4 mars 2019/ Ornela Manjani/ Porta Vendore/ Tiranë
Në prag të zgjedhjeve vendore, të gjitha bashkitë në vend janë bërë më dorëlëshuar, duke rritur numrin e lejeve të ndërtimit, ndërkohë që bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës i ka dyfishuar ato në tremujorin e fundit të vitit 2018. Ekspertët japin alarmin se në këtë periudhë parazgjedhore, edhe më shumë leje ndërtimi do të miratohen, edhe për faktin se lejet e ndërtimit sjellin para për bashkitë.
Lejet
Sipas ISNTAT, në tremujorin e katërt të 2018-ës janë miratuar gjithsej, për të gjithë territorin e vendit 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %. Nga totali i lejeve të dhëna peshën më të madhe e zë kryeqyteti me 120 të tilla. Ndërkohë në rang vendi gjatëvitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %. “Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e katërt 2018 është rreth 618.219 m 2,nga rreth 197.130m2, miratuar në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje me rreth 3 herë. Gjatë vitit 2018, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 1.442.783 m2, nga rreth 868.534 m2, miratuar në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 66,1 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Sipas të dhënave, Bashkia Tiranë, si bashkia më e madhe në vend, ka miratuar hapjen e 120 shesheve ndërtimi me sipërfaqe të përgjithshme 456.480 m2 në tre muajt e fundit të vitit 2018. Vlera e investimeve arrin deri në 14.3 miliardë lekë të reja, ndërsa vlera e tregut të banesave apo njësive të shërbimit që do të shiten nuk është përllogaritur ende. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë dhënë nga bashkia e kryeqytetit vetën 64 leje me sipërfaqe 115.953 m2 dhe me një vlerë investimi prej 3.9 miliardë lekësh. Sipas përllogaritjeve sipërfaqja e ndërtimit në Tiranë është 4-fishuar.
Investimet
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e katërt 2018 është 22,1 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2017.Ky tregues në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,3 herë. Pjesa më e madhe investimeve është përqendruar në Tiranë, pra 1/3 të gjithë parave të investuara në ndërtim në tre muajt e fundit të vitit të shkuar. Gjatë vitit 2018, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 59 miliardë lekë, nga 49,1 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2017, duke shënuar një rritje prej 20,1 %.
Çollaku: Lejet, pastrim parash
Kreu i Këshilltarëve të PD në Bashkinë Tiranë Kreshnik Çollaku, e shikon me shqetësim “bumin” e lejeve të ndërtimit që ka dhënë bashkia në tre muaj. Sipas tij, tregu është i mbingopur dhe nuk ka nevojë për ndërtime të reja. “Në Tiranë është një bum ndërtimesh i pajustifikueshëm. Në Tiranë ka një stok pallatesh të pa shitura. Tirana nuk ka nevojë sepse ka krizë çmimi dhe është jashtë çdo logjike tregu për ndërtime të reja në Tiranë. E vetmja arsyetim i logjikshëm është operacioni i pastrimi të parave nëpërmjet industrisë së ndërtimit. Prandaj duhet ndjekur paraja për të gjetur lidhjet me krimin, jo vetëm vendas por edhe ndërkombëtar. Tregu është i mbingopur nuk ka nevojë për ndërtime te reja”, thotë Çollaku. Madje, Çollaku shkon më tej, duke argumentuar se ky bie ndesh me programin elektoral të Veliajt. “E para është një thyerje e premtimit që ka bërë Erjon Veliaj në fushatë që ka thënë se ndërtimet në Tiranë do të jenë zero. Ky bum lejesh është shqetësues në dy pikëpamje. Në dy raporte të vitit të shkuar të Departamentit Amerikan të Shtetit ku bëhet fjalë për krimin është theksuar se Shqipëria është kthyer në një vend tranzit të opiumit afgan drejt Evropës dhe e dyta ekonomia bazë lidhet me krimin e organizuar nëpërmjet pastrimit të parave. Dihet që pastrimi i parave një ndër kanalet e sigurta të njohura botërisht është industria e ndërtimit. Pikërisht kjo po ndodh në Tiranë”, deklaron ai.
