hallka nuk është respektuar në varrezën private të Bulçeshit.

Por për Elsa Ballaurin, e cila merret prej vitesh me të drejtat e njeriut, e drejton gishtin e akuzës tek institucionet shtetërore. “Sigurisht që personi që po zhvillon këtë aktivitet në kundërshtim me ligjin duhet të mbajë përgjegjësitë (penale ose administrative), por unë mendoj se fajtorë për këtë situatë janë institucionet shtetërore. Nëse ky lloj biznesi po lulëzon, është për faktin se ata nuk e kanë bërë punën që u takon. Ne bëjmë ligje të bukura, por kur vjen puna për ti zbatuar çalojmë shumë”, përfundon Ballauri e cila shton se ka ardhur koha të hapet një debat i madh publik për varrezat dhe mënyrën e varrimit.

Të bindur se askush nuk do të guxonte të bënte tregti edhe me të vdekurit, ka nga ata që kanë bërë prenotime luksi të varreve. ” Ky këtu, – na tregon me mburrje Besnik Çuni, – donte të kishte hapësirë për varrezën familjare dhe ka prenotuar 25 metra linearë, ndryshe nga të tjerët që prenotojnë zakonisht 16 metra”.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.
Agime Kastrati është gazetare në Tiranë.