Salianji: Ka nevojë tregu
Ndërkohë anëtari i Këshillit Bashkiak në Tiranë, përfaqësues i PS-së i shikon në një optikë tjetër lejet e dhëna në kryeqytet. Në një prononcim për Portën Vendore Eridian Salianji pohon se Tirana është qytet në zhvillim padyshim që ka nevojë për ndërtime të reja. “Projektet e reja hapin vende të reja pune, zhvillojnë qytetin sjellin më shumë taksa që përkthehen në më shumë shërbime për qytetin. Nëse ka nevojë ose jo për ndërtime të reja këtë e vendos tregu. Përderisa investitorët hedhin paratë e tyre do të thotë se ka nevojë dhe ka treg shitje sepse ato investitorë kanë çdo gjë me llogari me laps”, thotë Salianji. Ndërsa në lidhje me faktin se pse në këtë moment bashkia vendosi të japë 120 leje, Salianji pohon se kjo ka lidhje me afatet kur u miratua plani urbanistik i Tiranës, kohën që u desh për hartimin e projekteve dhe afatet për dhënien e lejeve. “Kjo është arsye që lejet janë hapur në këtë periudhë nuk ka asnjë lidhje me pragun e fushatës, sepse as tani nuk jemi në prag fushate”, thotë Salianji.
Investitorët për bumin e lejeve
Në një prononcim për Portën Vendore, ndërtuesi Hajderin Fratari shprehet se pavarësisht momentin kur bashkia vendos të japë leje ndërtimi ky vendim mund të sjellë vetëm të mira. “Dhënia e lejeve të ndërtimit hap punë në ndërtim, hap punë për të gjithë ata që furnizojnë ndërtimin dhe hap punë në mobilieri. Për një leje ndërtimi minimumi hap 150 vende pune”, thotë Fratari. Për zhbllokimin e lejeve, ai deklaron se deri tani Tirana ishte pa plan rregullues dhe pas miratimit të tij u hap edhe rruga për dhënien e lejeve të ndërtimit. Në lidhje me stokun e ndërtimeve të pashitura, Fratari pohon se investimi në “tulla” është më i sigurt sesa paratë të rrinë stok në banka. “Leku në bankë nuk është kurrë i sigurt. Vetë shteti thotë unë të garantoj deri në 20 mijë euro në bankë kështu që në tulle është më i sigurt edhe sikur ta shesë pas 10 vitesh, e ka të sigurt lekun, kurse në bankë nuk ka siguri. Nuk e di nëse jeni në dijeni, por viti që vjen mund të jetë një vit shumë i keq për Europën. Në rast se bie Deutche Banke, imagjinoni ç’mund të ndodhë me bankat e tjera”, pohon Fratari. Në lidhje me taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila është 5% e vlerës së investimit,Fratari thotë se nuk ka asnjë ndikim për ndërtuesin por vetëm për qytetarët, pasi ajo u faturohet atyre. “U ngrit taksa me 100 euro, u ngrit çmimi me po aq”, shprehet ai.
Pse ky “bum” lejesh?!
Inxhinier Rikard Luka mendon se jo vetëm bashkia Tiranë, por shumica e bashkive në vend që kanë miratuar planet vendore kanë nisur dhënien e lejeve. Sipas tij, kjo vjen jo vetëm për faktin bashkitë janë të interesuara të ndërtohet, pasi hapen vende të reja punenë ndërtim dhe në gjithë zinxhirin e lidhur me të, por mbledhin edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila është zëri kryesor i tëardhurave në buxhetin e bashkive. Edhe “bumin” e ndërtimeve në Tiranë, Luka e argumenton pikërisht me miratimin e planin rregullues të kryeqytetit. “Bashkitë mezi prisnin të miratoheshin planet për të dhënë leje e për të mbledhur taksën e zhvillimit në infrastrukturë. Bashkia Tiranë mban peshën më të madhe të lejeve dhe ndërtimeve, pasi është kryeqyteti, por edhe bashki të tjera kanë dhënë leje gjatë kësaj periudhe”, thotë Luka.
Para, por edhe probleme
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Bujar Bendo i përkthen në para lejet e dhëna nga bashkitë dhe argumenton se pritet të investohen rreth 400 milionë euro vetëm në Tiranë. Por, me gjithë paranë që qarkullon ndërtimi, sipas Bendos ai nuk mund të kryhet pa asnjë kriter, pasi Tirana po kthehet në një qytet të pabanueshëm. “Situata është e tillë që Bashkia Tiranë ka dhënë rreth 390 leje ndërtimore për vitin 2018, që llogariten rreth 400 milionë euro investime ose afër 32 milionë euro kanë shkuar në buxhetin e Bashkisë në formën e taksës. Të gjitha këto ndërtime kanë filluar dhe do zhvillohen në vitin vijues, pa marrë parasysh faktin që deri 6 mujorin e parë 2019, padyshim që do jepen me qindra leje të tjera. Pra,Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi, ka probleme mjedisore dhe po kthehet në qytet të pabanueshëm, por mbi të gjitha nuk ka asnjë studim tregu dhe nuk ka ofertë për të tilla ndërtime. Kjo pasi edhe çmimet e ndërtimeve të reja variojnë nga 800-4000 euro/m2. Nuk përputhen me mundësinë dhe nevojat e tregut ekzistues. Po këtu është për tu konsideruar se si efekte negative të ofertës janë edhe emigrimi,ndryshimet demografike dhe lindshmëria në ulje apo plakja e popullsisë. Për ta mbyllur këtë argument është për tu shtuar edhe pasiguria e zhvillimeve politike në vend, e cila do këtë një ndikim jo të vogël”, argumenton Bendo. Ndërkohë, Bendo shton se nga pikëpamja fiskale, investimet në ndërtime të apartamenteve, qendrave rezidenciale të banimit dhe të tjera ambiente shërbimi dhe biznesi provizorisht japin një rritje të GDP-s apo edhe të ardhurave tatimore, por ato në parim janë investime “jo prodhuese” dhe në ciklin e vet kanë treguar se përfundojnë në investime problematike që nuk ndihmojnë ekonominë e vendit.“Orientimi dhe lejimi pa kriter i këtyre ndërtimeve nga qeverisja vendore dhe ajo qendrore do e kthejë nëbum negativ këtë fenomen,do t’i bëjë më të kujdesshme bankat në kreditimin e tyre dhe do përballemi me shtyrje në kohë apo probleme me përfundimin e këtyre ndërtimeve nga investitorët”, përfundon Bendo.
Situata në 61 bashki
Megjithatë, Tirana është vetëm një pjesë e panoramës, pasi edhe në 61 bashkitë e tjera të vendit, numri lejeve të dhëna në katërmujorin e fundit të 2018 është rritur. Sipas INSTAT, pesë bashkitë që renditen pas Tiranës, janë Durrësi me 44 leje, Korça me 35 leje, Fieri me 30 leje, Elbasani dhe Shkodra me nga 29 leje, ku vetëm një bashki rezulton se është e kryesuar nga kryetarë të djathtë, pasi bashkitë e tjera kryesohen nga e majta.
Por, duke u bazuar në trendin rritës për dhënien e lejeve të ndërtimit, ekspertët mendojnë se edhe gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019 do të ketë një rritje të ndjeshme të lejeve të ndërtimit, pavarësisht se kjo mund të sjellë pasoja të rënda në të ardhmen.
Rreth autorit:
Ornela Manjani është gazetare e çështjeve ekonomike.